Ndërlidhjet

Kompromis i përkohshëm për hyrjen e shtetasve rusë në BE


Me shërbimin ajror të ndaluar nga BE-ja për fluturimet nga Rusia, shumica e udhëtarëve po përdorin kufijtë tokësorë të Rusisë me Poloninë, Finlandën dhe Shtetet Baltike për të udhëtuar drejt vendeve të tjera të BE-së.
Me shërbimin ajror të ndaluar nga BE-ja për fluturimet nga Rusia, shumica e udhëtarëve po përdorin kufijtë tokësorë të Rusisë me Poloninë, Finlandën dhe Shtetet Baltike për të udhëtuar drejt vendeve të tjera të BE-së.

Bisedimet e kësaj jave në Pragë lidhur me hyrjen e shtetasve rusë në Bashkim Evropian përfunduan me një zgjidhje të ndryshueshme, e cila do ta zvogëlojë numrin e vizave të lëshuara dhe do ta bëjë më të vështirë hyrjen për personat që posedojnë dokumentet përkatëse për udhëtim.

Çështja e vizave, që e ka ndarë BE-në përgjatë kësaj vere, ka gjasa të vazhdojë të përbëjë debat pasi që ende mbeten pa përgjigje disa pyetje kyçe. Për më tepër, pasioni dhe emocionet që u nxitën nga debati tregojnë se, në të ardhmen, do të jetë më e vështirë për Brukselin të pajtohet për masa kufizuese, të cilat synojnë ta vënë Kremlinin nën presion dhe ta ndëshkojnë Rusinë për luftën në Ukrainë.

Pas dy ditë bisedimesh ndërmjet ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së në kryeqytetin çek, me takimet e tyre të ndara në grupe të vogla me shpresën se do të mënjanoheshin ndarjet politike, më 31 gusht u arrit një kompromis.

Fillimisht, ata u pajtuan që të suspendohet marrëveshja për lehtësimin e vizave që ishte arritur mes bllokut dhe Rusisë në vitin 2017. Marrëveshja veçse ishte suspenduar përkohësisht pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt, duke e bërë më të vështirë për njerëzit e afërt me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, të marrin viza për në zonën Schengen të BE-së, ku nuk ka kontroll kufitar, por duke i kursyer “qytetarët e rëndomtë rusë”.

Tani mund të jetë më keq edhe për këta “rusë të rëndomtë”, pasi që vizat mund të bëhen më të shtrenjta, procedurat mund të zgjasin më shumë dhe mund të kërkohet më shumë dokumentacion për të gjithë.

Megjithatë, këto kufizime nuk mjaftuan për t’i qetësuar tri shtetet Baltike, Finlandën dhe Poloninë, ku më shumë se gjysmë milioni rusë e kanë kaluar kufirin me viza Schengen që nga fillimi i luftës në shkurt.

Këto viza shpesh ishin të lëshuara nga shtete të tjera anëtare të BE-së dhe ishin e vetmja mënyrë se si rusët mund ta anashkalonin ndalimin që iu ishte bërë fluturimeve nga Rusia në BE, që u vu në zbatim në mars.

Këto vende kërkojnë që BE-ja të ketë qëndrim më të prerë me ndalim të plotë ose pothuajse të plotë, duke lejuar vetëm disa përjashtime, si për arsye humanitare. Si kompromis me këto vende, ministrat në Pragë, gjithashtu, nënshkruan një deklaratë që mund të duket e padëmshme, por mund të rezultojë shumë domethënëse:

“Për shkak të implikimeve sfiduese për vendet kufitare, ne pajtohemi që mund të merren masa në nivel kombëtar për ta ndaluar hyrjen në BE, në pajtim me Kodin kufitar Schengen të BE-së”.

Kjo nuk e ndalon automatikisht hyrjen e rusëve në kufijtë e këtyre pesë vendeve, mirëpo u ofron vendeve të prekura mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje rajonale me miratimin e BE-së.

Një zgjidhje rajonale mund të vijë së shpejti. Më 2 shtator, zyrtarë relevante nga pese vendet fqinje të Rusisë do të takohen me qëllim arritjen e një qasjeje të përbashkët deri javën e ardhshme.

Një burim nga BE-ja, që ka njohuri lidhur me këtë debat, por që nuk është i autorizuar të flasë lidhur me këtë çështje, ka thënë se një zgjidhje potenciale përfshin analizimin si të veçantë të çdo rasti të tentimeve për hyrje në BE nga rusët. Në praktikë, kjo do të thotë se procedurat e kalimit të kufirit nga Rusia, të cilat mund të kenë zgjatur disa minuta, tash mund të zgjasin më shumë.

“Jo tunele, jo korridore” ishte mantra e përsëritur nga zyrtarë gjatë ditëve të fundit të negocimeve, duke theksuar se nuk do të bëhet asnjë përjashtim në kufijtë e Rusisë për vizat e lëshuara nga vendet e tjera perëndimore të BE-së.

Problemi i vizave tani do të trajtohet si problem rajonal dhe shtetet Baltike, Finlanda dhe Polonia do ta kenë të drejtën t’ia mohojnë hyrjen çdo individi, edhe atyre që posedojnë viza të vlefshme.

“Shqetësimi për siguri kombëtare” do të jetë justifikimi zyrtar, edhe pse, në të vërtetë, arsyeja është politike. Në pajtim me opinionin publik, politikanët në këto vende kanë kundërshtuar publikisht imazhet e rusëve duke festuar nëpër kryeqytetet e tyre gjatë verës dhe veturave Maserati me targa ruse të parkuara në rrugët e tyre, përderisa ukrainasit po bombardohen dhe detyrohen t’i lënë shtëpitë.

Në Letoni do të mbahen zgjedhje parlamentare në tetor, ndërsa pranvera e vitit 2023 sjell zgjedhje edhe në Finlandë dhe Estoni, dhe qeveritë përkatëse nuk duan të lejojnë që vizat për rusët të bëhen problemi përcaktues i zgjedhjeve.

Me gjithë kompromisin e kësaj jave, ende ka pyetje të cilat nuk janë adresuar.

A do ta ngadalësojnë procesin e lëshimit të vizave për rusët edhe 22 vendet që nuk janë fqinje me Rusinë?

Kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë, pasi që tani po marrin më pak kërkesa dhe hyrja në Schengen do të bëhet edhe më e vështirë.

Të gjitha vendet anëtare mund të bëhen më syhapur lidhur me lejimin e rusëve në territorin e tyre, por kjo mund të bëhet temë më pak e rëndësishme tani që po i vjen fundi sezonit të pushimeve verore.

Rusia, gjithashtu, ka dëbuar shumë diplomatë të BE-së nga konsullata të ndryshme saqë është bërë më e vështirë për qytetarët rusë që të aplikojnë. Së fundi, Belgjika njoftoi se të gjithë zyrtarët që punonin për lëshimin e vizave tashmë janë larguar nga Rusia.

Fokusi në turistë ishte i gabuar që nga fillimi, pasi që në BE nuk ekziston diçka e tillë si “vizë turistike”.

Vendet anëtare të BE-së mund të lëshojnë viza Schengen - të ashtuquajtura viza të kategorisë C - për deri në 90 ditë përgjatë një periudhe 180-ditore. Këto mund të përdoren nga turistë, mirëpo edhe nga biznesmenë apo shoferë rusë të kamionëve, që punojnë për kompani të BE-së, lidhje të transportit këto të cilat Shtetet Baltike duan t’i mbajnë të hapura.

Deri tani, ekziston edhe problemi i 10 deri në 12 milionë vizave të vlefshme, të lëshuara nga vende të BE-së, të cilat i posedojnë qytetarët rusë. Këto viza nuk do të anulohen dhe, edhe nëse vendet e BE-së fqinje me Rusinë i ngadalësojnë hyrjet në kufi, rusët mund të hyjnë në territorin e bllokut përmes Serbisë ose Turqisë, vende këto që nuk kanë ndërmarrë masa kufizuese për viza ndaj qytetasve rusë.

Finlanda, rrugë transiti e turistëve rusë drejt Evropës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00


Për më tepër, lënia e derës hapur për vizitorët rusë është pikërisht ajo që e duan disa vende. Dokumenti francez-gjerman që u lëshua para takimit, e bëri këtë shumë të qartë: “Ne duhet të luftojmë në mënyrë strategjike për zemrat dhe mendjet e popullsisë ruse”, thuhej në të.

Pastaj, në një goditje dashamirëse të luftës ruse, në këtë dokument thuhej se “përderisa i kuptojmë shqetësimet e disa shteteve anëtare në këtë kontekst, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë fuqinë transformuese të përjetimit të jetës në sisteme demokratike, veçanërisht për gjeneratat e ardhshme”.

Me fjalë të tjera: lejojini të hyjnë, që ata ta shohin se si jetojmë ne.

Debati për lëshimin e vizave është lënë nën hije nga diskutimi shumë i madh për sanksionet dhe politikat e energjisë. Rezultati i diskutimeve në Pragë është praktikisht një leje për zgjidhje rajonale të problemit, diçka për të cilën 27 vendet anëtare nuk arrinin të pajtoheshin.

Kjo nuk do të funksiononte me sanksione, ku nevojitet unitet mes vendeve të BE-së. Me rritjen e faturave të energjisë dhe inflacionit në gjithë kontinentin, do të jetë edhe më vështirë të arrihet uniteti për sanksione.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG