Ndërlidhjet

Ashton në Prishtinë për t'u siguruar për ratifikimin e marrëveshjes


Catherine Ashton
Catherine Ashton
Autoritetet në Prishtinë presin finalizimin e procesit të dialogut politik me Serbinë, që po udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Në prag të vizitës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, në Prishtinë, kryeministri Hashim Thaçi si dhe një pjesë e opozitës janë shprehur me optimizëm për rezultate, nisur nga largimi i strukturave serbe të sigurisë nga veriu, e deri te marrëveshja për integrimin e komunave veriore dhe formimin e një asociacioni të komunave serbe.

Kryeministri Hashim Thaçi tha të mërkurën para kabinetit qeveritar se nga vizita e baroneshës Ashton pret që të përshpejtohet arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila do të kishte efekte edhe në normalizimin e gjendjes në veri, ku Beogradi, përmes strukturave paralele, pamundëson shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës.

Paralelisht, Thaçi tha se ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me ndihmësin e zëvendëssekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker, për procesin e bisedimeve që po udhëhiqet nga Brukseli.

“Do të jetë një vizitë, e cila besoj që do të mund t’i lëvizë gjërat përpara, në mënyrë që të ndodhin këto marrëveshje më herët. Por, me theks të veçantë, ne do të fokusohemi në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmave implementues".

"Unë edhe sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me zotin Reeker. Është një mbështetje e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërë procesin që po e zhvillojmë”,
u shpreh Thaçi.

Përkushtimi i Prishtinës zyrtare në bisedimet me Serbinë është që të normalizohet gjendja në veri, theksoi kryeministri Thaçi. Edhe këtë herë, ai foli për Asociacionin e komunave serbe, duke potencuar se ky organ do të funksionojë në kuadër të sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

“Do të formohet edhe një Asociacion i komunave me shumicë serbe, i cili do të ketë rregulloren e vet të punës. Në baza vullnetare mund t’i bashkëngjitet çdo komunë dhe të shkëputet, në të njëjtën kohë. Por, gjithmonë pa asnjë mandat legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë”, tha Thaçi.

Bazuar në funksionet e këtij asociacioni, të cilat kryeministri Hashim Thaçi i pati prezantuar të martën para Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se ato, si të tilla, nuk kanë karakter ekzekutiv, ndonëse prekin në rregullimin e brendshëm të Kosovës.

“Deri tani këto kompetenca nuk kanë kompetenca ekzekutive, por mos të harrojmë që kemi rrëshqitje në rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me parimet që i kemi vendosur".

"Sidoqoftë, angazhimet konkrete do të tregojnë qartë që procesi po shkon drejt përmbylljes. Nënshkrimi i marrëveshjes eventuale krijon ambient për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane për Serbinë, në njërën anë, dhe për Kosovën, në anën tjetër”,
deklaroi Haziri.

Edhe deputeti Lutfi Haziri beson që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po shkon drejt përmbylljes. Ai pret që edhe Ashton gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë do të kërkojë nga forcat politike që ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes eventuale me Beogradin në Kuvendin e Kosovës.
Vizita e saj në Prishtinë është me mision që marrëveshja eventuale të ratifikohet...

“Vizita e saj në Prishtinë është me mision që marrëveshja eventuale të ratifikohet dhe të ketë mbështetjen e deputetëve dhe të publikut, qytetarëve në Kosovë, sepse fundja ajo po takon vetëm partitë politike që i kanë dhënë mbështetje procesit, e jo ato grupe a individë që kanë qenë në kundërshtim dhe kanë bërë thirrje që procesi si i tillë të ndalet”, theksoi Haziri.

Shefja e diplomacisë Evropiane, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Prishtinë, pritet që të zhvillojë takime me udhëheqësit e institucioneve, si dhe me liderët e partive opozitare që kanë mbështetur bisedimet.

I vetmi subjekt politik që nuk ka shprehur interesim për të takuar zonjën Ashton është Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdon të kundërshtojë ashpër procesin aktual të bisedimeve Prishtinë - Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG