Ndërlidhjet

Blloku nuk e di se çfarë ndodhi me listën “Srpska”


Logot e partive të "bllokut"
Logot e partive të "bllokut"

Liderët e koalicionit pas-zgjedhor të partive, LDK, AAK dhe Nisma e kanë cilësuar si të papranueshëm dhe skandaloz vendimin për shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

I nominuari i bllokut të koalicionit për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së ka thënë se secila parti që ka shqetësime mund t’i paraqesë ato edhe në seancë, andaj sipas tij nuk kishte nevojë për shtyrje.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje, duke thënë se pengesa kryesore për mos formimin e institucioneve mbetet Partia Demokratike e Kosovës.

“Është vlerësim i yni që është veprim skandaloz i kryesueses dhe është shërbim i radhës që i bën partisë së saj, PDK-së. Pra është veprim skandaloz dhe i pakuptimtë. E vetmja gjë që është pengesë në këtë rrugë është partia – PDK e cila nuk arrin t’i krijojë institucionet sepse askush nuk dëshiron t’i ndërtojë institucionet me të”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i nominuari nga ky koalicion për kryetar të Kuvendit ka thënë se kryesuesja Brovina me ftesat e saj për takim me partitë politike me qëllim të shtyrjes së seancës i ka tejkaluar kompetencat që i ka.

Mustafa ka thënë po ashtu se blloku i partive të koalicionit i ka votat dhe së bashku do t’i formojnë institucionet e reja pavarësisht zvarritjeve.

“Unë besoj që ne e kemi shumicën e votave dhe kjo është me rëndësi për ne. Lista Serbe dhe të tjerët natyrisht që do të vendosin për votat e tyre, por në çdo situatë ne kemi shumicën në parlament dhe në një sistem parlamentar duhet ta dinë të gjithë se vendos shumica”, ka theksuar Mustafa.

Duke e komentuar pozicionin e Listës Serbe se në raport me Vetëvendosjen dhe parimet e nënshkruara nga partitë e koalicionit, ku mes tjerash përmendet edhe rishikimi i dialogut me Serbinë dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Mustafa ka thënë se në takimin e bllokut me këtë subjekt politik liderët serbë nuk kishin shprehur shqetësime.

“Është e vërtetë se ne në një bisedë që e kemi pasur me përfaqësuesit e Listës Serbe, para marrëveshjes, i kemi njoftuar ata me marrëveshjen dhe ata e kanë mirëpritur dhe kanë thënë se është më mirë që Vetëvendosja të jetë brenda dhe kanë shprehur gatishmërinë të bashkëpunojnë. Se çfarë ka ndodhur ndërkohë unë s'mund të them, por ne natyrisht që do të bisedojmë me listën”, ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje që së fundit i është bashkuar koalicionit LDK, AAK dhe Nisma, vazhdon të shpreh besimin se ky bllok i partive do t'i formojë dhe udhëheqë institucionet e dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje ka thënë se minoritet janë kategori kushtetuese, kështu që edhe Lista Serbe do të përfaqësohen në institucione, por se sipas tij, nuk do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Përfshirja e minoritetit serb, në me këtë rast listës Serbe, dhe minoriteteve tjera është e garantuar me Kushtetutë por nuk do të ketë koalicion me listën Serbe, por do të ketë hapësirë ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës që ata të përfaqësohen në institucione e në këtë rast në qeveri”, ka theksuar Molliqaj.

Seanca konstituive me pikën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit ishte planifikuar për të premten më 12 shtator.

Mirëpo me kërkesë të Listës Serbe kjo seancë është shtyrë për 18 shtator, si vendim që kishte dalë në një takim që kryesuesja e seancës Flora Brovina kishte thirrur me partitë parlamentare, ku nuk kanë marrë pjesë partitë e bllokut të koalicionit të gjerë.

Në arsyetimin e saj, Lista Serbe kishte thënë se përfshirja e Vetëvendosjes në koalicion paraqet një moment të ri politik, sidomos në lidhje me parimet e saj ku kërkohej që të rishikoheshin marrëveshjet dhe dialogu i Brukselit, kërkesa këto të papranueshme për subjektin më të madh përfaqësues të serbëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG