Ndërlidhjet

Isa Mustafa zgjidhet kryetar i Kuvendit në seancën pa PDK-në


Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Me 65 vota për, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është zgjedhur kryetar i Kuvendit gjatë një seance të mbajtur pa Partinë Demokratike të Kosovës.

Seanca ka vazhduar pasi që ajo ishte ndërprerë nga kryesuesja paraprake, Flora Brovina, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërprerja erdhi për mungesë të kuorumit, pasi që kryesuesja Brovina kishte ftuar PDK-në që të propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke mos i dhënë fillimisht këtë të drejtë koalicionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Një udhëheqje e tillë e seancës, bëri që fillimisht deputetët e partive tjera, përveç atyre të PDK-së, të largohen nga salla.

Nga ai moment, seanca ishte shpallur e ndërprerë dhe deputetët e PDK-së e kishin lëshuar Kuvendin. Por, më pas në sallë janë kthyer partitë tjera politike, përveç PDK-së.

Fillimisht, seanca e rinisur u udhëhoq nga deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, e cila i dha më pas kryesimin deputetes më të vjetër në sallë, Milka Vuletiq, nga Lista Serbe.

Ajo lexoi emrin e Isa Mustafës si kandidat të koalicionin LDK, AAK dhe Nisma dhe e hodhi në votim.

Gjatë procedurës së votimit kanë marrë pjesë 83 deputetë, prej të cilëve 65 votuan për Mustafën, kurse 18 abstenuan.

Në mungesë të marrëveshjes për koalicion, Isa Mustafa, nuk arriti t’i sigurojë votat e Vetëvendosjes. Por, në këtë post, ai u zgjodh nga votat e koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, si dhe votat e pakicave.

Menjëherë pas zgjedhjes në këtë post, Isa Mustafa premtoi se do të jetë kryeparlamentar i të gjithëve në Kuvend.

“Ju falënderoj për besimin, ashtu si keni votuar, sepse e vlerësoj çdo votë. Do të punoj në interes të krejt deputetëve edhe atyre që nuk janë në sallë. Do të punojmë për integrimin e minoriteteve, nga të cilët mora votën edhe unë edhe të gjithë nënkryetarët. Do të merrem me temat që u interesojnë qytetarëve; zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit. Partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë në përputhje me Kushtetutën”, është shprehur ndër tjera Mustafa, në fjalimin e tij të parë si kryetar i Kuvendit.

Përndryshe, seanca e së enjtes është përshkuar me shumë paqartësi. Ajo është ndërprerë disa herë dhe ka sjellë situata tejet diskutabile rreth vazhdimit.

Që nga fillimi i seancës, Partia Demokratike kishte dhënë shenja se nuk e pranon koalicionin paszgjedhor LDK, AAK dhe Nisma si grupin më të madh parlamentar.

Rrjedhimisht nga ky qëndrim, deputetët e PDK-së u ulën në rreshtin që sekretaria e Kuvendit në bazë të propozimit të Kryesisë së kaluar të Kuvendit, e kishte ndarë për grupin LDK, AAK dhe Nisma.

Në këso rrethana kur PDK-ja thirrej se ishte grupi më i madh, e po ashtu, edhe koalicioni LDK, AAK dhe Nisma, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, paralajmëroi se çështja do t’i procedohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin final.

“Partia Demokratike kërkon apo insiston që ta kemi një konsensus mes partive politike që këtë çështje kontestuese ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe ne do ta respektojmë atë. Nëse një konsensus i tillë nuk bëhet, atëherë do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kuçi.

Seanca konstituive e 17 korrikut është përcjellë me zhvillime interesante dhe shpesh mjaft diskutabile për kah interpretimi ligjor e kushtetues. Andaj, tani mbetet të shihet se a do të vlerësohet fillimisht në harmoni me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit kjo seancë bashkë me vendimet që janë marrë si në pjesën e parë, ashtu edhe në vazhdimin pas ndërprerjes.

E, në rast se do të konsiderohet i përfunduar konstituimi i Kuvendit, bashkë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni, atëherë do të mund të pasohej me hapat që do të çonin drejt formimit të qeverisë së re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG