Pas dështimit të sërishëm të Kuvendit që të zgjedh kryetarin e ri, presidentja Atifete Jahjaga ka filluar realizimin e takimeve me liderët e partive parlamentare. Këto takime, është thënë se janë vetëm fillimi i serisë së konsultimeve për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e krizës rreth formimit të institucioneve.
Paraprakisht, Zyra e Presidentes në disa raste kishte përsëritur se presidentja ka luajtur dhe do të luaj rolin e faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.
"Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese do të garantojë unitetin e popullit në vend e në veçanti, në rast të rrezikimit të funksionimit të institucioneve dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi", ishte thënë në qëndrimet e kabinetit të saj.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive duke e cilësuar atë si dështim të PDK-së për të zgjedhur Kryetarin dhe për të konstituuar Kuvendin në Legjislaturën e pestë.
"Koalicioni i shumicës parlamentare konstaton se ndërprerja e Seancës nga kryesuesja, deputetja Brovina, pa e respektuar të drejtën e deputetëve të koalicionit të shumicës për fjalë, ishte jokorrekte", thuhet në komunikatën e këtij koalicioni.
Aty thuhet po ashtu se "koalicioni i shumicës parlamentare konsideron se, duke u bazuar në pikën 127 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit 2014, e ka të drejtën, mundësinë dhe zgjidhjen për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pastaj për të vijuar me formimin e Qeverisë së re".
Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që vazhdimi i seancës të ndodhë shumë shpejt.
Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar disa hapa të koalicionit pas zgjedhor, edhe pse nuk ka qartësuar se për çfarë hapash bëhet fjalë.
Menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së Arsim Bajramit në postin e kryetarit të Kuvendit, kryesuesja Flora Brovina e ka ndërprerë seancën deri në momentin kur ajo do t'i ftojë deputetët të vazhdojnë këtë seancë të filluar që nga 17 korriku.