Krahas shumë problemeve politike dhe ekonomike, Kosova edhe në vitin 2015, është përballur me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë dhe Irakut.
Rreshtimi i shqiptarëve nga Kosova përkrah organizatave të shpallura terroriste, si forcat militante të Shtetit Islamik apo edhe organizatës Al Nusra, ka vazhduar edhe në vitin 2015 gjë që ka paraqitur një shqetësim dhe problem të madh për Kosovën.
Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, janë duke zhvilluar hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj më shumë se 110 personave.
Prokuroria e Shtetit, pati deklaruar se “lidhur me statistikat për rastet e terrorizmit, 31 persona gjenden në paraburgim, 21 persona janë nën masën e arrestit shtëpiak, 37 persona në masën alternative, kurse 22 persona janë liruar nga paraburgimi ose masat tjera alternative”.
Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri në 2015, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, lidhur me këtë fenomen, ka deklaruar se mekanizmat institucionalë të Kosovës, nuk do të lejojnë që cilido grup ekstremist të sfidojë shoqërinë dhe shtetin.
Zonja Jahjaga ka kërkuar nga mekanizmat e sigurisë, por edhe të tjerët që të jenë të vëmendshëm për kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë.
Sipas saj, “përpos rrezikut konvencional, Kosova përballet edhe me kërcënimet e strukturave ekstremiste të akterëve joshtetërorë, të cilët kanë gjetur shtrirje edhe në Kosovë”.
Presidentja e Kosovës, në fjalimin e saj vjetor për vitin 2015 në Kuvendit e Kosovës, ka theksuar se “këtë vit Kosova ka qenë dëshmitarë e përpjekjeve të këtyre rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar kauzave të tyre të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak”.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, ka theksuar se në vitin 2015 është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkuar rrjeteve terroriste, kjo sipas saj, ka ndodhur falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë së institucioneve që të veprojnë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve.
“Nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale. Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi”.
“Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit fetar, duke iu ofruar më shumë mundësi, më shumë shanse në jetë, më shumë arsimim dhe më shumë perspektivë. Ne nuk do të lejojmë grupe ekstremiste të sfidojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, nuk do të lejojmë ta godasin Kushtetutën tonë dhe të lëkundin vlerat e diversitetit dhe tolerancën e harmoninë fetare, të ndërtuar me shumë mund brenda shekujve”, ka deklaruar Jahjaga në konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës.
Institucionet e Kosovës, gjatë vitin 2015, kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, konsiderojnë se në disa drejtime mekanizmat përkatës janë duke punuar dhe po zbatojnë “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se prej se kur është miratuar strategjia, janë ndërmarrë disa aktivitete.
Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme, ka shpjeguar për veprimet që po ndërmerren nga autoritetet kompetente lidhur me këtë çështje:
“Policia e Kosovës, ani pse ka rol më tepër reaktiv, është marrë me parandalim, edhe para hyrjes në fuqi të strategjisë. Policia ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Bashkësisë Islame. Ata kanë dhënë përkushtimin e tyre, kanë premtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillojnë një numër ligjëratash. Krerët e Bashkësisë Islame, kanë zhvilluar ligjërata me xhematin ku kanë folur për islamin tradicional”.
Policia e Kosovës, ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.
Kurse, zyrtarët në Bashkësinë Islame të Kosovës kanë theksuar se duke marrë parasysh që fenomeni i radikalizmit të dhunshëm fetar është bërë problem global, Bashkësia Islame e Kosovës është duke dhënë kontributin e saj në disa rrafshe.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion me kohë ka dhënë dhe po jep rekomandime për këtë çështje.
“Në këtë aspekt, mendoj se ka nevojë që të ketë një koordinim mes institucioneve tona, mes Qeverisë, mes të gjitha institucioneve relevante që të arrihet një sukses. Përndryshe, nuk do të thosha se jemi aq shumë të kënaqur me rezultatet, por besoj se një dukuri që ka qenë më shumë prezent para një viti, sot vërehet se është në rënie, falë edhe angazhimit të Bashkësisë Islame”, ka deklaruar Sadriu.
Sipas tij, në drejtim të parandalimit të disa dukurive që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, koordinimi ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve qeveritare, nuk ka qenë i duhuri.
“Nuk dua që t'ia vë fajin dikujt tjetër, por ka pasur një neglizhencë edhe nga institucionet tona në raport me Bashkësinë Islame. Ne kemi vepruar sa kemi pasur mundësi, ndërsa ajo çka nuk ka qenë në kompetencat tona, e kemi pasur të pamundur të veprojmë".
"Përmenda edhe çështjen e literaturës, këtu është shpërndarë literaturë e pakontrolluar. Nuk janë kompetencat tona, me të cilat ne mund t’i ndalojmë [këto aktivitete]”, është shprehur Sadriu duke shtuar se moszgjidhja e statusit juridik të BIK-ut, po paraqet problem edhe në këtë drejtim.
Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si i është qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Nëse e shikojmë trendin prej vitit 2012 deri në vitin 2014 dhe nëse i krahasojmë [shifrat] me vitin 2015, atëherë vërehet një rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë si luftëtarë të huaj kryesisht në Siri dhe Irak".
"Si shoqëri civile, Qeveria dhe mediet në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen pak më shumë se ata persona që marrin pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut, i shkaktojnë më shumë dëme komunitetit mysliman në Siri e Irak, e shumë pak mund t’i ndihmojnë”, tha Perteshi.
Autoritetet e rendit në Kosovë, ka theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.
Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtarë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, në një raport të publikuar më herët lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.