Ndërlidhjet

Prishtina e gatshme për marrëveshje, pret Beogradin


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës
Prishtina zyrtare shprehet e gatshme të arrijë marrëveshje me Beogradin në takimin e 2 prillit në Bruksel, nëse ajo mbështetet në draftin e propozuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Para nisjes për në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e tetë të bisedimeve politike me delegacionin nga Beogradi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës.

Ai ka shprehur gatishmërinë e palës kosovare për të arritur marrëveshje me Beogradin në funksion të normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.

Thaçi tha se pret që edhe pala serbe nga Beogradi, të reflektojë njësoj, në të kundërtën, siç ëshët shprehur ai, Serbia do të ndëshkohet me vonesa në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja nuk mund të jetë e njëanshme. Qëndrimet e delegacionit tonë janë plotësisht në përputhshmëri, flas deri më tani, me qëndrimet e Bashkimit Evropian. Në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona. Shpresoj që Beogradi do të reflektoj dhe do të pranoj marrëveshjen dhe më pastaj të punojmë bashkërisht me faktorin ndërkombëtar për normalizimin e gjendjes në veri. Por, tek e fundit ai është territor i yni dhe ne do të punojmë maksimalisht në bazë të autoritetit tonë kushtetues e ligjor për normalizimin e gjendjes edhe në veri”, ka thënë Thaçi.

Dallimet kryesore midis palëve në bisedime kanë të bëjnë me kompetencat e një trupi që do të formohej si rezultat i këtij procesi negociues, i quajtur asociacioni i komunave serbe.

Beogradi ka kërkuar që ky trup të ketë kompetenca ekzekutive duke krijuar një pushtet të tretë me përgjegjësi në fushën e sigurisë, drejtësisë, arsimit, kulturës e shëndetësisë.

Përderisa Prishtina, ka kërkuar që ky asociacion të bazohet në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke përjashtuar çfarëdo mundësie që atij t’i jepen kompetenca ekzekutive.

Kryeministri Thaçi edhe njëherë ka përsëritur se pjesa veriore do të integrohet në kuadër të sistemit juridik kushtetues të Kosovës dhe ka përjashtuar çdo mundësi të ndonjë zgjidhje të veçantë autonome, për atë pjesë.

“Do të punohet për shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave ilegale të sigurisë. Do të punohet në mënyrë aktive për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë edhe në veri sipas ligjeve të Kosovës. E me krijimin e kushteve dhe rrethanave do të organizohen edhe zgjedhjet lokale në tri apo eventualisht katër komuna në veri dhe nga këto zgjedhje lokale do të dalin kryetarët e komunave dhe pastaj nga këta kryetar mund të formohet edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Thaçi.

Në anën tjetër, Beogradi në disa raste e ka pranuar se gjendet para një situate jo të lehtë të zgjidhjes.

Suksesi i këtyre bisedimeve për Serbinë është kushti kryesor që të fitojë apo të humbas datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Analistët politikë në Beograd e kanë cilësuar këtë si një gjendje ku Serbia do të zgjedh mes integrimeve apo izolimit.

Kurse drejtori i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Alensander Vulin u ka thënë serbëve në veri të Kosovës se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet pa pëlqimin e tyre.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që Beogradi të bëjë ndarjen e serbëve në veri dhe atyre që jetojnë në viset tjera të Kosovës, duke thënë se marrëveshja eventuale do t’i trajtoj të gjithë njësoj.

“Serbia dëshiron të bisedojë dhe arrijë marrëveshje, por çdo vendim që do të merr, do ta pyet parlamentin dhe popullin e vet para se ai të jetë përfundimtar. Çfarë marrëveshje mund të arrihet nëse ajo nuk pranohet nga serbët e Kosovës”, ka thënë Vulin.

Nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë zhvilluar shtatë raunde bisedimesh në Bruksel.

Kurse takimi i tetë, ai i 2 prillit, është paralajmëruar të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshje me të cilën jo vetëm që do të vendosej një fillim i normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve, por edhe do të krijonte një marrëveshje bazë për zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës ku Serbisë i është kërkuar t’i largojë strukturat e saj paralele.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG