Ndërlidhjet

Viktimat e dhunuara të luftës, pa pension fiks


Ilustrim
Ilustrim
Viktimat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, janë lënë në mëshirën e vullnetit të Qeverisë për të mësuar se sa do ta kenë pensionin mujor, thotë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albana Gashi, e cila ishte iniciuese e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për statusin e viktimave civile të luftës.

Ky projekt-ligj u miratua të enjten në Parlament shumicë votash, ndërsa me të është krijuar edhe mbrojtja ligjore për viktimat e abuzuara seksualisht gjatë periudhës së 27 shkurtit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999.

Por, ndryshe nga versioni që kishte dërguar në seancë për miratim, projekt-ligji i votuar është ndryshuar paraprakisht.

Në variantin origjinal, deputetja Gashi thotë Radion Evropa e Lirë, se personat e dhunuar gjatë luftës, do të merrnin nga 300 euro në muaj, ndërsa pas dërgimit në Kuvend, ky projekt-ligj është amendamentuar, dhe tani nuk dihet se sa do të jetë shuma e pensionit për këtë kategori të shoqërisë.

“Ne e kemi gjetur këtë mesatare, 300 euro, duke pasur parasysh problemet e përhershme shëndetësore që i kanë këta persona. Edhe komisioni funksional ka propozuar që të hiqet, të fshihet prej shtojcës propozimi ynë. E kanë bërë, që Qeveria, me një vendim, ta përcaktojë pensionin, lartësinë e pensionit”, thotë Gashi.

Avokatë të të drejtave të njeriut dhe aktiviste të të drejtave të grave, vlerësojnë se pavarësimi financiar i femrave dhe meshkujve të dhunuar gjatë luftës, është esencial për rehabilitimin e kësaj kategorie të stigmatizuar të shoqërisë.

Përfshirja e këtij grupi në projektligjin që rregullon statusin e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës dhe familjeve të tyre, kishte hasur në vështirësi që në fillim, kur është hapur debati në fillim të vitit të kaluar.

Më vonë, kjo nismë, ishte politizuar aq shumë sa që u bënë grupet politike për dhe kundër kësaj kauze.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albana Gashi, konsideron se mospërcaktimi i pensionit për personat e dhunuar, nuk është lajm i mirë.

“Nuk ka shumë fikse, por varet prej Qeverisë se sa dëshiron ajo ta bëjë lartësinë e pensionit [për viktimat e dhunimit]. Kështu që kjo është e keqe, sepse për shembull, te personat e verbër, ka ndodh që qeveria e ka caktuar shumën prej 100 euro. Pra, personi i verbër i merr 100 euro si pension, për efekt verbërie. Edhe ne kemi dashur që ta evitojmë këtë, ne e kemi saktësuar 300 euro, për të mos ia lënë Qeverisë të vendosë. Por, kështu ka ndodhur”, shpjegon Gashi.

Ndryshimet e tjera në projekt-ligj përfshijnë edhe mbrojtjen e të dhënave personave të viktimave të dhunuara gjatë luftës dhe përbërja e Komisionit qeveritar, i cili do të vlerësojë një nga një rastet që do të paraqiten si viktima të këtij grupi shoqëror.

Në anën tjetër, edhe pse ligjërisht u rregullua statusi i personave të dhunuar gjatë luftës, kjo kategori e shoqërisë nuk do t’i gëzojë beneficionet e veçanta, siç i gëzojnë viktimat e tjera civile të luftës.

Në projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjarët e tyre, “personat e dhunuar gjatë luftës” përjashtohen nga gjashtë privilegje që u caktohen grupeve të tjera.

Sipas Ligjit nr. 04/L-054 Neni 6 saktëson beneficionet e veçanta, ndërsa të abuzuarit seksualisht gjatë luftës nuk gëzojnë “shtesa për përkujdesje dhe ndihmë nga personi tjetër”, nuk janë të liruar nga tatimi dhe reduktimi i harxhimeve të rrymës, nuk e kanë stazhin e dyfishtë, nuk kanë përparësi për regjistrim dhe pranim në institucionet arsimore publike, nuk lirohen nga pagesat për universitet, dhe nuk iu paguhen shpenzimet e varrimit.

Të gjitha detajet saktësohen te pika 10 e Nenit 6, i cili përjashton të dhunuarit e luftës, nga paragrafi 1, si dhe paragrafi 2, 5, 7, 8, 9 të këtij neni, e ku janë të përcaktuara beneficionet e veçanta.
XS
SM
MD
LG