Ndërlidhjet

Hidhërimi i presidentit Thaçi me BE-në


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mban një kurs mjaft të ashpër të retorikës politike karshi qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në veçanti ndaj kushtëzimit të liberalizimit të vizave dhe proceseve integruese.

Këto ditë, Thaçi ka kritikuar Komisionin Evropian, duke e cilësuar si të padrejtë vendosjen e kushtit të ratifikimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas tij, një qasje e tillë e Brukselit, ndikon në luhatjen e besimit që qytetarët e Kosovës e kanë në Komisionin Evropian.

Për këto deklarata, por edhe kritikat e vazhdueshme të presidentit Thaçi drejtuar BE-së, analistët politikë në Prishtinë kanë mendime të ndryshme.

Analisti Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës "Koha Ditore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presidenti në këtë formë, duke kritikuar, po përpiqet të shmangë përgjegjësinë që kishte dhe ka për qytetarët lidhur me liberalizmin e vizave, apo edhe çështje tjera.

"Ato [deklaratat] duken qartë sikur një përpjekje e zotit Thaçi për t'i shpërlarë duart nga përgjegjësitë që i ka pasur vetë në arritjen e marrëveshjeve, pikërisht me Bashkimin Evropian me pajtimin rreth kushteve për liberalizim të vizave. Mos të harrojmë se demarkacioni si kusht është inkorporuar në listën e kushteve me pajtimin e Qeverisë, në të cilin Thaçi ka qenë fillimisht kryeministër dhe me vonë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Mendoj se kjo është e padrejtë dhe e pajustifikueshme që në këtë mënyrë të përpiqet të shmangë përgjegjësinë", thotë Bajrami.

Bajrami thotë se në kohën kur i janë vënë Kosovës kushtet për liberalizimin e vizave, të cilat nuk kanë ekzistuar për shtetet tjera, ishte ngritur zëri nga shoqëria civile, por jo edhe nga Thaçi dhe zyrtarët tjerë të institucioneve.

"Aso kohe nuk e kemi dëgjuar as zotin Thaçi, e as të tjerët që të reagojnë apo të pajtohen me ato kritika, po ata kanë pranuar kushte dhe kanë ecur përpara. Dhe, tani besoj se është paksa hipokrite kjo mënyrë e kritikës që presidenti e bën në drejtim të Bashkimit Evropian", thekson Bajrami.

Ai shton se deklaratat kritike dhe konfrontimi me BE-në, nuk mund të sjell ndryshim të qasjes dhe politikave nga Bashkimit Evropian karshi Kosovës.

"Mund të ndodhë vetëm e kundërta, sepse BE-ja nuk i ka vendosur në mënyrë të njëanshme këto kushte. Një qasje e tillë konfrontuese vetëm sa do t'i irritojë, të them ashtu, raporte jo vetëm të zotit Thaçi apo Presidencës me BE-në, po të gjitha institucioneve të Kosovës më BE-në", vlerëson Bajrami.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Komisioni Evropian është i fokusuar vetëm në Serbi dhe është i shqetësuar vetëm për Serbinë, por jo edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“BE-së i duhet lidership kur janë në pyetje politikat e integrimit dhe të zgjerimit”, kishte thënë Thaçi.

Ndërkohë, analisti dhe kryeredaktori i të përditshmes “Epoka e Re”, Muhamet Mavraj, pajtohet që Bashkimi Evropian po tregon standarde të dyfishta kur është fjala për Kosovën dhe rrugën e saj integruese.

"Ju po i shihini qëndrimet e Bashkimit Evropian me shtetet tjera, sidomos me shtetet fqinje, dhe në këtë rast në mënyrë speciale me Serbinë, dhe po e shihni zvarritjen që i bëhet Kosovës përmes kritereve të vazhdueshme, dhe në veçanti me këto kriteret e fundit për demarkacionin, si kusht për liberalizmin e vizave”, thotë Mavraj.

Mavraj nënvizon se me kritikat që është duke i bërë presidenti Thaçi, Kosova nuk humb asgjë, e as nuk mund të fitojë, por siç thekson ai, çështja e liberalizmit të vizave duhet të ri-mendohet.

"Pra, unë mendoj se asgjë nuk humb Kosova me kritikat që i bën Thaçi, por e di që as nuk fiton shumë. Kritikat e tilla nuk janë të vonuara dhe as nuk sjellin dëme, po gjithashtu mendoj se përsëritja e tyre e vazhdueshme dhe mosmarrja parasysh nga Bashkimi Evropian, neve na bën joserioz", shprehet Mavraj.

Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Lëvizjet e qytetarëve të Kosovës nëpër vendet e BE-së iu nënshtrohen procedurave të gjata dhe të vështira të marrjes së vizave. Përderisa edhe perspektiva integruese e Kosovës në BE, mbetet ende e paqartë, ngaqë pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

Analistët politikë dhe njohësit e integrimeve evropian kanë pohuar se Brukseli e ka lënë anash Kosovën, duke i dhënë përparësi të dukshme integrimit të Serbisë, çka ka ndikuar me rritje frustrimesh në Kosovë.

Sidoqoftë, presidenti Thaçi është shprehur i bindur se perspektiva evropiane e Kosovës është e qartë, por ka kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian që ta shohin Kosovën me syrin e suksesit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG