Ndërlidhjet

Largimi i elementeve shtetërore serbe nga Kosova


Kabineti i Kosovës
Kabineti i Kosovës
Prishtina zyrtare thotë se me Brukselin janë afër arritjes së pajtimit të Beogradit, që të shuhen të gjitha strukturat e tij ilegale dhe paralele në Kosovë, e me këtë edhe ndalimin e financimit të tyre.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, në deklarimin e tij para kabinetit, tha të mërkurën se dialogu me Beogradin po shkon drejt largimit të çdo elementi që Serbia ka në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha ministrave të vetë, se takimi i fundit me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, kishte qëllim arritjen e këtyre çështjeve konkrete.

Ajo që është jashtëzakonisht me rëndësi, është se definitivisht, jemi duke shkuar drejt arritjes së marrëveshjes me BE-në, që Serbia gjithashtu do të detyrohet të pranoj, shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave ilegale të sigurisë edhe në veri të Kosovës. Ndalimin e plotë të financimit të këtyre strukturave nga Serbia, largimin e çdo elementi Serb prezent aty, të shtetit të Serbisë”, tha ai.

Thaçi gjithashtu shpjegoi se paralelisht, me Beogradin po diskutohet edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë, adaptimi i strukturave të arsimit, shëndetësisë, dhe shërbyesve civil.

Ndërkaq, lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Veri, shefi i qeverisë tha se ky trup nuk do të ketë asnjë përgjegjësi më shumë, sesa përshkruhet në ligjet e vendit, të cilat përjashtojnë çfarëdo pushteti të tretë.

Prandaj zërat skeptikë, për Republikë Serbe, modelin e Republikës Serbe, autonomi për Serbët, status special, ndarje të Kosovës, Ahtisaari Plus, thjesht janë opinione të prezantuara në shtypin e verdhë të Beogradit, që prezantohen aty-këtu si zëra të dështuar. Gjëra të tilla, as që dikush ka ngritur në takim, as që do të tolerojmë që t’i ngritë dikush, e lërë më që do të përfshihen në marrëveshje, apo do të mund të implementohen në territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë shfaqur qëndrime të ndryshme pikërisht për mandatin që duhet ta ketë ky mekanizëm.

Beogradi po kërkon që Asociacioni i Komunave Serbe, të ketë pushtet ekzekutiv dhe që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Serbia, ndërkaq vazhdon të mohojë ekzistencën e strukturave të saja të sigurisë në veri, me argumentimin se ajo respekton Rezolutën 1244, e cila ia pamundëson këtë gjë.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, ndërkaq, tha se prania e policisë dhe spiunëve serbë në veri të Kosovës është evidentuar.

Ai pret që si rezultat i bisedimeve, disa prej këtyre forcave edhe t’i bashkohen strukturave kosovare.

Mirëpo, sipas Sadri Feratit, ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, shkrirja e strukturave ekzistuese serbe të sigurisë në veri, në ato të Kosovës, është gjë e rrezikshme.

“Ekziston rreziku që ato të deklarohen se nuk i mbështet më Beogradi, në kuptimin e strukturës organizative. Por që ato të inkorporohen pastaj në strukturat lokale. Ndërsa, do të ishte më e mira që ato totalisht të shuhen, dhe që pastaj të krijohen parakushtet”, theksoi Ferati.

Ferati sqaron se normalizimi i këtyre strukturave në veri, do të thotë edhe sigurim i qasjes së institucioneve qendrore, sipas linjave dhe zinxhirëve komandues.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se në saje të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e raporteve, Kosovën pritet ta vizitojë shumë shpejt shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.

Para se kjo të ndodhë, Thaçi do t’i drejtohet edhe Parlamentit të Kosovës, për të treguar se çka ka folur me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq.

Takimi i tyre i radhës do të mbahet më 20 mars.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG