Nevojitet strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, për ta luftuar këtë fenomen, sepse vetëm Ligji që sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, është i pamjaftueshëm, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Skënder Perteshi, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Perteshi, institucionet e Kosovës kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, si dhe janë duke hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
A janë masa të mjaftueshme këto për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë?
Skënder Perteshi: Nëse flasim për aspektin ligjor, aspektin e dokumenteve publike, të cilat kanë për qëllim parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë, unë mendoj që është e mjaftueshme. Mirëpo, këto nuk e parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm, e sidomos, ligji që e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaj në mënyrë të paautorizuar.
Ky ligj është bërë më shumë që t’u ofrojë një mundësi institucioneve të zbatimit të ligjit për t’i dënuar më shumë këta persona, se jo që e ka ndodnjë masë parandaluese për këtë. Strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm, që është hartuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, nëse zbatohet në praktikë, suksesshëm, atëherë ky do të ishte ai dokumenti final, i rëndësishëm, që kishte për t’i adresuar çështjen e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm dhe të radikalizmit në Kosovë.
Kjo strategji, në masë të madhe i parasheh të gjitha sfidat, me të cilat do të ballafaqohet shteti në parandalim dhe luftë kundër ekstremizmit. Është përparësi e saj se nuk e parasheh vetëm ekstremizmin që thirret në emër të religjionit, por edhe ekstremizmin që vjen mbi baza nacionale dhe mbi baza ideologjike.
Pra, ka qasje gjithëpërfshirëse. Po ashtu, ky dokument i jep hapësirë, jo vetëm institucioneve të sigurisë, por edhe institucioneve tjera, shoqërisë civile, qytetarëve, bashkësive fetare në Kosovë, në mënyrë që të luajnë rol sa më shumë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Këto dokumente, normalisht, janë të rëndësishme dhe ndikojnë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, mirëpo, ka shumë mungesë të masave të buta, që të zbatohen për parandalimin e ekstremizmit.
Për shembull, asnjë plan nuk është për rehabilitim, as një plan për ri-integrim dhe asnjë plan për ta ngritur mirëqenien e familjarëve të atyre, të cilët janë arrestuar ose janë vrarë në luftë.
Radio Evropa e Lirë: E keni fjalën për deradikalizim?
Skënder Perteshi: Po, për deradikalizim. Procesi i deradikalizimit nuk ka filluar dhe është thuajse në pikën zero. Jemi vetëm duke bërë masa reaguese ndaj asaj që ka ndodhur, ndërsa masa preventive, shumë pak.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Perteshi, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka iniciuar projektin, që për qëllim ka, siç është thënë, krijimin e kundër-porosive, si mjet parandalues në luftë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Çfarë nënkupton kjo?
Skënder Perteshi: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka filluar këtë projekt në mesin e muajit gusht. Qëllimi ka qenë jo vetëm në kuptimin e kundër-porosive. Ky është qëllimi ose objektivi i tretë. Objektivi i parë ka qenë marrja e opinionit të qytetarëve për rastin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm, se sa ata e shohin këtë rrezik si rrezik real, si dhe nivelin e tij.
Objektiviteti i dytë, më i rëndësishëm dhe që është zbatuar goxha suksesshëm, i këtij projekti, është sensibilizimi i qytetarëve, i të rinjve dhe nxënësve karshi temave siç është ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi, si dhe vetëdijesimi i tyre se si të mos bien pre e këtyre ekstremizmave. Ndërsa, objektivi i tretë dhe që është përgatitur një analizë, është kundër-narrativa. Ne po e dimë se çka po ndodhë, ne po e dimë se cilat janë format që propaganda e grupeve ekstremiste i rekruton të rinjtë tonë në Kosovë. Ne e kemi përgatitur narracionin ndaj atyre fenomeneve.
Ai kundër-narracion do të zbatohet, qoftë nga institucionet e shtetit, por edhe nga shoqëria civile, gjatë projekteve që do t’i kemi në vazhdim, në komunat tjera, me nivelin lokal dhe me qytetarët.
Radio Evropa e Lirë: Çka nënkupton ky kundër-narracion?
Skënder Perteshi: Kundër-narracioni nënkupton: çdo argumenti, qoftë islam, qoftë çdo argumenti të krijuar pa dashje nga shteti sekular, nga shoqëria, e që e përdorin grupet ekstremiste për t’i tërhequr njerëzit, ne duhet tu krijojmë kundër-argumente, që të tregojmë se këta e kanë gabim.
Ndërsa, rruga e duhur, mënyra e duhur për tu mos u bërë pjesë e këtyre ekstremizmave, është kjo. Nëse ata thonë që komuniteti mysliman në Kosovë është i sulmuar dhe vend ideal për qytetarë është Lindja e Mesme apo (Grupi militant) Shteti Islamik, atëherë në duhet të krijojmë një kundër-argument që “Qeveria e Kosovës ka bërë këtë punë dhe Qeveria e Kosovës e ka këtë plan për adresimin e të gjithë të drejtave të qytetarëve në Kosovë dhe se do t’i trajtojë të barabartë”.
Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni ju rolin e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në luftën për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm?
Skënder Perteshi: Kleri fetar ose komuniteti mysliman, në këtë rast në Kosovë, duhet me qenë bartësi i projekteve kundër radikalizmit, kundër ekstremizmit të dhunshëm. Arsyet për këtë ekzistojnë, sepse të gjithë këta të rinj që kanë shkuar atje (Siri dhe Irak), janë manipuluar me argumente fetare.
Këtyre të rinjve u është premtuar që ‘ju, nëse do t’i bashkoheni kësaj ideologjie, ju do të përfitoni”, për shembull: parajsë ose diçka tjetër. të gjitha këto janë mashtrime që janë bërë mbi bazë të religjionit. Në këtë rast, po ashtu, një sfidë shumë e madhe ka qenë mungesa e edukimit të mirëfilltë fetar për qytetarët që u janë bashkuar rrymave ekstreme, qoftë në Siri apo Irak. Kleri fetar duhet të ketë rol shumë të rëndësishëm.
Duhet të krijohet një hapësirë shumë më e madhe në medie për ta, sepse është nevoja që ta kuptojnë qytetarët islamin e vërtetë. Është nevoja që ta kuptojnë qytetarët islamin në mënyrën e duhur, që të dinë ta gjykojnë çdo rrymë ose çdo ideologji ekstremiste që ofrohet atyre.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, është thënë se në mesin e, siç thuhet, rreth 300 qytetarëve të Kosovës që i janë bashkangjitur luftërave të huaja, në Siri dhe Irak, nuk ka të tillë që janë nxënës apo studentë që studiojnë islamin në institucionet arsimore nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës. Si e shihni ju këtë situatë?
Skënder Perteshi: Shumica e qytetarëve që i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak, si dhe shumica e atyre që janë vrarë në këtë luftë, nëse e shikojmë historikun e tyre, nuk e kanë të kaluarën shumë të mirë. Po ashtu, nuk e kanë të kaluarën tradicionale, të gjatë, të aplikimit të fesë. Do të thotë, këta, në mungesë të perspektivës, në mungesë të alternativave tjera i janë mveshur fesë, i janë mveshur besimit.
Mirëpo, i kanë hyrë atij besimi shumë shpejtë dhe drejtpërdrejtë i kanë marrë gjërat në mënyrë jo të drejtë dhe jo të duhur, sepse librat religjioz, sidomos ata islam, është shumë problem që t’i kuptosh nëse nuk ke një bazë ose një përgatitje të mirë edukative.
Normalisht, sa më shumë që e njeh islamin, aq më pak bëhesh pjesë e rrymave ekstreme dhe sa më shumë që ke njohuri rreth fesë aq më shumë je rezistues ndaj rrymave ekstremiste në Kosovë.
Nga Bashkësia Islame dhe gjithë imamët në Kosovë, kërkohet që me anëtarësitë e tyre të bisedojnë për t’i vetëdijesuar sa më shumë, karshi rrymave ekstreme. Të mos lejojnë që brenda tyre, brenda xhematit, të diskutohen temat apo rrymat ekstremiste.
Nëse diçka veprojnë, vërejnë ose identifikojnë, urgjentisht duhet t’i lajmërojnë institucionet e zbatimit të ligjit, t’i lajmërohen institucionet e shtetit. Po ashtu, edhe ata, personalisht, duhet të reagojnë ndaj tyre, që të parandalohet infiltrimi ose përhapja e ideologjisë ekstremiste tek xhemati apo tek anëtarësia e tyre.
Radio Evropa e Lirë: E kanë bërë deri më tash këtë?
Skënder Perteshi: E kanë bërë. Ka hapësirë për Bashkësinë Islame të Kosovës që të reformohet. Ka hapësirë për Bashkësinë Islame të Kosovës që ta rrisë ndikimin në reformimin e vet që ta parandalojë këtë fenomen, mirëpo, si BIK-u, si imamët, ne nuk i shohim, por ata punojnë në këtë drejtim.
Kanë bërë ligjërata me anëtarët e tyre, me xhematin e tyre, për temat që kanë qëllim parandalimin e ekstremizmit, mirëpo kërkohet një koordinim edhe nga institucionet e Bashkësisë Islame të Kosovës, po ashtu edhe nga mediet, për një koordinim sa më të madh të aktiviteteve, me qëllim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.