Ndërlidhjet

Thaçi: Bisedimet s’mund të shpallen të dështuara


Hashim THaçi
Hashim THaçi
Procesi i bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të shpallet ende i dështuar, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi. Këto komente, ai i bëri gjatë një konference për media, pas kthimit nga raundi i tetë i bisedimeve në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq.

Për dështimin e arritjes së marrëveshjes, Thaçi fajësoi palën serbe.

Delegacioni i Kosovës, vijoi Thaçi, ka qenë i gatshëm të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por këtë gatishmëri nuk e kishte edhe pala serbe, e cila kishte kërkuar sërish kohë shtesë për konsulta.

Ai tha se pala kosovare ka qëndrime identike me Bashkimin Evropian në këtë proces.

Marrëveshja, sipas tij, do të ishte në të mirën e fqinjësisë së mirë dhe në funksion të integrimeve evropiane. Sidoqoftë, ai nuk e shpalli ende procesin si të përmbyllur apo të dështuar.

“Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, procesin nuk mund ta shpallim si të përmbyllur apo dështuar. Shpresojmë që Serbia do të reflektojë të pranoj realitetin, e me këtë edhe marrëveshjen”, deklaroi Thaçi.

“E di se nuk janë vendime të lehta për asnjë vend dhe për asnjë lider, por secili nga ne duhet të shikojë drejt së ardhmes dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës”, tha Thaçi.

Duke u ndërlidhur me çështjet, për të cilat palët kishin dallime në negociata, Thaçi tha se Asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, siç përjashtoi mundësinë e krijimit të paralelizmave në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, fusha këto për të cilat Beogradi kishte kërkuar kompetenca të veçanta për serbët.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive apo legjislative dhe nuk do të jetë ndonjë pushtet i tretë. Të njëjtën kohë, sistemi i drejtësisë do të jetë unik, sipas ligjeve kosovare në gjithë territorin e republikës. Kosova do të ketë një sistem policor dhe nëj zinxhir komandues”, theksoi Thaçi.

Kryeministri tha, po ashtu, se do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe se do të ketë lëvizje të lirë në të gjithë territorin e Kosovës.

Isa Mustafa
Isa Mustafa
Kundër çdo lloj statusi të veçantë për veriun e Kosovës u shpreh të mërkurën edhe lideri opozitar, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se çdo zgjidhje dhe marrëveshje në negociata me Beogradin duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Unë, dhe as LDK-ja, nuk shohim asnjë arsye që një pjesë e vendit të marrë një status të veçantë, ngase do të ishte shumë vështirë që shteti të funksionojë në atë formë”, tha Mustafa.

Dialogu Prishtinë - Beogradi po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por, dallimet mes palëve janë të mëdha në lidhje me pozitën e komunitetit serb që jeton në Kosovë, sidomos atij në veri për të cilin Beogradi kërkon edhe një lloj autonomie, çka për Prishtinën mbetet kërkesë e papranueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG