Rusia bëri të ditur të mërkurën vendimin për të dëbuar 85 diplomatë nga tre vende evropiane, Franca, Spanja dhe Italia, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të ngjashme të marra nga këto shtete, duke nënvizuar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me shtetet anëtare të BE-së, që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Ministria e jashtme ruse bëri të ditur se kishte urdhëruar largimin e 34 diplomatëve nga Franca, 27 nga Spanja dhe 24 nga Italia.
Të tre vendet janë mes shteteve evropiane, të cilat kanë dëbuar më shumë se 300 diplomatë rusë që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt. Në shumë raste, ata akuzuan diplomatët rusë për spiunazh, çka është mohuar nga Moska zyrtare.
Në përgjigje të këtyre vendimeve, Rusia dëboi muajin e kaluar rreth 45 diplomatë polakë dhe 40 persona nga stafi diplomatik gjerman.
Ndër të tjera, Rusia bëri të ditur vendime të ngjashme ndaj Finlandës, Rumanisë, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë dhe Japonisë.
Kryeministri italian, Mario Draghi e quajti “një vendim armiqësor” njoftimin e bërë nga Moska dhe tha se kanalet diplomatike nuk duhet të ndërpriten.
Franca deklaroi se shpreh keqardhje për vendimin e Rusisë teksa e quajti një përgjigje të pajustifikuar ndaj asaj që tha se ishte vendimi i saj në prill për të dëbuar "disa dhjetëra agjentë rusë që veprojnë në territorin tonë nën statusin diplomatik dhe që punojnë kundër interesave tona të sigurisë.”