Ndërlidhjet

Me apo pa rrymë e ngrohje?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Reduktimet me energji elektrike janë bërë, përgjatë viteve, të zakonshme për një pjesë të madhe të kosovarëve që jetojnë në zonat rurale, por edhe urbane të vendit.

Gjatë vjeshtës apo dimrit mungesa e energjisë elektrike bëhet më problematike, meqë ajo shfrytëzohet edhe për ngrohje.

Përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës, thonë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit në mënyrë që në muajt e ardhshëm qytetarët të furnizohen me energji të mjaftueshme elektrike.

Mësohet se dy blloqe janë në remont dhe se njëri prej tyre pritet të funksionalizohet në nëntor për t’i pasur të pesë blloqet e gatshme për prodhim.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se do të vazhdojë furnizimi me energji elektrike sipas sistemit A, B, C-gjë që, sipas tij do të jetë në proporcion me pagesën e energjisë elektrike.

Aty matet niveli i pagesës dhe niveli i keqpërdorimit të energjisë elektrike, sepse një konsumator mund t’i ketë faturat zero-zero por e mund ta ketë keqpërdorur me të madhe energjinë elektrike”, thotë ai.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për ngrohje, punët duket se do t’i kenë më keq prishtinasit për shkak të mungesës së mazutit në Termokos.

Sezoni ngrohës, që çdo vit nis më 15 tetor, është shtyrë kësaj radhe për të nisur me uljen më të madhe të temperaturave për shkak të, siç thuhet, gjendjes së rëndë financiare të kësaj ngrohtoreje.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, thekson se buxheti aktual i ngrohtores prej një milion eurosh do të jetë i pamjaftueshëm për të garantuar furnizim të rregullt me ngrohje.

Termokosit për një sezon ngrohës i nevojiten rreth 10 mijë tonelata mazut, të cilat-pa i llogaritur shpenzimet e tjera operative, 8 milion euro që nuk i kemi aktualisht në dispozicion e as që pritet se do t’i kemi deri në përfundim të këtij sezoni ngrohës. Jemi të detyruar që këto sasi të mazutit që mund të blihen me një milion euro të ndara si subvencion nga qeveria e Kosovës të ruhen për temperatura më të ulëta”, shprehet ajo.

Në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës vlerësohet se“një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Ndërprerjet e shpeshta të rrymës elektrike thuhet se janë pengesë për procesin e prodhimit, të arsimit dhe për sektorin e shëndetësisë.

Që nga paslufta në Korporatën Energjetike të Kosovës janë bërë investime të mëdha, që megjithatë nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes energjetike.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” shihet si një mundësi e mirë për furnizim të rregullt me energji elektrike për Kosovën.

Vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali ishte marrë në vitin 2005, ndërkohë që është bërë e ditur se punimet për ndërtimin e tij do të fillojnë vitin 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG