Ndërlidhjet

Mustafa pranon vendimin e Kushtetueses, pezullon postin


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Duke marrë në konsideratë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullim nga posti i kryetarit të Kuvendit, Isa Mustafa ka pezulluar të gjitha aktivitetet në cilësi të kryeparlamentarit.

Konform vendimit, Isa Mustafa “nuk do të shfrytëzojë asnjë aset të Kuvendit të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilën pezullon Vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit më 17 korrik 2014.

Me këtë vendim, obligohet Kuvendi të përmbahet nga çfarëdo veprimi deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës, i kumtuar përmes një postimi në faqen zyrtare, pason kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit.

Njëherësh, PDK ka kërkuar që të merret edhe masa e suspendimit apo pezullimit të punës së Kuvendit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, çka edhe është miratuar.

Masa e përkohshme për Mustafën dhe punën e Kuvendit do të jetë në fuqi deri në publikimin e vendimit përfundimtar, i cili sipas Kushtetueses, do ët shpallet më së largu deri më 18 shtator të vitit 2014.

Lënda rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, sipas kërkesës së deputetëve të PDK-së është duke u shqyrtuar dhe pritet që jo më larg se deri më 4 gusht, argumentet e veta për zgjedhjen e Mustafës në Gjykatë t’i deponojë edhe koalicioni LDK, AAK dhe Nisma.

Ky koalicion kishte kandiduar Mustafën për postin e kryetarit në seancën e 17 korrikut, ku Mustafa kishte marrë 65 vota, nga 83 deputetët në sallë.

Në atë seancë nuk ishin të pranishëm 37 deputetët e partisë demokratike të Kosovës, të cilët pretendonin se posti i kryetarit të Kuvendit i takonte PDK-së.

Tani mbetet që Gjykata ta thotë vendimin përfundimtar në lidhje me zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryekuvendarit para datës 18 shtator.

Masa e përkohshme e Kushtetueses është trajtuar edhe nga Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.

Në një deklaratë të përbashkët të këtyre subjekteve vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet si një masë standarde në raste të tilla.

“Koalicioni LDK AAK NISMA, respekton këtë akt të Gjykatës Kushtetuese dhe pret nga ajo që të dëshmoj profesionalizëm dhe paanshmëri në vendimin final”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, ky bllok i treshes vlerëson se vendimi i 83 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e reflekton masën dërmuese të popullit të Kosovës dhe pret që ky vullnet të njihet nga të gjitha institucionet Kushtetuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG