Pa ngrohje e me fatura "të majme" rryme

Ilustrim

Kosova këto ditë po ballafaqohet me temperatura të ulëta. Ndërsa, kur bëhet fjalë për ngrohje, për shkak të mungesës së mazutit në Termokos, ende nuk ka filluar ngrohja. Sezoni ngrohës, që çdo vit nis më 15 tetor.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, thekson se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, është shtyrë për afat të pacaktuar data e fillimit të ngrohjes.

Kemi paralajmëruar disa herë se për shkak të problemeve financiare që i ka Termokosi, ka qenë e pamundur të fillohet me sezonin ngrohës sipas afatit ligjor që është 15 tetori".

"Por, për borxhin prej 1 milion eurosh, që Termoskosi ja ka kontraktorit të mazutit, është njoftuar Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, dhe tani presim një përgjigje, edhe pse kemi marrë sinjale pozitive se do të na shlyejnë këtë borxh, dhe sigurisht do të fillojmë menjëherë me ngrohje
”, thotë Uka.

Qytetarët, si alternativë për ngrohje përdorin energjinë elektrike. Por, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike kohë pas kohë , ata duhet gjetur edhe alternative tjera për ngrohje.

Mimoza Zeka, e cila banon në qendër të Prishtinës, thotë se gjatë dimrit, Termokosi ofron ngrohje shumë pak.

Në banesë e kemi nxehjen qendrore e cila nuk funksionon, mund të them gjatë 80 për qind të kohës së dimrit, andaj na mbetet që të ngrohemi me energji elektrike. Që nga paslufta, gjithmonë ka ndërprerje të energjisë elektrike , andaj këtë vit kemi vendosur që të ngrohemi me gaz, edhe pse mendoj se nuk është zgjedhja më e mirë sa i përket sigurisë, por që nuk kemi zgjidhje tjetër”, bën të ditur Zeka.


Shfrytëzimi i energjisë elektrike


Përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës, thonë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit në mënyrë që në muajt e ardhshëm qytetarët të furnizohen me energji të mjaftueshme elektrike.

Kërkesa maksimale e shpenzimit të energjisë elektrike shkon në 850 megavat. KEK-u është duke e përballuar këtë kërkesë, derisa kërkesa gjatë sezonit të dimrit do të shkojë deri në 1300 megavat dhe apeli jonë është që të shfrytëzohet energjia për amvisëri, derisa për ngrohje të përdoren lëndët djegëse”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës në KEK.

Edhe një tjetër qytetare nga Prishtina, Filloreta Maloku, thotë se gjatë stinës së dimrit shfrytëzon enegjrinë elektrike për ngrohje, për shkak se Termokosi nuk punon me rregull.

Për shkak se Termokosi nuk ka filluar të ngrohë, temperaturat kanë rënë, për ngrohje e përdorim energjinë elektrike. Rryma na vjen shumë shtrenjtë, por që duhet ta përdorim, nuk kemi zgjidhje tjetër”, thekson Maloku.

Sidoqoftë, sipas zonjës Afërdita Uka, pritet që Qeveria e Kosovës ta shqyrtojë javën e ardhshme kërkesën nga ana e Termokosit për shlyerjen e borxhit prej 1 milion eurosh, dhe kjo e fundit të fillojë t’i ngrohë qytetarët.