Ndërlidhjet

Viktimat e dhunimit, të lëna në harresë!?


Ilustrim
Ilustrim
Nocioni se vetëm ata që kanë luftuar dhe ndihmuar luftën, janë viktima civile të luftës, dhe se ata që pësuan dhunë seksuale gjatë kësaj periudhe duhet dalluar, ka bërë që disa deputete të ndiejnë një barrë morale, përse tradhtuan kauzën e kësaj kategorie të luftës.

Një vit më parë, ishte polemizuar ashpër për temën e abuzimit seksual gjatë luftës, pasi kjo kategori është përfshirë në atë të viktimave civile të luftës, që mbrohen me statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mirëpo, të enjten mbrëma, projekt-ligji për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u miratua në lexim të parë, kurse çështjen e viktimave të dhunuara, s’e zuri kush në gojë.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këtu s’ka gjë të keqe, pse është bërë kjo ndarje në aspektin ligjor.

“Realisht, gratë e dhunuara gjatë luftës, do të jenë në Ligjin për viktimat e luftës, dhe jo në Ligjin për veteranët [e luftës së UÇK-së]. Pas një debati që ka ndodhur në Parlament, është konsideruar që këto dy kategori duhet të ndahen, dhe gratë e dhunuara gjatë luftës do të jenë në Ligjin për viktimat civile”, thotë Kadaj -Bujupi.

Ajo vlerëson se Ligji për viktimat civile është i vonuar dhe ende nuk është sjell për miratim në Kuvend “sepse 15 vjet pas lufte, të njëjtat veçse është dashur që të gëzojnë të drejtat për rehabilitim, të kenë një përkrahje nga shteti, dhe tashmë kjo [gjë] të ishte një kapitull i mbyllur.

Mendoj se nisma e tanishme është vonë, por nganjëherë më mirë vonë se kurrë”.
Sipas Kadaj- Bujupit, ndarja e kategorive të luftës, nuk është se çon peshë.

“Nuk ka ndonjë rëndësi, do të thotë, ndarja e ligjit. Ligji për veteranët bën fjalë për njerëzit, të cilët në front kanë bërë luftën, do të thotë kanë bërë luftë çlirimtare. Ndërkaq, Ligji për civilët, Ligji për viktimat civile të luftës, nënkupton të gjithë ata civilë dhe të vrarë, të cilët janë vrarë ose torturuar në forma të ndryshme, e deri te dhunimi”, konsideron ajo.

Por, ndryshe mendon kolegia e saj deputete Vjollca Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila thotë se nga aspekti moral, kjo është tejet e gabueshme.

“Në Kuvendin tonë, është debatuar më herët edhe për gratë e dhunuara dhe ato ende nuk janë pjesë e këtyre mbështetjeve që po u bëhen strukturave të tjera, siç janë veteranët, të burgosurit politikë dhe invalidët e luftës”.

“Moralisht nuk kemi të drejtë të mos i përfshijmë këto viktima civile të luftës në ligje, ashtu siç i kemi përfshirë të gjitha këto kategori që i përmenda”
, thotë Rexhepi.

Sipas deputetet Rexhepi, partia e saj ka mbështetur edhe kompensimin në çfarëdo forme të kësaj kategorie të luftës.

Ajo, fajin për këtë ndarje të viktimave, ia hedh Qeverisë, për të cilën thotë se nuk e ka parë të arsyeshme që gratë e dhunuara t’i fusë në një ombrellë ligjore dhe t’u ofrojë mbështetje.

Por, një bashkëpartiak dhe koleg i saj deputet, Armend Zemaj, fajin për këtë gjë ua lë vetë deputetëve, e jo ekskluzivisht vetëm Qeverisë.

Zemaj rrëfen se gjatë debatit të para një viti, shumë deputetë kishin dhënë vërejtjet e tyre për ndarjen e këtyre dy ligjeve, por se e gjitha duket se është lënë në harresë.

“Në këtë ligj, e kemi theksuar [atëbotë], por kanë qenë më shumë të meta, e disa kanë qenë përmbajtjesore. Ndërsa, kjo çështje jo me vullnetin e deputetëve ka mbetur [jashtë], apo ta them, është anashkaluar. Por mendoj që komisioni funksional duhet ta ketë parasysh, kategorizimin”, thotë ai.

Kërkesa për përfshirjen e grave të dhunuara në të njëjtin ligj, që rregullon statusin e veteranëve të UÇK-së dhe viktimave civile gjatë luftës, përveç polemikave mes partive të krahut të luftës dhe të tjerëve, i ka kushtuar gati me jetë një aktiviste për të drejtat e grave.

Nazlie Bala, ishte rrahur në mars të vitit të kaluar, para derës së shtëpisë së saj, një javë pasi ishte kërcënuar se do të merrte plumb në kokë, nëse nuk e tërheq kërkesën e saj.

Një vit më vonë, gjatë debatit të së enjtes në Kuvend, deputetët miratuan projektligjin e veteranëve të UÇK-së.

Kur pyetet Zemaj se a u harruan viktimat e dhunuara, thotë se ajo që ndodhi s’u bë si duhet.

“Unë mendoj që është e padrejtë që ka ndodhur, domethënë që nuk është diskutuar ajo pjesë [për gratë e dhunuara], për shkak të natyrës, specifikave, dhe temave që kanë qenë. Konkretisht më shumë për rreth definicionit të veteranit, apo strukturës përbërëse. Por, kjo duhet të jetë parasysh në komisionin funksional, dhe nuk duhet të anashkalohet”, është përgjigjur Armend Zemaj.

Si rastet më të prekura gjatë luftës në Kosovë, përfshirja e grave të dhunuara në një ligj me veteranët, ishte parë atëbotë nga disa deputetët si e pamundur meqë kategorizimi i tyre si viktima të luftës, thuhej se është i paqenë, meqë siç thuhej, “nuk janë të vrara”!

Neni 2 i Ligjit të miratuar të enjten për veteranët e UÇK-së, përcakton të drejtat dhe beneficionet për veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre, kriteret e kualifikimit për njohjen dhe realizimin e tyre si dhe procedurat administrative për realizimin e këtyre të drejtave, siç është përcaktuar në nenin 12 (paragrafi 2) të Ligjit nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Javën që shkoi, më 7 mars presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, themeloi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Me këtë rast, presidentja tha se Këshilli u themelua me dekret të veçantë me synim bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tyre për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës gjatë luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG