Ndërlidhjet

Rezultati nga takimi Thaçi - Daçiq, ishte i pritur


Prishtinë
Prishtinë
Përfundimi i raundit të tetë pa ndonjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut mes këtyre dy vendeve, nga qytetarët Kosovës, shqiptarë dhe serbë, është parë dhe po komentohet në mënyra të ndryshme.

Shumica prej tyre thonë se ka qenë i pritshëm ky rezultat, duke pasur parasysh hendekun që i ndan qëndrimet e të dyja palëve lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave serbe, ku pala serbe ka këmbëngulur në kompetencat ekzekutive për këtë asociacion, ndërkohë që një gjë të tillë, po ashtu, me këmbëngulje, e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Rrahman Krasniqi, nga Prishtina, thotë se pala kosovare e ka përkrahjen e plotë nga qytetarët e saj, për moslëshimin pe në takimin e fundit në Brukseli:

“Aty ka bërë mirë kryeministri ynë, që ka thënë se ‘përtej asaj, jo’. Por, nuk është dashur fare të hyhet këtu. I kemi kufijtë tanë të përcaktuar dhe s’ka nevojë që të bisedohet për diçka tjetër, sepse edhe nëse arrihet marrëveshja, përsëri do të kërkojnë diçka tjetër. Sot u jep diçka, nesër kërkojnë diçka tjetër, sepse nuk e mbajnë fjalën. Ata nuk ngopen edhe po t’ua falësh krejt Kosovën dhe pastaj thonë, po e marrim edhe një pjesë të Shqipërisë”.

Mendim të ngjashëm ka edhe Jusuf Prelvukaj, i cili thotë se esenca e dialogut ka qenë sigurimi i paqes dhe stabilitetit ndërmjet dy vendeve dhe rajonit, por kërkesa e Serbisë, sipas tij, për të marrë kompetenca për Asociacionin e komunave serbe, ka qenë e papranueshme.

“Serbia duhet të lëshojë pe, sepse e kontrollon veriun, por veriu është pjesë e Kosovës. Hashim Thaçi është duke e zbatuar Kushtetutën e Kosovës, kështu që e ka përkrahjen nga popullata. Besoj që do të arrihet marrëveshja, për shkak se Serbia është në gjendje jashtëzakonisht të vështirë ekonomike. Serbinë, pa e mbështetur për muri, nuk i realizon marrëveshjet. Unë besoj se (në të ardhmen) do të realizohet 100 për qind kjo marrëveshje. Do ta shohim që së shpejti, javën tjetër ose brenda 10 ditësh do të ketë takim përsëri”, shprehet Prelvukaj.

Edhe Hava Mziu vlerëson se qëndrimi i kryeministrit Thaçi në takimin e fundit me palën serbe në Brukseli, ka qenë i drejtë:

“Dihet se dikur do të arrihet një marrëveshje, por përderisa Serbia kërkon që veriu i Kosovës të jetë nën protektoratin e saj, besoj që është mirë që Hashim Thaçi e ka marrë atë vendimin e duhur që të mos japë kompetenca ose autonomi, që tash së fundi po i kërkojnë. Besoj që Hashimi ka vepruar ashtu siç duhet, për të mirën e Kosovës”.

Por, ndryshe mendon Fatmir Bekqeli. Ai thotë se kryeministri i Kosovës, Thaçi, nuk është dashur fare të hyjë në bisedime me Serbinë.

“Ku mund të arrihet marrëveshja atje (në Brukseli) kur Hashim Thaçi nuk është marrë vesh me këta brenda, as me partitë opozitare e me askënd fare?! Po vendos kokë më vete. Ka nisur që të bisedojë ‘nga bishti’ e jo prej kokës, që nënkupton se bisedimet, si po shkojnë, nuk janë në rregull”.

“Së pari duhet të mos bisedohet fare me serbët pa e hequr ata Kosovën prej Kushtetutës së Serbisë. Pala serbe këtë nuk e pranon dhe derisa ata e kanë në Kushtetutë, ndërkaq, tanët nuk insistojnë që të hiqet prej Kushtetutës së Serbisë (Kosova) dhe më pas të bisedohet, këta po lejojnë të hyjnë në punët e brendshme të Kosovës, se çfarë organizimi me ju dhënë serbëve”, thotë Bekqeli.

Ndërkaq, Naim Avdiu, beson se prapa gjithë kësaj çështjeje, fshihen zhvillime, që janë, sipas tij, konspirative.

“Sa i përket kësaj se nuk kanë mundur që të arrijnë një marrëveshje, këtë më shumë do ta quaja si një kamuflazh, sepse të gjitha marrëveshjet janë kryer dhe janë nënshkruar. Por, një ditë do të dalin në tavolinë, mirëpo për shkak të opinionit, reagimit të palës serbe dhe palës shqiptare, nuk duan tash për tash që t’i nxjerrin në shesh. Do të thotë, është vetëm çështje kohe, sepse këto gjëra do të dalin”, thekson Avdiu.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të veriut të Kosovës, vlerësojnë se pala e Beogradit ka pasur të drejtë që të këmbëngulë për kompetencat ekzekutive për Asociacionin e komunave serbe.

Dejan Jovanoviq, thotë se serbët që jetojnë në veri të Kosovës, nuk mund të bëjnë asgjë pa Beogradin:

“Pa marrëveshje me Beogradin ne nuk mund të bëjmë asgjë. Unë mendoj se kjo megjithatë është një lloj loje. Tash, se çfarë do të dalë nga e gjithë kjo, do të shohim. Por, duke pasur parasysh që ne jemi të lidhur me Serbinë dhe Beogradin, nuk mund të bëjmë asgjë pa ta”.

Por, Zharko Dimitrijeviq, shpreh mendimin se ajo që ka ndodhur në Bruksel është vetëm një lojë, sepse gjërat, sipas tij, tashmë janë të përcaktuara.

“Të më falni, por e gjithë kjo është një tallje me Serbinë dhe poshtërim i saj, sepse nuk do të ketë asgjë nga e gjithë kjo. Ata nuk po ndërmarrin asgjë ndaj Prishtinës, por vetëm po shikojnë që ta bindin Serbinë që ajo të pranojë. Gënjejnë të gjithë. Amerika i ka nënvizuar gjërat dhe kjo do të ndodhë vetëm ashtu”, thotë Dimitrijeviq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG