Kosova dhe Serbia do të takohen më datë 26 shkurt për vazhdimin e negociatave për çështje teknike, mirëpo nuk dihet se kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka ende një datë saktë se kur do të nisë dialogu politik. Ai thotë se Kosova për një kohë të gjatë ka kërkuar që dialogu të ketë një dinamikë e përmbajte tjetër.
"Kosova është shprehur e gatshme dhe ka kërkuar zyrtarisht që gati dy vjet që dialogut t’i jepet një dinamikë tjetër dhe të kthehet në një proces të mirëfilltë për një marrëveshje kornizë për marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe pajtim", tha Arifaj.
Avni Arifi, kryesues i delegacionit të Kosovës për nivelit teknik të bisedimeve tha për Radion Evropa e Lirë se në takimin e radhës do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të cilat nuk kanë nisur të zbatohen.
Arifi theksoi se përparimi në dialogun teknik do të krijojë mundësi për të kaluar në fazën tjetër të dialogut.
"Faza tjetër është njohja reciproke", tha Arifi.
Bisedimet e parapara teknike për datën 16 janar, ishin shtyrë për një datë të pacaktuar, pasi pala Serbe u tërhoq pasi pikërisht atë ditë në Mitrovicën Veriore u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë janë arritur një numër i konsiderueshme i marrëveshjeve, por disa nga to ende nuk janë zbatuar.
Analisti politik Imer Mushkolja, tha se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritur në dialogun teknik është e palogjikshme që të kalohet në faza tjera të bisedimeve, sidomos atyre politike.
"Është e domosdoshme që para çdo hapi tjetër, drejt fillimit të bisedimeve për marrëveshje finale, fillimisht të përfundojnë një herë e mirë marrëveshjet tashmë të arritura. Përndryshe, ky dialogu teknik do të vazhdojë në pafundësi", tha Mushkolaj.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.