Parametra negativë për zhvillim ekonomik

Fotografi ilustruese

Nuk ka shumë optimizëm se gjendja ekonomike në Kosovë do të mund të ndryshojë për të mirë gjatë vitit 2011, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë. Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, thotë se të gjitha elementet flasin për një sistem joefikas ekonomik. Ndërkaq, Alban Hashani, ekspert për ekonomi në Institutin Riinvest, thotë se është e nevojshme gatishmëria politike për ta përmirësuar mjedisin afarist në Kosovë, gjë që do të çonte drejt ngritjes së dëshirueshme ekonomike.


Ekonomia kosovare ka trashëguar nga viti i kaluar parametra, të cilët nuk ngjallin ndonjë optimizëm se gjatë këtij viti gjendja mund të përmirësohet, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Sipas tyre, faktorët dhe rrjedhat që ndikojnë për një zhvillim të dëshiruar të ekonomisë, janë të pafavorshme për Kosovën dhe qeveria e ardhshme, bashkë me ekspertët e ekonomisë duhet të bëjnë përpjekje që të gjejnë mënyra për t’i dhënë kah pozitiv zhvillimit ekonomik.

Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, vlerëson se treguesit globalë makroekonomikë aktualisht janë negativë.

"Kemi deficitin e bilancit të pagesave 1 miliard e 800 milionë. Kemi normë shumë të lartë të papunësisë, ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta publike, por janë mbi 60 për qind. E kemi 30 deri në 40 për qind GDP-në nga ekonomia joformale. Kemi ngritje të korrupsionit, kontrabandë ekonomike, rritje të varfërisë dhe normalisht, rritje të problemeve sociale”.

“Gjithashtu, kemi paga që stagnojnë, kurse për çdo ditë vije deri tek inflacioni, ngritja e çmimeve. Prandaj, të gjitha këto elemente flasin për një sistem joefikas ekonomik”,
vlerëson Limani.

Edhe Alban Hashani, ekspert për ekonomi në Institutin Riinvest, thotë se parametrat aktualë për një zhvillim ekonomik të Kosovës janë larg nivelit të dëshirueshëm.
Parametrat
realë nuk janë
shumë pozitivë, fatkeqësisht.


Parametrat realë nuk janë shumë pozitivë, fatkeqësisht. Kjo është për shkak se neve na mungon një mobilizim i burimeve që sigurojnë një rritje ekonomike më të madhe se 7 për qind, ose eventualisht 10 për qind, për të cilën gjithmonë po e themi në institucione të ndryshme hulumtuese, se është minimumi i minimumit për të filluar t’i adresojmë problemet sociale që i ka Kosova”.

“Çfarë është e para që duhet të bëjmë për të arritur këtë nivel minimal të rritjes ekonomike, ku do të fillonim që ta përmirësonim situatën dhe jo ta keqësonim më tutje? Duhet të ketë gatishmëri politike për ta përmirësuar mjedisin afarist në Kosovë”
, thotë Hashani.

Ndryshe, të dy këta ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se për të ndryshuar kahen negative të rrjedhave ekonomike të deritashme dhe aktuale në Kosovë, qeveria e ardhshme duhet të ndryshojë qasjen që deri më tash ka pasur ndaj ekonomisë.
Duhet të bëhen reforma rrënjësore ekonomike dhe njëherësh reforma rrënjësore në politikën fiskale, monetare-kreditore dhe në politikën e tregtisë së jashtme.

Musa Limani thotë se kërkohen reforma rrënjësore:

“Duhet të bëhen reforma rrënjësore ekonomike dhe njëherësh reforma rrënjësore në politikën fiskale, monetare-kreditore dhe në politikën e tregtisë së jashtme”.

“Përndryshe, në qoftë se edhe më tutje vazhdohen këta trendë, unë jam thellë i bindur që Kosova do të ballafaqohet me probleme shumë të mëdha ekonomike, do të rritet edhe më shumë norma e papunësisë, varfëria, problemet sociale dhe trendët ekonomikë gjithnjë do të kenë shenja negative. Me siguri se anija gjithnjë vjen duke u fundosur”.


Por, Hashani thotë se tashmë pritjet për përmirësim të gjendjes ekonomike janë shumë të mëdha dhe një gjë të tillë duhet ta ketë parasysh qeveria e ardhshme, e cila, sipas tij, duhet të ndërmarrë një varg masash.

“E para, në krijimin e një infrastrukture, në të cilën sigurohet se rregullat e lojës zbatohen në mënyrë ‘fer’ dhe njëjtë nga të gjithë dhe ku nuk cenohet seriozisht, si deri më tash, ekonomia e tregut; E dyta, duhet të bëhet më shumë që Kosova t’i eliminojë barrierat që po e pengojnë tërheqjen e investitorëve”.

“E treta, është ngritja e zërit të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe të aplikojmë masa të reciprocitetit; në fund, mendoj se duhet të bëhet përmirësimi i gjithë klimës së bizneseve, në të cilën vetë bizneset zhvillohen”
, thekson Hashani.

Megjithatë, Hashani shton se përmirësimi i klimës afariste, do të ndikonte në gjenerimin e rritjes ekonomike nga sektori privat, i cili është më i qëndrushëm dhe jo nga sektori publik, i cili, siç thekson ai, gjithnjë e më shumë po rëndohet si barrë në shpinën e taksapaguesve.

Lexoni edhe këto:

Evazioni fiskal po e dëmton ekonominë kosovare
Pa përparim ekonomik