Ndërlidhjet

Nuk fitoi askush?!


Përmbyllja pa marrëveshje e takimit të dy prillit ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në Prishtinë shihet me pasoja, si për vendosjen e normalitetit në pjesën veriore, ashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në pozicionet e palëve në bisedime, pakkush më në Prishtinë pret që të ketë ndonjë kthesë në këto negociata. Insistimi i palës serbe që në Kosovë të krijohet pushteti i nivelit të tretë, që do të nënkuptonte një autonomi për pjesën veriore, konsiderohet si i papranueshëm.

Pozicioni serb në negociata ishte që të kthente prapa procesin duke synuar një ri-rregullim të gjithë sistemit kushtetues në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes, Atifete Jahjaga.

Mosarritja e marrëveshjes, shton Tahiri, ndikon në vazhdimin e status quo-s në veri, si dhe e bën të vështirë integrimin e serbëve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në atë pjesë.

“Është me problem shtrirja e pushtetit me mjete ligjore e juridike në atë pjesë të vendit (veri). Thjesht, mbetet gjendja çfarë ka qenë. Por, s’kemi fituar askush nga procesi i bisedimeve dhe as agjenda evropiane, mirëpo as qytetarët e Kosovës dhe as rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vazhdon status quo-ja, por me një shije të keqe, sepse bisedimet për ta tejkaluar këtë status-quo, kanë dështuar”, vlerëson Tahiri.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, shprehet i rezervuar në lidhje me epilogun e takimit të 2 prillit në Bruksel. Ai thotë se nuk ka çfarë t’i shtojë asaj që e ka thënë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, në lidhje me këtë proces.

“T’u japim pak kohë kryeministrave që të kthehen nëpër vendet tyre dhe të diskutojnë me njerëzit se çfarë ndodhi në takim dhe më pas mund ta diskutojmë se si të ecim tutje”, shprehet Zhbogar.

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian ishte vendosur në top-agjendën e procesit të integrimit evropian për të dyja vendet. Me mosarritjen e marrëveshjes, si pasojë, Serbia mund të humbë apo shtyjë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim ën BE, përderisa Kosova nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Nga takimi i 2 prillit në Bruksel...
Nga takimi i 2 prillit në Bruksel...
Por, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, shprehet optimist se Kosova nuk do të ndëshkohet në këtë rast.

“Data 15 prill është përmendur gjithmonë si datë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë. Besoj shumë që Kosova nuk do të preket nga nënshkrimi apo mosnënshkrimi i marrëveshjes dhe do të marrë rekomandimin dhe do të hyj në negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që përfshinë edhe dialogun mbi liberalizimin e vizave më vonë si proces i ndarë, por i rëndësishëm, në mënyrë që të mos mbetemi peng të sjelljeve të Serbisë”, thotë Haziri.

Për analistin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, gjasat që të shpëtohet ky dialog janë të vogla. Dallimet mes palëve janë thelbësore, thotë ai dhe nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje në një afat të shkurtë kohor.

“Zonja Ashton sigurisht ndihet e dëshpëruar dhe gjasat që të kemi një vazhdim serioz të dialogut janë të pakta. Me siguri që dikush nga faktori ndërkombëtar do të bëjë edhe një tentativë, por ajo do të jetë e fundit dhe testi i fundit. Prandaj, perspektiva e një marrëveshjeje është shumë e vogël, kurse dallimet janë shumë të mëdha”, thekson Rashiti.

Sidoqoftë, Naim Rashiti thotë se është mirë që dialogu të mos shpallet i vdekur, në mënyrë që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe të synohet që në një fazë tjetër të rihapen bisedimet.

“Rreziku është që nëse dialogu politik shpallet i vdekur, i mbyllur dhe pasuksesshëm, rrezikon edhe marrëveshjet e dialogut teknik dhe rrezikon sigurinë”, vlerëson Rashiti.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i zhvilluar në nivel të kryeministrave dhe me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, kishte si qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG