Ndërlidhjet

Interesim i shtuar i Brukselit për marrëveshje


Bruksel...
Bruksel...
Vizita e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në Prishtinë e Beograd, ka qartësuar edhe më shumë qëndrimet e palëve karshi zgjidhjes së çështjeve të hapura që kanë mes tyre.

Meqenëse baronesha Ashton gjatë turneut të shkurtër caktoi muajin prill si afat për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për disa njohës të diplomacisë dhe negocimit, është shenjë se rezultat do të ketë. Por, asgjë nuk është finale përderisa negociatat po vazhdojnë.

Valon Murtezaj, profesor në Institutin e Ekonomive Shkencore dhe Menaxhmentit (IESIG) në Paris, sqaron se vizita e zonjës Ashton duhet parë si fazë e parafundit e bisedimeve mes dy vendeve, nga e cila pritet të nxirret një formulë në prag të takimit të ri ndërmjet kryeministrave, atij të Kosovës dhe të Serbisë, më 20 mars në Bruksel.

“Natyrisht, asgjë nuk ka konkrete, apo siç thuhet në negocim, asgjë nuk është e kryer derisa të jetë e kryer. Kjo është ajo faza kur përfundimisht merren edhe pozicionet e të dy palëve, dhe supozoj që pastaj në versionet e tjera të dokumentit, i ofron si tekste potenciale të marrëveshjes”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar, sqaron se kryediplomatja evropiane në Prishtinë ka arritur rezultate, me gjithë polemikat e ngritura për më shumë presion, ndaj palës kosovare dhe asaj serbe.
Konkretisht, në Prishtinë, ajo ka arritur rezultat që të marrë pozicionin e qartë të palës kosovare...

“Konkretisht, në Prishtinë, ajo ka arritur rezultat që të marrë pozicionin e qartë të palës kosovare, ndërsa në Beograd, si duket nuk ka arritur që të marrë pozicionin e qartë të palëve, sepse kemi pasur edhe deklarata kontradiktore nga presidenti, po ashtu edhe kryeministri i Serbisë. Gjithsesi, ditët në vijim do të jenë përcaktuese për tekstin, të them ashtu, final apo parafinal të marrëveshjes”, vlerëson Murtezaj.

Në Beograd, ndërkaq, e pranojnë se vetë vizita e përfaqësueses së Lartë Evropiane, është shprehje e interesimit të shtuar të Brukselit për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Boshko Jakshiq, analist i çështjeve të diplomacisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk e ka përshtypjen se gjatë vizitës së saj baronesha Ashton të ketë arritur diçka konkrete, as në Prishtinë dhe as në Beograd.

“Nëse Prishtina priste, që Catherine Ashton të vërtetojë të gjitha to që Hashim Thaçi pret, atëherë ajo publikisht këtë nuk e ka bërë. Nëse Beogradi priste që Catherine Ashton të ushtrojë presion ndaj Prishtinës, lidhur me çështjen e Bashkësisë së komunave serbe, atëherë edhe kjo ka munguar. Prandaj, mendoj se ekziston një konfuzion. Mendoj se është edhe një neglizhencë dhe se gjërat ende duhet të sqarohen nga takimi i radhës më 20 mars”, shprehet Jakshiq.


Palët drejt marrëveshjes

Mirëpo, të dy njohësit e diplomacisë, Murtezaj e Jakshiq, vlerësojnë se të dy palët po afrohen, drejt një zgjidhjeje të pajtueshme, që do t’i linte ata të deklarojnë fitore.
Sipas Boshko Jakshiqit, politikë-bërësit në Beograd për një kohë të gjatë po përgatisin opinionin e brendshëm se Serbia duhet t'i normalizojë raportet me Kosovën, në saje të integrimeve evropiane.

Ai vlerëson se të dy palët do të duhet të bëjnë lëshime e të pësojnë humbje të pozicioneve të tyre të ngurta, të cilin fakt opinionit të tyre do t’ia paraqesin si fitore, dhe nuk do të insistojnë në gjërat e vogla humbëse. Beogradi, siç shpjegon Jakshiq, do të bëjë gjithçka përpos njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, kurse lëshime të njëjta do të priten edhe nga pala kosovare.
Pra, një pushtet i përzier ekzekutiv në gjyqësor, që ky sistem të mund t’i takoj (një pjesë) edhe serbëve që jetojnë atje, por edhe që të llogaritet se është nën autoritetin qendror të Prishtinës.

“Qeveria në Prishtinë do të duhet të pranojë një nivel më të lartë të autonomisë së serbëve në veri, i cili mund të sjellë një lloj gjyqësori të përzier. Pra, një pushtet të përzier ekzekutiv në gjyqësor, që ky sistem të mund t’i takoj, një pjesë, edhe serbëve që jetojnë atje, por edhe që të llogaritet se është nën autoritetin qendror të Prishtinës”, thekson Jakshiq.

Por, sipas vlerësimeve të Valon Murtezajt, lëvizja e Prishtinës nga pozita e saj e ngurtë që të mos i japë Asociacionit të komunave serbe pushtet më të madh, sesa parashihet me Kushtetutë, mund ta rrezikojë funksionimin e saj nga brenda.

“Propozime mund të ketë, por gjithçka që do të ishte përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe përtej pakos apo dokumentit të presidentit Ahtisaari, e rrezikon shtetësinë e Kosovës që të jetë e zbatueshme në praktikë”, potencon Murtezaj.

Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë shfaqur qëndrime të kundërta sa i përket pushtetit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë. I pari refuzon t’i akordoj këtij mekanizmi pushtet ekzekutiv, ndërsa i dyti insiston që pa pushtet të tillë, nuk ka nevojë të negociohet tutje për këtë temë.

Disa ambasadorë të vendeve të Quintit (SHBA-ja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca e Italia), kanë qenë të prerë se ky trup, nuk do të ketë pushtet të atillë që bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe kundërshtojnë krijimin e pushtetit të tretë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG