Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe ambasadori britanik, Ian Clif, deklaruan se Kosova, nuk është në një krizë institucionale, edhe pse që nga data 8 qershor, kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, Kosova ende nuk i ka institucionet e reja.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se gjendja aktuale politike, në të cilën gjendet Kosova, nuk ka nevojë për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në Kosovë.
“Kemi një proces demokratik dhe nuk shoh ndonjë krizë. Gjithçka është një proces demokratik dhe keni pasur zgjedhje shumë të mira. Patëm disa pyetje në gjykatë, që është demokratike edhe për vendet e tjera. Le të shohim se çka do të ndodhë në javën e ardhshme. Ne nuk interferojmë, ata (politikanë) nuk kanë nevojë për ndërhyrjen tonë, ne nuk duam të interferojmë dhe nuk mendoj se Kosova ka nevojë për ndërhyrjen tonë”, ka thënë Zhbogar.
Ai ka theksuar se për të ardhmen e Kosovës, nevojitet një zgjidhje e drejtë që të ketë një Qeveri dhe Parlament dhe të shkohet tutje.
“Ka shumë punë për t’u bërë dhe le të shkohet përpara”, ka shtuar Zhbogar.
Edhe ambasadori britanik, Jan Klif, tha se deri me tash nuk sheh ndonjë krizë sa i takon formimit të institucioneve.
Ai, deklaroi se duhet të mbështetur Gjykatën Kushtetuese dhe se vendimet e institucioneve të pavarura duhet të respektohen.
“Mendoj se do të ishte shumë e dëmshme nëse i kontestojmë vendimet e Kushtetueses. Ne e kemi mbështetur punën e Gjykatës edhe në të kaluarën edhe në aspektin teknik. Natyrisht, ka të atillë që e kritikojnë punë e Gjykatës, sepse nuk e pëlqejnë atë zgjidhje, por është një proces normal”, ka deklaruar Cliff.
Ambasadori Clif ka thënë, po ashtu, se komuniteti ndërkombëtar nuk do të ndërhyjë në formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Ne në Britani natyrisht e mbështesim pavarësinë e Kosovës, ne mbështesim integritetin territorial të Kosovës, po nuk është puna jonë që të zgjedhim se kush duhet të jetë kryeministër, kush do të jetë ministër i Ambientit, këto janë gjëra për politikanët e Kosovës”, është shprehur ambasadori Clif, duke shtuar se këtë proces janë duke e përcjellë nga afër.
Zhbogar dhe Cliff i bënë këto komente derisa bashkë me presidenten Atifete Jahjaga janë nisur me tren nga Prishtina në Pejë, në aktivitetet për shënimin e manifestimit “Ditët e Trashëgimisë Kulturore”.
Ndryshe, presidentja Atifete Jahjaga të shtunën, edhe pse është pyetur nga gazetarët për një përgjigje lidhur me gjendjen aktuale politike, ajo nuk është përgjigjur.
Mirëpo, gjatë javës që po lëmë pas, Jahjaga kishte thënë se: “Krijimi shpejt i institucioneve tona, do të garantojë funksionim demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë tonë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë tonë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një shtet të përparuar, të përgjegjshëm dhe të respektuar si dhe pjesë të familjes euroatlantike”.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej më 12 shtator, është shtyrë për të enjten e ardhshme, me datën 18 shtator.
Ky vendim pasoi takimin që kryesuesja e seancës Flora Brovina zhvilloi me partitë politike, ku morën pjesë vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet pakicë.
Brovina pati njoftuar se takimi është thirrur për shkak të kërkesës urgjente të Listës Serbe, për t’u shtyrë seanca konstituive, e paralajmëruar për 12 shtator.