Ndërlidhjet

PDK dhe blloku nuk lëvizin nga pozicionet


Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish që të zgjedh kryetarin. Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të kryesuar nga deputetja më e vjetër, Flora Brovina, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka nominuar para deputetëve, Arsim Bajramin e PDK-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

Mirëpo, votimi solli si rezultat vetëm 44 vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme. Me këtë rast, deputetja Flora Brovina prezantoi rezultatin e votimit dhe ndërpreu seancën.

"Rezultati është ky: Për janë 44, kundër 61 dhe 11 abstenime. Kandidati nuk mori votat e mjaftueshme për t'u shpallur kryetar i Kuvendit. Andaj për shkak të votave të pamjaftueshme të kandidatit të PDK-së, e cila e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë. Deputetët do të njoftohen me shkrim për vazhdimin e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme", ka thënë Brovina.

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga PDK-ja dhe deputetja Brovina, pas dështimit të kandidatit të Partisë Demokratike nuk i është dhënë mundësia që koalicioni pas zgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje të propozojnë kandidatin e tyre.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit të partive, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Liderët e këtyre subjekteve politike kanë konsideruar se ndërprerja e seancës ishte jo korrekte.

Sipas tyre, Kuvendi është dashur të debatojë dhe në fund t'i jap të drejtën e kandidimit këtij koalicioni që të propozoj kandidatin për kryetar.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa i cili mbetet kandidat i bllokut për kryetar të Kuvendit ka thënë se seanca ka dëshmuar që PDK po e pengon konstituimin e institucioneve.

"Sot ishim dëshmitarë të asaj se PDK po mban peng konsolidimin dhe konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës meqenëse nuk e ka shumicën të cilën e ka koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje. Po ashtu u vërtetua se nuk funksionon tek ne sistemi i shitblerjes së deputetëve dhe se kemi deputetë me dinjitet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilët votojnë dhe votojnë me qëndrimet dhe vetëdijet e tyre”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës insiston që vetëm ajo ka të drejtën kushtetuese të propozoj kandidatin për kryetar pasi që përbën grupin më të madh parlamentar.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se lidershipi duhet të mblidhet dhe të gjej një zgjidhje.

"Ne i ftojmë liderët e partive politike, të gjithë, edhe të PDK-së, AAK-së, Nisma, Vetëvendosjes e tjerët, të reflektojnë përballë situatës. E para është që duhet të ulemi, duhet të diskutojmë, negociojmë e pastaj e shohim se cili është interesi në radhë të parë i vendit, e pastaj edhe subjekteve politike dhe individëve", ka thënë Kuçi.

Pavarësisht krizës rreth formimit të institucioneve, opsionin e zgjedhjeve të reja të parakohshme aktualisht po përjashtohet nga ana e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj mendon se zgjidhja duhet të gjendet në Kuvend.

"Tani ajo që ka mbetur është që të shihet se më tutje pas këtyre 100 ditëve do të vazhdojnë abuzimet dhe vonesat në Kuvendin e Kosovës. Edhe ne nuk do të rrimë duarkryq, pra koalicioni LDk, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, pra do të veprojmë që institucionet të ndërtohen sa më shpejt. Nuk bëhet fjalë për zgjedhje, por për zgjidhje në Kuvend", ka deklaruar Haradinaj.

Seanca e së mërkurës është përcjellë me vëmendje edhe nga kori diplomatik në Prishtinë.

Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff ka insistuar që zgjidhja duhet të gjendet nga partitë politike dhe e ka përjashtuar mundësinë e intervenimit të faktorit ndërkombëtar.

Ndërkaq, analistët po e shohin seancën e sotme si thellim të krizës dhe paqartësive.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politikë ka parashikuar edhe aktivizimin e presidentes në funksion të tejkalimit të kësaj gjendjeje bllokuese.

"Presidentja ka pritur që të ndodhë kjo seancë, që të ekzekutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe më pastaj, nëse nuk zgjidhen organet të intervenoj. Kjo situatë nuk është për fajin e presidentes, fajin e bartin liderët politik. Presidentja e ka pritur këtë moment të intervenojë. Nuk ka kuptim që me këto pozicione të shkohet sërish në seancë javën e ardhshme", është shprehur Rashiti.

Seanca konstituive e Kuvendit ka filluar qysh më 17 korrik. Në atë seancë, pa deputetët e PDK-së, blloku i partive të koalicionit pati zgjedhur Isa Mustafën në postin e kryetarit të Kuvendit.

Por, me kërkesë të PDK-së kjo çështje ishte adresuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit pati shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Mustafës.

Sidoqoftë, edhe seanca e sotme ka dëshmuar se PDK në njërën anë dhe blloku pas zgjedhor ën anën tjetër nuk lëvizin nga pozicionet me çka paqartësitë mund të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhje politike.

XS
SM
MD
LG