Ndërlidhjet

Beteja kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet e Kosovës nuk mund ta ndryshojnë të kaluarën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por është i domosodoshëm angazhimi i të gjitha institucioneve për të ndalur stigmatizimin e tyre, ka thënë sot presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ky Këshill është themeluar me datën 7 mars të këtij viti.

Presidentja tha se “ka ardhur koha e përballjes me këtë kapitull të hidhur të historisë, duke thyer tabutë dhe heshtjen që ka mbizotëruar për kaq kohë”.

Ajo tha gjithashtu se vetëdijësimi institucional për obligimin ligjor ndaj kësaj kategorie të viktimave civile të luftës erdhi me miratimin e një ligji, në të cilin është përfshirë edhe kjo kategori e shoqërisë.

“Është mëse e nevojshme që ky proces të udhëhiqet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur, duke reflektuar në çdo etapë të saj, zotimin tonë të përbashkët, për përgjigje institucionale e shoqërore në bazë të veçorive dhe nevojave që ka kjo kategori e shoqërisë”,
tha Jahjaga.

Presidentja tha se “Kosova është pjesë e hartimit të dokumenteve ndërkombëtare që për synim kanë dokumentimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të kryesve të veprave kriminale të dhunës seksuale gjatë luftës".

“Ne tashmë jemi pjesë e një ndër nismave globale më eminente që synojnë eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, nën udhëhehqjen e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, ku ne japim kontributin e drejtpërdrejtë në hartimin e Protokollit Ndërkombëtar”, u shpreh Jahjaga, duke njoftuar se brenda pak javësh, në Samitin Global të kësaj nisme që mbahet në Londër, edhe Kosova do të ndajë përvojën dhe përpjekjet e shoqërisë për ta ndihmuar këtë kategori.

Kurse, ministrja në largim e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se dhuna seksuale në luftë është një nga temat me të ndjeshme për shoqërinë kosovare të pas luftës.

Çitaku, theksoi se kjo çështje, jo që është heshtur deri tash, por për më keq, siç tha ajo, kjo kategori e shoqërisë është stigmatizuar.

“Qofshin 20 mijë, qofshin më pak apo më shumë, të mbijetuarat e dhunimeve seksuale të luftës, me trajtimin që u ka bërë bashkërisht familja, shoqëria dhe institucionet janë ndjerë dy herë viktima, dy herë të dhunuar”, tha Çitaku.

Çitaku tha se të gjitha ato gra, "të lodhura nga stigmatizimi, braktisja, me barrën dhe peshën e dhimbjes nga përjetimet e tmerrshme, me në fund kanë gjetur forcë që të denoncojnë dhe të rrëfejë historitë e tyre rrëqethëse".

“Unë kam takuar shumë gra me histori shumë tronditëse; ato asnjëherë nuk e kanë marrë veten plotësisht dhe ajo që u ka ndodhur, ka bërë që ato të ndryshojnë një herë e përgjithmonë. Është detyrë e jona, si institucione dhe shoqëri, që t'ua rikthejmë dinjitetin dhe t'u japim vendin në institucione dhe shoqëri”, tha Çitaku.

Edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kërkoi përkrahje nga Këshilli dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Të mos harrojmë se disa nga këto gra nuk janë gjallë sot, disa nga këto gra ndoshta nuk do të jenë në gjendje kurrë që ta dokumentojnë dhunën e kaluar. Për disa nga këto gra është i harruar ky fenomen dhe është një pakt shoqëror në familje i atillë që as nuk duhet ta marrin guximin ndonjëherë në jetë që t’i qasen institucioneve, apo edhe shoqërisë civile për të kërkuar të drejtat e tyre”, deklaroi Rushiti.

Përfaqësuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë, thanë se deri më tash, gjatë hulumtimeve lidhur me krimet e dhunës seksuale gjatë luftës kanë identifikuar 70 lokacione, ku janë kryer dhunimet.

Ismet Salihu, nga ky Institut tha se identitifikimi i të gjitha lokacioneve dhe numri i viktimave të këtij krimi kurrë nuk do të dihet saktësisht.

Në shkurt të këtij viti, Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka bërë një raport për dhunimin e grave gjatë konflikteve të ndryshme në botë.

Në këtë raport janë përfshirë 21 vende nga Evropa, Azia , Afrika, Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, por në të nuk është përfshirë Kosova.

Për shkak të mos përfshirjes se Kosovës në ketë raport, është krijuar një bord drejtues që për synim ka organizimin e një peticioni, “Kërkojmë Drejtësi Ndërkombëtare për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës së fundit në Kosovë”, i cili do t'i dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me synimin për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për këto viktima.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG