Ndërlidhjet

Ekonomi: Sukseset dhe ngecjet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vitin 2010, në aspektin ekonomik, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje e quajnë të suksesshëm duke rezultuar me ngritje pozitive. Mirëpo, njohës të çështjeve ekonomike e mohojnë një gjë të tillë. Sipas tyre, ka mbetur shumë punë për vitin tjetër.


Marrëveshja e arritur në muajin korrik ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas autoriteteve kosovare dhe ekspertëve për çështje ekonomike, vlerësohet një ndër sukseset kryesore, në sferën ekonomike, gjatë vitit që po lëmë pas.

Ahmet Shala, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, thotë se gjatë këtij viti janë zhvilluar shumë projekte, të cilat kanë ndikuar në rritjen ekonomike të vendit, duke e quajtur vitin 2010, vit të suksesshëm, por duke mos e mohuar faktin se ka pasur sfida.

Qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2010 arriti marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Është siguruar një kredibilitet i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar për shtetin e Kosovës, që i ka mundësuar fillimin e derdhjes së ndihmës financiare të drejtpërdrejtë buxhetore, për herë të parë si shtet, dhe mbase për herë të parë si ndihmë e drejtpërdrejtë buxhetore pas konsolidimit të organeve shtetërore”,
thotë Shala.

Ndryshe, komuniteti i biznesi edhe gjatë këtij viti ka kritikuar ekzekutivin e vendit për mospërkushtim ndaj këtij sektori.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se autoritetet kompetente, në rend të parë, duhet të krijojnë ambient të përshtatshëm për komunitetin e biznesit vendor.

“Kuptohet se nuk mund të kemi atraktivitet për investitorët vendorë dhe reformat janë të dedikuara në rend të parë për bizneset kosovare. Në qoftë se në këtë drejtim do t’ia dalim, atëherë vetvetiu do të reflektojë me përmirësimin e imazhit dhe me ngritjen e atraktivitetit për investitorët vendorë dhe biznesmenët e huaj”
, thotë Gërxhaliu.

Por, ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tregon angazhimet për këtë sektor:

“Në aspektin e taksave dhe politikave fiskale, është bërë mjaft, por ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, ne kemi përgatitur një pako mjaft inkurajuese për të krijuar një ambient më joshës edhe për bizneset në Kosovë.”

“Personalisht, nuk jam i kënaqur me disa elemente të disa të pengesave burokratike, qofshin ato legjislative, qofshin edhe ato që janë reflektuar edhe në Raportin e Bankës Botërore 'Të bësh biznes'".


Edhe në raporte të ndryshme të mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, gjatë këtij viti Kosova nuk është paraqitur në nivel të kënaqshëm sa i përket ambientit të biznesit.

Në një hulumtim të Bankës Botërore, Kosova është radhitur e 173-ta sa i përket mbrojtjes së investitorëve të huaj, në mesin e 183 shteteve ku janë bërë këto matje.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, thotë se autoritetet kompetente nuk kanë bërë mjaft në këtë drejtim.

Sipas Demit, procedurat e gjata për regjistrim dhe licencim të kompanive të huaja dhe niveli i lartë i korrupsionit, ka bërë që investitorët e huaj të hezitojnë të investojnë në Kosovë.

Procedurat e gjata për regjistrim, vlerësohet se kanë bërë investitorët e huaj të hezitojnë të investojnë në Kosovë.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se Kosova nuk e ka kryer punën e vet për t’i joshur investitorët e huaj. Që nga pavarësia e këndej nuk ka një reformë të duhur në institucionet qeveritare dhe në përgjithësi në Kosovë, madje vërehet një degradim i këtij ambienti”,
pohon Demi.

Në anën tjetër, Mustafë Hasani, kryeshef në Agjencinë për promovimin e investimeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se investimet e huaja në këtë vit ka shënuar një rritje prej rreth 3 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2009, investimet e huaja kanë qenë 310 milionë euro, apo 30 për qind më pak se në 2008-tën.

“Ndoshta, ka vlejtur edhe këtë vit ende hezitimi i kompanive të huaja, për të dalë prej gjendjes së recesionit, që faktikisht ka qenë një krizë financiare, sidomos në vitin 2009. Edhe ndoshta vendimet e tyre nuk janë zhbllokuar ende në kontekst të lokacioneve”
, shprehet Hasani.

Ndryshe, situata ekonomike gjatë vitit 2010, nuk ka shënuar ndonjë rezultat të theksuar në eksportin e prodhimeve vendore. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave të vendeve të rajonit.

Sidoqoftë, lidhur me projektet dhe sfidat kryesore që Qeveria e Kosovës planifikon t'i realizojë gjatë vitit 2011, ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, shpjegon më shumë:

“Ne kemi prioritet anëtarësimin në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, që ka qenë shumë afër dhe më vjen keq që nuk është realizuar në këtë vit. Objektiv tjetër është gjithë paketa joshëse dhe përmirësuese për sferat e caktuara, sidomos në sektorin e bujqësisë”.

“Uroj që, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, të kemi kontrollin 100 për qind në veri dhe të mbyllim atë ventil të dëmshëm jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht”.


Në anën tjetër, sfidë kryesore për institucionet kosovare edhe në vitin që po hyjmë, sipas ekspertëve të ekonomisë, do të jetë ulja e shkallës së varfërisë dhe papunësisë, që konsiderohen shkalla më e lartë në Evropë.

Lexoni edhe këtë:

Varfëria dhe papunësia - sfida për Kosovën
XS
SM
MD
LG