Ndërlidhjet

Partitë politike mësyjnë Kuvendin pa marrëveshje


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës

Një ditë para seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike nuk kanë bërë asnjë hap domethënës në negociatat dhe kompromiset e domosdoshme politike për zgjedhjen e organeve të reja, fillimisht kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit dhe më pas Qeverisë së re.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës si fituese e zgjedhjeve ka hasur në një bojkot të pjesës tjetër të spektrit politik, edhe blloku i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma tash për tash kanë dështuar në arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, bëhet sipas propozimit të grupit më të madh parlamentar. Në këtë pikë, pritet që të ketë përplasje ndërmjet PDK-së, në njërën anë, dhe bllokut LDK, AAK dhe Nisma, në anën tjetër.

Kështu, edhe ana procedurale e organizimit të seancës konstitutive, duket se nuk është e përmbyllur.

Por, në këso situate kur të dyja blloqet po shkojnë në Kuvend pa një marrëveshje paraprake, është pak e pritshme që cilido prej tyre t’i sigurojë 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Kështu që, nuk përjashtohet as mundësia që seanca të thirret dhe më pas të kërkohet edhe pak kohë, qoftë për negociata të reja apo edhe për të dërguar çështjet kontestuese në Gjykatën Kushtetuese për interpretime. E çështja e parë që mund të përfundojë në Kushtetuese është ajo e grupit më të madh parlamentar.

Bazuar në propozimin për rendin e ditës që e ka bërë Kryesia e kaluar e Kuvendit, grupi më i madh parlamentar është ai i LDK-së, AAK-së dhe Nismës. Por, me këtë propozim nuk është pajtuar PDK-ja.

Edita Tahiri, e cila është zgjedhur deputete në listën e PDK-së ka thënë për mediat vendore se PDK-ja paraqet grupin më të madh dhe se në të kundërtën, kjo çështje do të dërgohet në Kushtetuese.

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër i bllokut LDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen e tij se Kuvendi do të zgjedhë Isa Mustafën, kryetar të ri të Kuvendit, sipas propozimit të këtij blloku.

Por, ai e ka pranuar që negociatat për koalicion edhe me Vetëvendosjen nuk kanë shënuar përparime.

“Shpresoj që edhe minoritetet do ta na votojnë, pasi që është në interes të tyre. Nuk shoh rrezik që të shkohet në zgjedhje të tjera të parakohshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, vetë lideri i LDK-së dhe kandidati i bllokut LDK, AAK, Nisma për kryetar të Kuvendit, Isa Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se legjislatura e re do ta zgjedhë kryekuvendarin dhe organet e reja.

“Me marrëveshjen paszgjedhore, kemi siguruar grupin më të madh parlamentar, na takon ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe do të sigurojmë votat që ta zgjedhim kryeministrin”, ka shkruar Mustafa.

Më pas tërthorazi e ka përjashtuar mundësinë që koalicioni të pranojë disa nga kushtet e Vetëvendosjes për procesin e dialogut me Serbinë dhe privatizimin, duke thënë se “dialogu i ka dhënë rezultatet e tij”, kurse “privatizimi është një proces i pakthyeshëm”.

Një përgjigje bllokut LDK, AAK dhe Nisma u ka dhënë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai ka insistuar që marrëveshja eventuale me këtë bllok duhet të jetë e shkruar.

“Ne kemi insistuar të kemi një marrëveshje të shkruar me koalicionin AAK-LDK-Nisma, sepse nuk duam që të kemi qeverisje të njëjtë me atë që kemi parë më herët. Ne besojmë se dy proceset që e kanë dëmtuar rëndë Kosovën deri më sot kanë qenë dialogu dhe privatizimi, prandaj duam që kahja e zhvillimeve të ndryshojë. Ky është momenti më i mirë për të ndryshuar kursin e dëmshëm”, ka deklaruar Kurti.

Seanca e së enjtes, më 17 korrik, është thirrur të nisë në ora 10. Pas verifikimit të mandateve dhe kumtimit të grupeve parlamentare, pika kryesore do të jetë ajo e zgjedhjes së kryetarit dhe Kryesisë së re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG