Ndërlidhjet

Limani: Ekonomia e Kosovës - në recesion


“Kosova është në pikën më të ulët të zhvillimit ekonomik që ekonomistët e quajnë recesion. Kjo paraqet alarm për autoritetet e vendit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës.






RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Limani, Kosova vazhdimisht është kritikuar nga mekanizmat ndërkombëtarë për shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë?

MUSA LIMANI
Trendet ekonomike pas luftës nuk kanë qenë të mira. Përkundrazi, treguesit kryesorë globalë makroekonomikë kanë pasur tendenca negative. Duke sugjeruar te Qeveria e Kosovës dhe te organet përkatëse që të marrin masa adekuate në kuptimin e ndryshimeve që trendeve negative, duke tentuar që t’i japin kahe pozitive. Mirëpo, për fat të keq, mund të konstatoj që të gjitha qeveritë e pasluftës nuk kanë zbatuar një politikë aplikative ekonomike, e cila do të ndikonte në një zhvillim më dinamik, më intensiv.

Përkundrazi, unë mund të them se nuk është bërë kurrfarë reforme ekonomike dhe nuk kemi ndonjë program ekonomik të asnjë partie që është në funksion të zhvillimit ekonomik, e po ashtu edhe të qeverisë. Prandaj, e gjithë kjo ka ndikuar që ne sot të gjendemi në një situatë shumë të rëndë.

Ekonomia e Kosovës është në një rrugë pa rrugë, ekonomia e Kosovës gjendet në atë pikën më të ulët të zhvillimit që ne e quajmë recesion, e cila reflektohet përmes zvogëlimit të prodhimit, largimit të punëtorëve nga marrëdhënia e punës, pastaj rritja e importit, e kështu me radhë.

Kjo paraqet një alarm shumë të madh për Qeverinë aktuale të Kosovës, e cila duhet ta ndryshojë kursin dhe të hartojë një strategji, një politikë zhvillimore makroekonomike, që do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është rrugë e duhur, rruga të cilën kanë zgjedhur autoritetet kosovare për zhvillimin ekonomik?

MUSA LIMANI
Në qoftë se Qeveria aktuale e Kosovës edhe më tutje zbaton një politikë të tillë, do të thotë nuk ndryshon, nuk bën ato ndryshimet rrënjësore në politikën e zbatuar ekonomike, ne edhe më tutje do të futemi në krizë. Kështu që, rrugëdalja nga situata aktuale ekonomike, e cila është jashtëzakonisht e rëndë, duke ia shtuar edhe situatën sociale, pra do të vazhdojnë edhe më tutje me këto trende.

Prandaj, kjo situatë, në të cilën gjendemi, duhet t’i shërbejë qeverisë aktuale që ta ndryshojë politikën ekonomike dhe t’i zbatojë instrumentet dhe masat e politikës së zbatuar ekonomike, të cilat janë në funksion të zhvillimit ekonomik, duke filluar nga instrumentet e politikës fiskale, grup instrumentesh, pastaj të politikës monetare dhe kreditore dhe normalisht të politikës së tregtisë së jashtme.

RADIO EVROPA E LIRË
Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon që Kosova të shënojë rritje vjetore prej 7 për qind, në mënyrë që gjendja e rëndë që ekziston, të fillojë të përmirësohet. Si dhe a mund të arrihet kjo rritje ekonomike?

MUSA LIMANI
Për fat të keq nuk funksionon instituti, i cili merret me këto gjëra dhe që publikon të dhënat publike që janë zyrtare për trendet ekonomike. Pra, nuk funksionon Enti i Statistikës dhe ç’është më e keqja GDP-ja te ne, në Kosovë, bëhet në bazë të anketave. Kjo është shumë qesharake për ne ekonomistët, sepse GDP-ja nuk mund të bëhet përmes anketave.

Unë i përcjell këto të dhëna nëpërmjet publikimeve që bën Enti i Statistikës, prandaj duhet të kemi një trend pozitiv, një intensitet të zhvillimit ekonomik, jo 7 për qind, por duhet së paku dyshifrore të jetë norma e shtimit të GDP-së dhe unë do të thosha 12, 15 ndoshta deri në 20.

Në aspektin relativ duket shumë e lartë 12, 15 ose 20 për qind, mirëpo kur kemi parasysh nivelin e ulët, bazën e ulët ekonomike, ajo nuk është shumë, prandaj vetëm një normë e tillë na siguron që të kemi një dinamikë pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte pritje të mëdha se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të vinin investitorë të shumtë. Megjithatë, numri i tyre nuk është kënaqshëm. Pse mendoni se po ndodh kjo?

MUSA LIMANI
Ishte konferenca e donatorëve, ku u zotuan diku mbi 1 miliardë e 200 milionë euro se do t’i jepen Kosovës. Por, tash unë do të shtroja një kundër-pyetje: Si do të kërkosh ti prej dikujt para, kur ke tepricë parash në xhep?

Do të thotë 1 miliardë e 400 milionë të mjeteve të Kosovës gjenden jashtë ekonomisë së Kosovës, jashtë sistemit aq sa janë zotuar të na japin donatorët, edhe më tepër i kemi jashtë. Atëherë kemi tepricë. Si të kërkojmë nga donatorët mjete, ose investime, për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik, përderisa mjetet tona i dërgojmë jashtë dhe i ndihmojmë zhvillimit ekonomik të vendeve tjera?!

Kjo për mua është arsyeja kryesore, prandaj me të drejtë janë tërhequr donatorët, për arsye se ne nuk dimë të bëjmë një politikë zhvillimore makroekonomike, e cila do të ishte nxitëse, mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe tërheqje për donatorët dhe investitorët e huaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se Kosova ka nevojë që në vit t’i krijojë 30 mijë vende të reja pune. Profesor, si dhe a do të mund të krijoheshin këto vende pune?

MUSA LIMANI
Popullata shqiptare, në përgjithësi, është një ndër popullatat më të reja në Evropë dhe, normalisht, në saje të këtij elementi demografik biologjik, ne prodhojmë kontingjent shumë të madh të punës. Pra, në vit dalin rreth 25-30 mijë veta që janë krah pune, në kuptimin që janë të aftë për punë. Pos kësaj, dalin edhe me kualifikime, me shkollim, e me arsimim të lartë.

Normalisht, këto kapacitete, kjo ekonomi e Kosovës nuk është në gjendje t’i absorbojë. Do të thosha se gjatë vitit nuk mund as 1/5 apo 1/6 që të punësohet nga ky kontingjent i punës, i cili del çdo vit. Prandaj, rreth 20-25 mijë veta të aftë për punë, që kanë nevojë për punë, që mund të kontribuojnë e që mund të krijojnë të ardhura të mira materiale të tjera, bredhin poshtë e përpjetë dhe ne nuk e shfrytëzojmë faktorin më të rëndësishëm ekonomik.

Prandaj, Qeveria është dashur të marrë masa, të hartojë një strategji se si do të veprojë. Mund të bëjë një strategji për punësim të përkohshëm me vendet e ndryshme, nuk duhet asnjë gjë t’ia lëmë stihisë. Njerëzit tash që bëjnë trafikimin me qenie njerëzore si rasti i Tisës, për shembull, njerëzit nuk kanë shkuar për turizëm, por kanë marrë familjet, kanë humbur familjet dhe Qeveria nuk çan fort kokën.

Dy-tri ditë ishte problem dhe tash është lënë pas dore. Po, sa e sa familje tash tentojnë që të dalin jashtë Kosovës për ta siguruar kafshatën e bukës. Prandaj në këtë drejtim mund të them se Kosova ka normën më të ulët të punësimit, kurse normën më të lartë të papunësisë.

Ky është një problem më vete, i cili pastaj sjell edhe ato elementet tjera negative; prej papunësisë del kontrabanda, dalin vjedhjet, sepse duhet t’ia mbajnë dikah, prandaj vetë papunësia në vete reflektohet, sjell ato elementet, të cilat janë negative.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG