Ndërlidhjet

Bajgora: BIK-u ka kontrollin mbi imamët e vet


Sabri Bajgora
Sabri Bajgora

Në Kosovë veprojnë shumë shërbime inteligjente që ndikojnë në spastrimin e trurit të të rinjve të Kosovës, për t’i dërguar të luftojnë në Siri, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora.

Radio Evropa e Lirë: Kryeimam Bajgora, duke pasur parasysh faktin se në mesin e personave që janë nën hetime, për shkak të dyshimeve për përfshirje në aktivitete terroriste, ka edhe imamë që dyshohet se kanë nxitur radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve në Lindjen e Mesme. A e ka shtuar Bashkësia Islame e Kosovës (BIK-u) kontrollin mbi imamët e saj?

Sabri Bajgora: Është e vërtetë se vitin e kaluar ka pasur një valë arrestimesh të disa teologëve dhe imamëve, për gjoja përfshirjen në aktet kriminale, për terrorizëm. Mirëpo, mund të them se, tash, pas një viti nga ajo kohë që ka kaluar, shumica e imamëve janë liruar.

Sigurisht që hetimet nga ana e prokurorisë vazhdojnë, por ata mbrohen, për momentin, në liri. Ne, si Bashkësi Islame e Kosovës, qysh në fillim jemi pozicionuar shumë qartë, se nëse ka shkas për ndjekjen e tyre apo të çdokujt që përpiqet ta cenojë integritetin dhe sigurinë në Kosovë, pavarësisht nëse është imam ose jo, ndaj tyre duhet të merren masa përkatëse.

Mirëpo, gjithmonë, bazuar në fakte relevante, por jo vetëm supozime që mund të ndodhë të mbeten vetëm supozime. Është e vërtetë që Bashkësia Islame e Kosovës ka shtuar kontrollin - jo censurë, por një kontroll - duke mbajtur mbledhje me imamët, tash e një vit, disa herë, duke i këshilluar që të rrinë sa më larg këtyre rrymave apo ndikimeve që mund t’i kenë nga qarqet e caktuara, duke marrë parasysh që në Kosovë veprojnë lirshëm shumë segmente të sigurimeve të ndryshme inteligjente, që ndoshta ne edhe nuk i dimë dhe njerëzit apo të rinjtë tanë lehtë mund të bien pre e këtyre spekulimeve, këtyre nxitjeve.

Andaj i kemi porositur edhe imamët tonë që të jenë shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm, që në xhematin e tyre të reflektojnë pozitivitet dhe t’ia bëjnë me dije se Kosova është atdheu ynë dhe ne nuk kemi atdhe tjetër rezervë apo nuk kemi tjetër vend ku ne duhet të fokusohemi. Por, pikë parësore e aktiviteteve tona duhet të jetë mirëqenia e popullatës sonë dhe natyrisht edhe prosperiteti i Kosovës në integrimet euroatlantike.

Radio Evropa e Lirë: Kryeimam Bajgora, deri më tash, rreth 150 deri 200 pjesëmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak. Llogaritet që Kosova ka numrin më të madh të pjesëmarrësve në luftëra të huaja nga Evropa, për kokë banori. Cilët mendoni se janë shkaktarët që nxisin këtë pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës.

Sabri Bajgora: Vërtetë është për keqardhje që Kosova të renditet në mesin e këtyre shteteve që kanë numër të madh të luftëtarëve në Siri, duke pasur faktin se ne si Bashkësi Islame, qysh në fillim të krizës, do të thotë, në fillim të shkuarjes së njerëzve në Siri për këtë qëllim, jemi pozicionuar që lufta në Siri nuk ka të bëjë me xhihad dhe lufta e Sirisë nuk është luftë e jona, por është një luftë që ata duhet ta zgjidhin vet, është një luftë qytetare. Aty tash nuk dihet kush kundër kujt lufton, sepse tash luftojnë të gjithë kundër të gjithëve...

Radio Evropa e Lirë: A është kjo xhihad, në kuptimin negativ?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se ky është xhihad në kuptimin negativ, sepse xhihadi më i madh është që ne të përkujdesemi për vendin tonë, duke u bazuar në thënien e profetit tonë (Muhamedi a.s.), i cili kthehej nga ekspeditat luftarake e thoshte ‘po kthemi nga xhihadi i vogël ne xhihadin e madh’.

Do të thotë xhihadi i madh është ndërtimi i shtetit, te lufta me vetveten, me egot, me pasionet, epshet etj. Prandaj, nisur nga ky fakt, ne i kemi porositur të rinjtë tanë se nuk ka nevojë askush që të derdh gjak në Siri, por ne duhet të derdhim djersë për ta ndërtuar vendin tonë, Kosovën. E thash edhe më herët, që në Kosovë veprojnë lirshëm shumë shërbime inteligjente, të cilat, në një formë, ndikojnë që ta pastrojnë trurin e të rinjve tanë, duke u premtuar atyre ndonjë pasuri që të shkojnë në Siri apo duk u pretenduar se atje po bëhet vërtetë fetare, e shenjtë.

Sigurisht që të rinjtë tanë, duke qenë tash edhe pjesë e një rrjeti global të rrjeteve sociale, të medieve, të Facebook-ut, të Youtubes, etj. nga pak ata ndikohen edhe nga këto rrjete. Ka dalë edhe një konstatim edhe nga shërbimet tona të sigurisë që një rol shumë negativ, në këtë rast, kanë edhe rrjetet sociale, për të nxitur të rinjtë tanë që të shkojnë në Siri. Ndërkohë që imamët janë përpjekur vazhdimisht që ta ruajnë një rol unifikues dhe ta tërheqin vërejtjen që të mos shkohet në Siri të luftohet kot së koti.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më herët që ka shërbime të inteligjencës, sekrete, të huaja. Sipas jush, kush janë dhe si po i mashtrojnë të rinjtë që t’i bashkohen grupit militant Shteti Islamik? A keni informacione?

Sabri Bajgora: Nuk kemi informacione të sakta, por ka indikacione. Ka indikacione që shumica e të rinjve tanë që e marrin rrugën për Siri, në mënyra të ndryshme klandestine, kanë rënë pre e këtyre shërbimeve inteligjente që veprojnë në dëm të Kosovës. Unë nuk mund ta them me saktësi, por diçka ka në këtë mes, sepse disa të rinjë mendjelehtë, shumë lehtë po përcaktohen që të udhëtojnë nëpër atë rrugë të ferrit, që për mua është një rrugë pa kthim, është një biletë njëdrejtimëshe.

Aty, është vështirë ta imagjinosh që një i ri që ka shkuar atje, të kthehet menjëherë. Jam i bindur që shumica e të rinjve tanë që kanë shkuar për herët të parë, kur janë ballafaquar me realitetin, ata me shumë kënaqësi do të kthehesh prapa, sepse e kanë parë që ata janë të huaj në një vend dhe ajo nuk është luftë e tyre. Mirëpo, fatkeqësisht, siç po ndodh në të shumtën e rasteve, kthim prapa më nuk ka.

Prandaj, edhe një herë e shfrytëzoj rastin që përmes mediumit tuaj, tu bëj thirrje të rinjve tanë, që të mos marrin për asnjë çmim atë rrugë, sepse me këtë nuk e kryejnë asnjë obligim fetar, nëse shkojnë. Përkundrazi, i bëjnë dëm vetvetes, i bëjnë dëm kauzës tonë kombëtare, por edhe asaj fetare.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur mjaft akuza të drejtuara në adresë të BIK-ut, duke thënë se BIK-u i ka “mbyllur sytë” përballë këtij fenomeni, që në fille. Cili është mendimi juaj?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se këto akuza janë të paqëndrueshme. Bashkësia Islame e Kosovës, si një institucion shumë me rëndësi, me një interes të veçantë i ka përcaktuar objektivat e veta qysh moti, qysh para luftës. Ndërkohë, pas luftës, vazhdimisht është po kjo Bashkësi islame që ka tërhequr vërejtjen drejt institucioneve tona që të jenë më të vëmendshme ndaj shoqatave të huaja që po veprojnë në Kosovë.

Për këtë kemi me dhjetëra shkresa drejtuar institucioneve të Kosovës, duke u tërhequr vërejtjen që të mos u lënë hapsirë shoqatave humanitare që të veprojnë edhe në mënyrë fetare. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur, ndoshta me një bekim të fshehur edhe të institucioneve të Kosovës, qoftë të përkohshme , qoftë zyrtare.

Dhe ne, tash jemi para një situate të tillë, që duhet të merremi me pasojat e jo me shkaqet, qysh ka qenë ndoshta puna në fillim. Prandaj, në këtë drejtim, unë mendoj se çdo akuzë ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, është një rëndim ndaj kësaj bashkësie, sepse ne veprojmë tash e 15 apo 16 vjetë pa asnjë status zyrtar. Veprojmë as si Organizatë Joqeveritare e as si institucion zyrtar. Mirëpo, megjithatë kemi arritur ta ruajmë atë bërthamen e Bashkësisë Islame të Kosovës të paprekur, edhe pse diku - diku ndonjë teolog, ndonjë imam, ka pasur ndonjë lëshim.

Mirëpo gjithmonë jemi munduar ta bëjmë punën tonë ashtu siç duhet. Normalisht, në këtë aspekt, Bashkësia Islame, në kohët e fundit është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet qeveritare që merren me çështjen e sigurisë së vendit. Në këtë drejtim, është duke u bërë një punë goxha e mirë, sepse në kuadër të Komisionit republikan për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit, ne e kemi përfaqësuesin e Bashkësisë Islame, brenda këtij komisioni, i cili përcjellë aktivitetet dhe po ashtu, jemi pjesë e Strategjisë kombëtare për parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit fetar në Kosovë.

Mendoj se me ndihmën e të gjithë neve, bashkërisht, do t’ia dalim që ta mbrojmë popullin e Kosovës, aq më parë kur dihet se në këto troje, për shekuj, ka mbretëruar një frymë tolerante, një dashuri dhe një respekt i ndërsjellë, ndërmjet feve në Kosovë.

Andaj, mendoj se një klimë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kosova është një vend i vogël. Kosova nuk e duron dot fjalën terrorizëm e as ekstremizmin, sepse jemi një popull paqësor. Kështu na kanë mësuar të parët tanë dhe kështu shpresojmë të vazhdojmë edhe ne, në të ardhmen. Nuk ka të ardhme Kosova nëse zhytemi në ekstremizëm të çfarëdo lloji qoftë.

Radio Evropa e Lirë: Por, megjithatë, sa mendoni se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se me një bashkëpunim të mirëfilltë të institucioneve të Kosovës, ne mund të parandalojmë akte terroriste apo një valë të dhunshme të ekstremizmit. Normalisht që nuk mund të them me saktësi se mund ta evitojmë çdo moment, mirëpo, duhet të jemi shumë syçelë, të vëmendshëm, që të rinjtë tanë të mos i brumosim me ndjenja të tilla që të mund të marrin ndonjë akt të tillë.

Përndryshe, kërcënimet që na vijnë herë pas here nga jashtë, se në Kosovë do të bëhet, ato janë kërcënime, me të cilat ballafaqohet çdo shtet me to. Mirëpo, mendoj që është detyrë e organeve tona të sigurisë që me kohë të hetohen dhe të parandalojnë çdo akt të mundshëm, i cili mund ta destabilizojë Kosovën në vitet në vazhdim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG