Ndërlidhjet

Zotim për zbatim të strategjisë kundër ekstremizmit


Luftëtar në Siri
Luftëtar në Siri

Strategjia Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm ka nisur të zbatohet, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Edon Myftari, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha se roli dhe synim i strategjisë është parandalimi dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm.

“Qëllimi është që të luftohet para se të mbërrij deri te ajo. Do të thotë para se të ndodhin rekrutimet e mundshme të rinisë apo një lloj pastrimi të trurit të rinisi duke i çuar në radikalizëm. Aktivitetet janë të shumta, janë pjesë e planit të punës, planit të veprimit ku secili institucione shtetëror, shoqëria civile dhe bashkësitë fetare - që kanë një rol shumë të rëndësishëm do të marrin masat e tyre”, tha Myftari.

Myftari ka sqaruar se strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, përfshin disa segmente që ndërlidhen me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Ai ka thënë se pas miratimit të strategjisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet kompetente kanë filluar të merren me të dhe kanë filluar punën në terren.

“Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme po vizitojnë komunat, po vizitojnë këshillat për siguri në bashkësi, po flasin me qytetarët dhe ata të qeverive lokale. Ministria e Arsimit po ashtu ka përgatitur aktivitete të ndryshme që janë ose do të jenë pjesë e strategjisë. Me siguri që aktivitetet do të rrinë në ditët në vazhdim”, tha Myftari.

Në hartimin e strategjisë kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Strategjia obligon klerikët fetarë të cilët mbajnë ligjërata në xhamitë e Kosovës të shpjegojnë për pasojat që mund t’i kenë ata në raste të pjesëmarrjes në luftëra e huaja.

Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi tha se detyrat që dalin nga strategjia, BIK-u do t’i realizojë.

“Thellë jam i bindur se ne atë që është paraparë si Bashkësi Islame ta zbatojmë, thellë jam i bindur se atë do ta bëjmë, madje 100% ose dhe më mirë. Secili që i ka marrë përsipër obligimet veta dhe do t’i kryejë në kohën dhe vendin e duhur”, theksoi Rexhepi.

Rexhepi tha për Radion Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës për realizimin e obligimeve të veta do të bëjë edhe trajnimin e imamëve të cilët do të trajnohen për mënyrën se si duhet të mbajnë ligjërata në xhami dhe se si duhet t’ju qasen temave të cilat i parashikon strategjia.

“Neve më shumë na takon që të merremi me çështje të cilat i takojnë edhe ashtu fushëveprimtarisë së Bashkësisë Islame, e që konsiston në mbajtjen e ligjëratave. Një ligjëratë e jona për disa minuta të shpërndahet ne 850 xhami në Kosovë. Do të organizojmë tribuna publike në ato vende ku e shohim më të arsyeshme se duhet të organizohet një tribunë e tillë”, tha Rexhepi.

Qeveria e Kosovës në javën kaluar ka miratuar “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se përmes kësaj strategjie, Kosova do të koordinojë masat për t’u përballur me kërcënimet e mundshme nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Përveç kësaj strategjie, Kosova ka miratuar ligjin, nëpërmjet të cilit sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesëmarrës nga Kosova dyshohet të kenë shkuar në luftëra të huaja Siri dhe Irak.

Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG