Ndërlidhjet

Shekulli XXI pa rrymë të mjaftueshme


Ilustrim
Ilustrim
Edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, furnizimi i rregullt me energji elektrike mungon në Kosovë. Ekspertë të fushës së energjisë vlerësojnë se një problemi i tillë ishte zgjidhur shumë më herët sikur autoritetet kosovare të ishin më të përgatitura dhe të dinin t’i shfrytëzonin resurset natyrore që ka vendi.

Eksperti i energjetikës, Ethem Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova në nivel evropian, dhe po ashtu radhitet lart edhe në nivel botëror me pasuri të mëdha në fushën e linjitit plumbit, zinkut, arit dhe argjendit, por që këto resurse, siç thekson Çeku, po mbesin të pashfrytëzuara.

“Kosova i posedon këto resurse të mëdha natyrore, por fatkeqësisht këto resurse nuk po mund të hyjnë në favorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe këto resurse sikur po na mallkojnë që vendi ynë të mbetet vend i varfër dhe qytetari ynë në shekullin XXI të përballet me mungesë të energjisë elektrike”, thotë Çeku.

Pavarësisht të gjitha këtyre kritikave për mungesë të energjisë elektrike, që ekspertët e energjetikës i kanë bërë me vite radhazi, në Korporatën Energjetike të Kosovës, thonë se furnizimi me energji elektrike nuk mungon. Sipas tyre, gjatë pesë javëve të fundit të gjithë qytetarët e Kosovës janë furnizuar rregullisht me energji elektrike pa pasur reduktime.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka reduktime me energji elektrike për asnjë kategori.

“Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike tash e 5 javë, nuk ka reduktime në as një cep të Kosovës, për asnjë kategori. Kategorizimi ABC momentalisht është pasiv, kjo si pasojë e mbulimit të kërkesës nga prodhimi vendor që po bëhet. Kemi katër njësi në prodhim që po e mbulojnë kërkesën”, deklaron Buzhala.

Buzhala thekson se Korporata Energjetike e Kosovës është e përkushtuar që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike.

“Aktualisht, nuk ka reduktime për asnjë kategori dhe po flasim për një periudhë afatgjate. KEK-u është i përkushtuar që të vazhdojë ta përmirësojë furnizimin me energji elektrike nga dita në ditë, nga java në javë, nga viti në vit - e ka bërë dhe po e bën”, thekson Buzhala.

Pavarësisht kësaj deklarate të zëdhënësit Buzhala, të premten në një komunikatë për media të lëshuar nga KEK-u, thuhet se për shkak të disa problemeve teknike kanë mbetur pa energji elektrike disa lagje në kryeqytet.

Ndryshe, pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Ekspertët e energjetikës thonë se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e re”, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.

Ethem Çeku thekson se jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil, i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative vendit.

“Unë mendoj se janë dy probleme të mëdha, kemi një klasë qeverisëse, e cila nuk është e përgatitur për sfidat zhvillimore në konceptin ekonomik të vendit dhe, po ashtu, edhe një pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë sikur janë larg këtyre proceseve dhe Kosova gradualisht është shndërruara në blerës më të madh të energjisë elektrike nga vendet e rajonit”, vlerëson Çeku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG