Ndërlidhjet

Problemi i radikalizmit nëpër komuna


Luftëtar i frontit Al-Nusra, foto arkivi
Luftëtar i frontit Al-Nusra, foto arkivi

Nga shumica e komunave të Kosovës të banuara me shumicë shqiptare, vetëm dy prej tyre thuhet se nuk janë përballur deri më tash me problemin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm -- Podujeva dhe Drenasi.

Kështu të paktën u tha gjatë një takimi që u mbajt të martën në Prishtinë, nën organizimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në të cilin ishin mbledhur kryetarët e komunave, për t'i diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Komuna që njihet nëpër media si vendi me më së shumti probleme në këtë drejtim është ajo e Kaçanikut, ndonëse kryetari i saj, Besim Ilazi, pohoi të kundërtën.

“Komuna e Kaçanikut, në fakt nga mediat, nga qarqet e caktuara, që nuk ia duan të mirën këtij vendi, është quajtur ndoshta edhe 'kryeqytet i xhihadizmit', por kjo nuk përkon me realitetin”.

“Mund të them se edhe mediat vendore i kanë kontribuuar një gjëje të tillë. Është e vërtetë që komuna e Kaçanikut në raport me numrin e banorëve ka një numër më të madh [luftëtarësh të huaj], dhe kjo për shkak të një emri që del nga komuna e Kaçanikut dhe të cilin e quajnë 'lider të xhhadizimit'".

Zoti Ilazi iu referua në këtë rast militantit famëkeq të grupit militant Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, i cili u është bashkuar radhëve të IS-it në Siri.

Ai vjen nga Kaçaniku.

Ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger tha se pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja, kryesisht në Siri dhe Irak, është një sinjal se duhet të punohet më shumë nga të gjithë...

“Ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi me qëllim që të përballemi me këto sfida në nivele të ndryshme, në nivel të qeverive, organizatave, komunave dhe rajoneve".

"Tashmë është dëshmuar se kryesisht të rinjtë nga Kosova janë të angazhuar në konflikte jashtë vendit dhe ky është një sinjal që të gjithë duhet të punojnë në parandalimin e kësaj dukurie", tha Schlumberger.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni tha se institucionet tashmë kanë vendosur standarde të larta në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Kjo nuk do të na bëjë që të qëndrojmë komod dhe të themi se e kemi mbaruar punën, sepse këtu nuk mbaron puna, këtu fillon. Ne kemi vendosur standarde të larta dhe do të vazhdojmë t’u qëndrojmë atyre standardeve të larta përmes punës dhe veprimeve konkrete. Veç aprovimit të strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit, ne kemi aprovuar po ashtu një planveprim që përshkruan detyra konkrete për secilin institucion”, tha Hyseni.

Ai tha se për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit, nuk është përgjegjëse vetëm Policia e Kosovës.

"Mund të bëjmë shumë e më shumë bashkë në parandalim. Shoqëria mund të bëjë shumë më shumë, prindi në familje, mësuesi në shkollë, përfaqësuesi i komunitetit, imami në xhami, pritfi në kishë..”, tha ministri Hyseni.

Zëvendësdrejtori në Drejtorinë Kundër Terrorizimit në Policinë e Kosovës, Luan Keka, ka ftuar kryetarët e komunave të Kosovës që të bashkëpunojnë me autoritet e rendit për parandalimin e ekstremizmit.

Zoti Keka tha se rezultatet dhe parandalimi mund të arrihen vetëm me një bashkëpunim ndërmjet autoriteteve kompetente.

“Kosova, si dhe vendet e tjera të rajonit, është duke u sfiduar me trendin e përhapjes dhe ndikimin e ideologjive ekstremiste që bazohen në jotolerancë, urrejtje ndërfetare, ndërsektare dhe ngritje kundër sistemit demokratik dhe synimeve properëndimore të Kosovës dhe ato [trende] kanë në fokus rininë e vendit”, tha Keka.

Ndryshe në një hulumtim të fundit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lidhur me sigurinë në Kosovë, thuhet se nga anketa me qytetarë shumica e të intervistuarave, kërcënim kryesor e shohin të ashtuquajturin Shteti Islamik.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG