Me Strategjinë e re të zgjerimit, Komisioni Evropian u ka vënë kusht të pashmangshëm Kosovës dhe Serbisë, arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve, në mënyrë që të dyja shtetet të ecin drejt proceseve integruese.
Një marrëveshje e tillë, është parashikuar të arrihet gjatë vitit 2019. Kjo fazë e dialogut, në Prishtinë po shihet si pjesa finale e negociatave, të cilat po zhvillohen në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Dialogu, zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi dhe në përgjithësi spektri politik, do të duhej të krijonin kushte të brendshme, në mënyrë që në Bruksel, Kosova të përfaqësohet fuqishme për t'i adresuar pritjet, siç janë anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë. Sipas tij, temat e politikës së jashtme nuk duhet të përdoren për ndasi të brendshme.
"Në rrafshin e dialogut Kosovës- Serbi, pikërisht ky moment do të duhej të shfrytëzohej që Kosova të dalë me një platformë e cila do të duhej ta kishte mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, rreth së cilës do të duhej të ndërtojmë konsensus të mirëfilltë politik dhe vendi të lëvizë në fazën finale të përmbylljes së dialogut me Serbinë", tha Hoxhaj.
Dialogu i Brukselit, nënvizon ai, mund ta ketë kredibilitetin e tij, atëherë kur të zbatohet edhe pjesa e pazbatuar e marrëveshjeve tashmë të arritura.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj, thekson po ashtu se besimi në këtë proces ndërtohet duke e afatizuar atë në kohë, dhe kur Bashkimi Evropian, si lehtësues i negociatave, ta bëjë të mundshme edhe zgjidhjen e problematikës së mosnjohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.
"Pa adresuar këtë problem, mendoj se dialogu është i pakuptimtë, prandaj edhe anëtarësimi në OKB, njohja e ndërsjellë dhe nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike, janë tri qëllime të cilat i ka Kosova në dialog”.
“Natyrisht që pajtimi mes popujve, bashkëpunimi ekonomik, normalizimi mes shoqërive, një dialog shoqëror mes dy popujve, do të ishin faza të tjera të rëndësishme, por bazike është që të përmbushen këto tri qëllimet e para", thotë Hoxhaj.
Bashkimi Evropian me Strategjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të këtij rajoni. Por, aty është potencuar po ashtu, se BE-ja nuk do të importojë konflikte e mosmarrëveshje brenda saj. Kështu që u ka kërkuar vendet pretenduese për integrim, që para se të shpresojnë të bëhen anëtare të BE-së, t’i zgjidhin konfliktet dhe mosmarrëveshjet.
Edhe ish- kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri vlerëson se tani dialogu duhet të hyjë në fazën përfundimtare dhe të përmbyllet me njohje reciproke ndërshtetërore. Ajo e sheh si të domosdoshme edhe zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura, që të kalohet në fazën e re të këtij procesi.
"Zgjidhja finale e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, mund të bëhet vetëm me njohjen reciproke, sepse vetëm atëherë mund të arrihet qëllimi që të mbyllet kapitulli i armiqësive dhe të fillojë një kapitull i marrëdhënieve fqinjësore, e që është një prej kushteve për integrim evropian, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë", thekson Tahiri.
Por, Edita Tahiri, shprehet e rezervuar rreth pritjeve të Brukselit, që marrëveshja finale për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet në vitin 2019. Sipas saj, në Serbi ende nuk ka gatishmëri që të pranohet realiteti i ri i krijuar në Kosovë.
"Nëse e shikojmë ketë dialog të brendshëm që po e zhvillon Serbia, ky dialog fare nuk jep shenja se Serbia dëshiron të përballet me historinë e saj. Nëse Serbia nuk është e vetëdijshme për historinë agresore në Ballkanin Perëndimor, Serbia nuk mund të jetë një palë konstruktive për arritjen e marrëveshjes në vitin 2019”, thotë Tahiri.
“Fokusi i partnerëve evropianë, por edhe amerikanë duhet të jetë që ta vetëdijësojnë Serbinë që ka bërë luftëra agresore, i ka humbur luftërat, dhe zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë vjen si rezultat i asaj që Serbia duhet të ndëshkohet për gjenocidin e bërë, siç ka ndodhur në historinë e shteteve që kanë bërë luftëra", tha Tahiri.
Sa i takon çështjes së një konsensusi të brendshme politik në Kosovë për dialogun me Serbinë, Tahiri mendon se diçka e tillë është e mundshme të arrihet.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në fund të vitit 2012, dialogu është ngritur në nivelin politik, ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve dhe në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.
Së fundmi, zyrtarët e institucioneve të larta të vendit kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre, duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.