Me çfarë kompetencash udhëheq dialogun Thaçi?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i prijë nivelit politik në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në Bruksel, konfirmojnë zyrtarë të Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se udhëheqja e presidentit me politikën e jashtme, në kuadër të së cilës hyn edhe dialogu me Serbinë, është obligim që buron nga Kushtetuta e vendit dhe ligjet në fuqi.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë është një çështje e politikës së jashtme, me të cilën presidenti është duke u marrë në vazhdimësi gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Çollaku.

Lidhur me legjitimitetin e përfaqësimit të Kosovës në dialogun politik me Serbinë nga presidenti i vendit, pikëpyetje ka ngritur deputetja e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ditë më parë ajo ka theksuar se presidenti Thaçi është duke udhëhequr procesin e dialogut pa qenë i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Fatkeqësisht, presidenti Thaçi, deri tani negocion pa qenë i mandatuar që ta udhëheqë këtë proces. Së pari, presidenti nuk ka mekanizma zbatues për të zbatuar marrëveshjet e arritura. Në anën tjetër, që është edhe më e rëndësishme për Kuvendin si organ legjislativ, nuk ka mekanizma kushtetues për të mbikëqyrur punën apo edhe dështimet e presidentit në këtë aspekt, në qoftë se ai e udhëheqë këtë proces”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, Memli Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit në pushtet, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk e quan të domosdoshëm fare dhënien e mandatit nga Kuvendi për presidentin e Kosovës për udhëheqjen e procesit të dialogut me Serbinë.

“Unë mendoj që është absurde të thuhet se presidentit duhet t’i japë Kuvendi mandat, për diçka që mandatin ia jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne, si PDK, mendojmë që Kuvendi duhet të jetë i përfshirë në procesin e dialogut përmes një informimi të rregullt të organeve të tij, për sa i përket rrjedhës së bisedimeve, si dhe për sa u përket temave që diskutohen dhe po ashtu për çështjet që Kosova duhet t’i prezantojë atje. Por, në këtë kuadër, ne presim që të ketë një gatishmëri edhe nga partnerët tjerë, qofshin në pushtet apo në opozitë”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, Çollaku thekson se në rast se ka ndonjë kërkesë nga grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, që në ndonjë formë mund të jetë plotësuese sa i përket rolit dhe mandatit që do të mund t’i jepte presidentit të Kosovës lidhur me udhëheqjen e tij të procesit të dialogut me Serbinë, do të ishte e mirëseardhur.

“Kështu që, unë i ftoj grupet parlamentare që, nëse ato e shohin të domosdoshme, të nxjerrin një rezolutë, e cila sqaron në njëfarë forme, kornizën brenda së cilës do të vazhdohet dialogu i ardhshëm në nivelin më të lartë politik. Por, siç e thash, në çfarëdo rrethane, këtij procesi do t’i prijë presidenti i Republikës së Kosovës”, u shpreh Çollaku.

Sidoqoftë, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar mundësinë e një takimi të dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Alekasandar Vuçiq, gjatë muajit mars. Megjithatë, një ftesë për një takim të tillë ende nuk ka arritur në Zyrën e Presidencës së Kosovës.