Mungesa e konsensusit politik për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, vetëm sa e ka përforcuar ngërçin politik në Kosovë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Ata thonë se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 18 shtator, edhe një herë ka shpërfaqur faktin se sa skajshmërisht janë të betonuara qëndrimet e kundërta të partive politike, në njërën anë të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe në anën tjetër, të bllokut VLAN, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka rikujtuar situatën në Kuvendin e Kosovës, ku është parë se shumicën e votave në Kuvend e disponon blloku VLAN.
Sipas tij, për zgjidhjen e ngërçit politik, nuk ekzistojnë shumë variante, duke pasur parasysh pozicionimin e subjekteve parlamentare.
Megjithatë, sipas tij, heqja dorë e Partisë Demokratike të Kosovës për të shfrytëzuar të drejtën e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese që ta japë mandatarin për kryetar të Kuvendit nga radhët e veta, do të ishte një variant që do ta zgjidhte ngërçin politik, Por, sipas tij, kjo është gati se e pabesueshme.
“Unë nuk besoj që kjo do të jetë zgjidhja, gjithsesi, për shkak të sjelljes që ka treguar Partia Demokratike e Kosovës. Por, mbetet që tashmë, lidershipi i asaj partie, ndoshta edhe pas një seance të ardhshme, të reflektojë mbi gjendjen e krijuar dhe të shohë realitetin politik në sy dhe të përballet me këtë realitet, në formën se si rregullat kushtetuese, por edhe Rregullorja e punës së Kuvendit e kërkon”, vlerëson Doli.
Ndryshe, analisti Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kanë mbetur mekanizma legal apo mjete juridike ligjore, të cilat mund të shfrytëzohen nga Blloku VLAN për ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
“E vetmja zgjidhje, objektivisht, është që blloku ta votojë kandidatin e PDK-së, kushdo qoftë ai. Zgjidhje tjetër eventuale do të ishte tërheqja e PDK-së, gjë që nuk ka shans, sepse praktikisht, pozicionet janë të betonuara. Kështu që, vetëm nëse një marrëveshje politike mund të negociohet në një tryezë politike në mes të liderëve te presidentja e vendit, që blloku ta votojë kandidatin e PDK-së... Çdo zgjidhje tjetër është jo kushtetuese, joligjore”, konsideron Halili.
Megjithatë, analisti Doli shpreh mendimin se ekziston mundësia e tejkalimit të bllokimit për formimin e institucioneve të larta. Siç thotë ai, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka treguar se Kuvendi i Kosovës nuk mund ta ushtrojë funksionin e tij legjislativ, në qoftë se nuk e ka kryetarin dhe kryesinë.
Por, sipas tij, kjo gjykatë nuk ka përjashtuar ushtrimin e funksionit përfaqësues të Kuvendit. Doli thotë se kjo pikërisht lidhet me të drejtën e Kuvendit që të zgjedh Qeverinë.
“Në këtë kuptim, presidentja, i ka duart e lira, që duke u bazuar në funksionin jo legjislativ, por në atë përfaqësues të Kuvendit, të nominoj kandidatin e parë për kryeministër dhe në të njëjtën kohë të fillojë procedurën 60 ditëshe, brenda të cilës Kuvendi duhet të zgjedhë Qeverinë e Kosovës. Nëse Kuvendi nuk arrin që ta zgjedhë Qeverinë e Kosovës, ne e dimë që pasoja përfundimtare është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thotë ai.
Analisti Doli shton se edhe zgjedhjet mund të mos ndodhin për shkak se në votimin e fundit në Kuvend, është parë se ekziston një shumicë e nevojshme e votave për të zgjedhur një kandidat, i cili mund të rrjedhë nga blloku VLAN.
Por, analisti Matoshi, nuk e sheh si të realizueshëm këtë variant:
“Mandatarin mund ta nominojë presidentja e vendit, mirëpo Qeveria nuk mund të jetë funksionale, do të thotë, të krijohet, për shkak se nevojiten votat e shumicës parlamentare. Prandaj, nëse nuk është kryer konstituimi i Kuvendit, nuk ka kush ta votojë atë qeveri”.
Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike përjashtojnë mundësinë e nevojës së ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në Kosovë që të zgjidhë ngërçin politik, duke thënë se kjo do të ishte e dëmshme për zhvillimin e demokracisë në vend.
Sidoqoftë, pas dështimit të dytë për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina, ka paralajmëruar se seanca do të vazhdojë gjatë javës së ardhshme.