Ndërlidhjet

Zelensky i kërkon Shqipërisë të mos lejojë turistë e anije ruse


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, iu drejtua të martën deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje humanitare dhe armë për Ukrainën, për të përballuar, siç tha, agresionin rus.

Presidenti ukrainas, duke folur përmes video-lidhjes, kërkoi nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

“Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë... ndoshta vijnë vrasës të Buçës apo të Irpinit”, tha Zelensky, duke iu referuar qyteteve ukrainase, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.

Zelensky shprehu mirënjohje për, siç tha, mbështetjen e Shqipërisë dhe kujdesin ndaj qytetarëve të Ukrainës, që ikin nga lufta dhe strehohen në këtë vend.

“Faleminderit për hapat konkretë për Ukrainën, për ndihmën e mbrojtjes, për mbështetjen kundër Rusisë, për përkujdesjen që ju jepni fëmijëve tanë, njerëzve tanë. Qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare, e cila është kthyer në simbolin e humanizmit në mbarë botën”, tha Zelensky.

Të tmerruar nga lufta, strehimin e gjejnë në Shqipëri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:10 0:00

Ai tha se vendi i tij po përballet me luftë “të pamëshirshme” nga Rusia, e cila, sipas tij, po bën përpjekje “ta ringjallë një tirani të tmerrshme”.

“Po shohim se si ushtria ruse po qëllon fëmijët. Njerëzit e strehuar në bunkerë kanë filluar të ngrihen. Në zonat që ka çliruar Rusia, po varrosen njerëz që janë gjetur të vrarë me duar të lidhura”, tha Zelensky.

Zelensky u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët mbanin para vetes pankarta me flamurin e Ukrainës dhe mbishkrimin: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”.

Rama: Historia e Kosovës na ndihmon të ndjejmë dhimbjen e Ukrainës

Fjalën pas tij e mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se rrallëherë ndodh që Kuvendi i Shqipërisë “të shquhet për dakordësi”, mirëpo “mbështetja ndaj rezistencës ukrainase kundër pushtuesve rusë, është e përbashkët”.

“Gjithë kombi ynë, përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, është rreshtuar krah jush me çdo gjë që kemi mundur”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria po mundohet t’i dalë në ndihmë Ukrainës në forma të ndryshme.

“Shqipëria është vend shumë më i vogël se i juaji, mundësitë për ndihmë janë modeste. Por, kemi besuar që në fillim se, edhe pse materialisht s’mund të bëjmë gjë, mund të jemi të vlefshëm me zë në tryezat e NATO-s dhe OKB-së, ku kemi qenë bashkënismëtarë të rezolutave të rëndësishme kundër agresionit rus”, tha Rama.

Ai tha se shqiptarët bashkëndiejnë thellësisht me vuajtjet e popullit ukrainas, sepse jo shumë kohë më parë u përballën edhe vetë me luftë.

“Edhe pse mizorinë e kësaj lufte nuk mund ta perceptojë sa e si duhet askush tjetër, përveç popullit ukrainas, më lejoni t’ju them, i nderuar president Zelensky, se historia jonë e afërt - kur gjysmë milioni shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehë në Shqipëri - na ndihmon të ndjejmë nga larg dhimbjen e madhe të Ukrainës”, u shpreh Rama.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës, duke vendosur sanksione kundër Rusisë, si dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG