Ndërlidhjet

Të dhunuarat gjatë luftës duan dinjitet, e jo para


Ilustrim
Ilustrim
Polemikat e shprehura në opinion për kategorinë e grave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë, po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e kësaj kategorie të shoqërisë, e cila për 14 vjet vazhdon të mos e shijojë paqen.

Debati që subjektet politike në pozitë e opozitë kanë ngritur në Parlament, është i panevojshëm dhe nënçmues, vlerëson Igballe Rogova, e cila drejton Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës, që merret me vite të tëra me gratë e dhunuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike, si Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu edhe Lëvizjes Vetëvendosje, që të zmbrapsen nga kërkesat e tyre dhe të miratojnë ndryshimet në Ligjin për viktimat e luftës.

“Çështja e grave të dhunuara, nuk duhet të jetë debat pro et contra. Çështja e grave të dhunuara duhet të jetë për të gjithë debat PRO, sepse me këtë rast, kanë kaluar 14 vjet dhe ato akoma nuk e ndiejnë një dinjitet nga ana e Qeverisë, nga ana e shoqërisë”.

“Kërkesa ime është që të gjitha partitë politike të lëshojnë pe, ta zhveshin petkun politik, dhe t’u dilet në krah këtyre grave. Thirrja vlen për të gjithë. Për Vetëvendosjen - t'u japin hapësirë të tjerëve. Të tjerët - ta pranojnë dhe të bashkëpunojnë me këtë rast. Mjaft i kemi stigmatizuar këto gra, mjaft i kemi nënçmuar dhe duhet të ndërpritet ky debat”
, thotë Rogova.

Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerr një varg rekomandimesh për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për njohjen institucionale të statusit të viktimave të abuzimit gjatë luftës. Kjo kategori është përfshirë në atë të viktimave civile të luftës, që mbrohen me statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kundërshtuar ashpër që të abuzuarit seksualisht gjatë luftës, të përzihen dhe përfshihen në të njëjtin ligj me pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas Igballe Rogovës, ky politizim për vazhdon të nëpërkëmbë të gjitha ato gra që janë dhunuar gjatë luftës dhe shpjegon se ku e sheh problemin ajo.

“Problemi është se çështja është politizuar shumë. Domethënë, këtu në këtë rast kemi se pse Vetëvendosja e ka sjellë këtë në rend të ditës. Pse Vetëvendosja e ka marrë, me një fjalë primatin? Këtu është gjithë ajo lufta politike".

"Unë ju jap mesazh të gjitha partive politike, mos të mendojnë se kush i solli amendamentet në Parlament, por le të mendojnë se cila është mënyra më e mirë që të përkrahen dhe t’u dilet në ndihmë grave të dhunuara gjatë luftës. Më së miri është që të pranohen amendamentet. Këto gra nuk e kanë çështjen te buxheti, sa e kanë çështjen te dinjiteti”,
shpjegon Rogova.

Një kërkesë e tillë për përfshirjen e grave të dhunuara në të njëjtin ligj, që rregullon statusin e veteranëve të UÇK-së dhe viktimave civile gjatë luftës, ka bërë që të sulmohet fizikisht një aktiviste për të drejtat e grave, Nazlie Bala, që është edhe kryetare e Sekretariatit të Gruas e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo u rrah të mërkurën mbrëma para derës së shtëpisë së saj, një javë pasi ishte kërcënuar se do të merrte plumb në kokë, nëse nuk tërheq kërkesën e saj.

Rrjeti i Grupit të Grave të Dhunuara, sipas drejtoreshës ekzekutive, Igballe Rogova, e sheh këtë sulm si stigmatizim të mëtejmë nga kësaj kategorie.

Ajo, madje, shprehet e shokuar, që situata është përshkallëzuar deri në këtë masë, që një grupim të ketë kundërshtime aq të shprehura, sa që të përdorë dhunë apo edhe kërcënim me vdekje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG