Ndërlidhjet

Prishtinë: Diskutohen marrëveshjet për çështjet e hapura


Pamje nga takimi
Pamje nga takimi
Prishtina dhe Brukseli tingëllojnë pak më ndryshe në optimizmin që kanë karshi procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas vizitës së shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në Prishtinë
të enjten, dhe takimeve që zhvilloi me liderët institucional dhe politik të Kosovës, del se ende ka çështje të hapura mes Prishtinës dhe Beogradit për veriun e Kosovës.

“Ne kemi diskutuar veçanërisht për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe për domosdonë e finalizimit të diskutimeve dhe arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura, me theks të veçantë për veriun e Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundshme”, ka thënë baronesha Ashton në një deklaratë me shkrim, duke rikujtuar se do t’i raportojë Këshillit Evropian mbi marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre në muajin prill.

Përfaqësuesja e Lartë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nuk ka folur para mediave.

Kryeministri, Hashim Thaçi, tha pas takimit me Baroneshën Ashton se ishte konkludim i përbashkët që procesi i normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi, të vazhdojë në suaza të respektimit të plotë të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës, e standardeve evropiane.

Madje sipas tij, Prishtina dhe Beogradi janë pranë arritjes së një pajtimi.

“Në këtë moment jemi në një fazë të fillimit të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të gjendjes në veri,” shpjegoi Thaçi.

Shefi i qeverisë së Kosovës flet me tone optimiste sa i përket arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

“Presim që edhe Beogradi të jetë më pragmatik në qasjen e vet, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Sepse ky proces është i pakthyeshëm, do të ndodh. Serbia duhet ta njeh realitetin e Kosovës, është edhe fillimi i njohjes de jure për Republikën e Kosovës nga Serbia. Mbes me shpresë dhe optimizëm, se diçka e tillë do të ndodh,” tha Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit me baroneshën Ashton, theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje që lidhen me statusin, apo ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Në një komunikatë për media gjithashtu, presidentja e republikës citohet të ketë thënë se "duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë".

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton është takuar edhe me përfaqësuesit e subjekteve politike në vend. Në takim është ditur se nuk do të marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshton fuqishëm procesin negociator në Bruksel.

Megjithatë, në takim nuk ka marrë pjesë as Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës, Isa Mustafa, është thënë të jetë në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me baroneshën Ashton po ashtu u shpreh optimist se arritja e një marrëveshjeje Kosovë -Serbi nuk është larg.

Sipas tij, kryediplomatja evropiane nuk ka sjell asnjë kushtëzim për Prishtinën, në mënyrë që të arrihet ky synim. Por, ai tha se ka dallime në botëkuptimet rreth përgjegjësive që duhet të ketë asociacioni i komunave serbe, ndërsa nënvizoi se as këto dallime nuk janë propozime që tejkalojnë planin Ahtisaari.

“Ka pas definicione të ndryshme për tema të ndryshme, por edhe delegacioni i Kosovës, dhe të gjithë ne, po bëjmë përpjekje që për çdo temë që është e nevojshme me gjet zgjidhje, me gjet zgjidhje adekuate, por që mbesin ose që janë në kuadër të planit Ahtisaari,” shpjegoi Haradinaj.

Si ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ashtu edhe ai aktual Hashim Thaçi, porositën se nuk ka vend për shqetësim sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, dhe se konsultat me faktorin ndërkombëtar po bëhen për të analizuar definicionet se a janë ato në përputhje me ligjet e vendit, për të gjetur zgjidhjen adekuate.

Sido që të jetë, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen të mërkurën e ardhshme në Bruksel, në saje të përpjekjeve për gjetjen e një formule që do t’i kënaqte të dyja palët rreth krijimit të një mekanizmi për serbët, në komunat ku ata janë shumicë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG