Peticioni “Drejtësi për gratë e dhunuara” mbledh 115 mijë nënshkrime

Ilustrim

Peticioni me moton “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”, është përmbyllur me nënshkrimin e 115 mijë e 759 qytetarëve të Kosovës.

Nënshkrimet janë mbledhur në 29 komuna të Kosovës.

Udhëheqësja e Bordit drejtues që ka organizuar peticionin, Edita Tahiri, ka theksuar se ky peticion u bë zëri i Kosovës, që tregon se gjatë luftës në vend, ka pasur shkallë të lartë të, siç e ka quajtur ajo, gjenocidit.

“Kosova sot foli edhe përmes peticioni. U bë zëri i vërtetë i kësaj kategorie të grave, të cilat pësuan më së shumti gjatë luftës sonë për liri dhe pavarësi dhe mesazhi ynë për to është që lufta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe pavarësi, ka qenë gjithnjë një golgotë shqiptare me shumë sakrifica deri në ato më sublimet. Ka pasur edhe fenomene të shkallës së lartë të gjenocidit, siç ka qenë edhe dhunimi i grave”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka shtuar se peticioni do të dërgohet te Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ku do të kërkohet një raport zyrtarë lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë

“Ne jemi në bisedime me përfaqësuesit e lartë të OKB-së, për të parë agjendën e tyre. Orientimisht shtatori, na është thënë se është koha që ata mund të na pranojnë. Natyrisht, ne kërkojmë të takojmë Ban Ki-moon dhe zonjën (Zainab Hawa) Bambura, e cila është përfaqësuese e lartë e OKB-së, pikërisht për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftërave. Kërkojmë që të bëhet një raport zyrtar për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë, gjatë luftës, në raport me gratë, dhe në veçanti për dhunimin e grave si instrument lufte”, ka shpjeguar ajo.

Tahiri, gjithashtu, ka kërkuar bashkëpunim nga viktimat e kësaj kategorie, si dhe mbështetjen e viktimave nga shoqëria dhe shteti, në mënyrë që raporti eventual nga Kombet e Bashkuara të jetë sa më i saktë.

“Ato (duhet) të jenë bashkëpunuese, sepse sa më shumë që bashkëpunojnë ato dhe sa më shumë që familjet e tyre, shoqëria dhe shteti i mbështetë ato, raporti del më i saktë. Kur del raporti i saktë, fuqia jonë për të kërkuar një gjykatë të veçantë për Serbinë, për çështjen e dhunimit të grave gjatë luftës, do të jetë me gjasa më të mëdha”, është shprehur Tahiri.

Në anën tjetër, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbledhja e nënshkrimeve në peticionin, me të cilin kërkohet drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një numër që vlerësohet të jetë i lartë, sipas saj, është ndër hapat e parë të njohjes së vuajtjes së viktimave të dhunimit gjatë luftës.

“Ndoshta edhe është hapi i parë për një njohje të vuajtjeve dhe pasojat e viktimave të dhunimit gjatë luftës, e më pastaj, ndoshta, te drejtësia ndërkombëtare të kërkohet qasje e plotë, për faktin që deri më tani, prej vitit 1999, vetëm dy persona janë gjykuar për krime të natyrës së dhunimit gjatë luftës”.

“Ndërsa personat tjerë - flitet për 20 mijë të dhunuara - kryerësit e veprave, janë të lirë dhe ata bëjnë jetë normale. Kështu që, mbase edhe shoqëria kosovare ka ardhur deri në atë nivel të ndërgjegjes që të paktën, vetëm 15 vjet pas luftës, këtyre grave t’u vihet drejtësia në vend dhe të kërkohet drejtësi ndërkombëtare”, ka thënë Rushiti.

Ajo, gjithashtu, ka shtuar se thirrja, të cilën Tahiri ua ka bërë viktimave të dhunimit që të jenë më bashkëpunuese, është një mesazh inkurajues për to.

Por, sipas saj, bazuar në përvojën e trajtimit të këtyre viktimave, proceset e dëshmisë dhe përfshirjes së viktimave në proceset gjyqësore, është proces shumë i dhimbshëm.

Është stigmatizues dhe shumë herë është ritraumatizues për vetë viktimat. Prandaj, pavarësisht inkurajimeve, duhet të krijohen mekanizma shtesë për t’i përkrahur viktimat që të kenë qasje në drejtësi”, ka theksuar ajo.

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, sipas Rushitit, duhet të përkrahen që nga procesi i informacionit, dhënia e dëshmisë e deri në përfundim të procesit eventual gjyqësor.

Ndryshe, Edita Tahiri ka bërë të ditur se tashmë kanë dërguar një dokument në Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë, ku në kuadër të këtij dialogu, do të trajtohet edhe çështja e grave që janë viktima të dhunimit seksual gjatë luftës.