Ndërlidhjet

EULEX-i lobon për gratë e dhunuara


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Që gratë e dhunuara gjatë luftës të gëzojnë të drejtat e tyre si viktima civile të luftës, do të duhet shumë mund dhe kohë, por misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX) sipas drejtuesit të tij, është i gatshëm ta shtyjë përpara këtë çështje.

Krimet e luftës të kryera ndaj grave, janë çështje e dhimbshme dhe kërkohet një mirëkuptim shoqëror që këto trauma të tejkalohen dhe të raportohen rastet, tha të mërkurën shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt.

Sipas diplomatit gjerman, denoncimet e viktimave të dhunimit dhe dhunës seksuale gjatë luftës, kanë sjell rezultate, pasi janë arrestuar dy njerëz të dyshuar për dhunim si mjet lufte.

“Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se duhet guxim i madh te gruaja, për t’u afruar dhe raportuar këtë krim. E di se gruas i duhet mbështetja e madhe e familjes dhe rrethit shoqëror në të cilin jeton ajo. Asaj i duhet edhe mbështetje, jo vetëm nga ana ligjore, por edhe nga ana psikologjike, shëndetësore, si dhe mirëqenia sociale”, tha Borchardt, gjatë një tryeze për qasjen e gruas në drejtësi.

Skena politike në Kosovë ka polemizuar gjerë e gjatë, në muajin mars rreth përfshirjes së grave të dhunuara gjatë luftës në vitin 1999, në një kategori të njëjtë me viktimat civile të luftës, në kuadër të Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, megjithatë, njohja institucionale e statusit të viktimave të abuzimit seksual gjatë luftës dhe emërtimi i tyre si viktima të luftës, nuk kaloi në Kuvend, pasi rekomandimet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për viktimat civile të luftës, u hodhën poshtë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën Samuel Zbogar, i cili thirri këtë tryezë, tha se qasje e gruas në drejtësi është një element kyç, të cilin do ta adresojnë evropianët kur të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që, sipas tij, ka shpresë se do të ndodhë gjatë stinës së verës.

Andaj, ai edhe tha se me interesim po ndjek zhvillimet rreth këtyre çështjeve.

“Ne, po ashtu, po përcjellim debatin e vështirë rreth çështjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, që së fundi [është hapur] në Kuvend”, u shpreh Zbogar.

Mirëpo, vetë fakti se janë nxjerr këto rekomandime paraqet një hap para dhe, sipas shefit të EULEX-it, gjërat duhet shtyrë përpara.

“Jemi të vetëdijshëm se do të duhet lobim i shtuar dhe ndikim, për t’i bërë këto të drejta ligjore realitet në praktikë për gratë”, theksoi Borchardt.

Organizatat për të drejtat e grave, thonë se afro 20 mijë persona janë dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorët evropianë, ndërkaq janë duke hetuar dhjetëra raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si mjet lufte, i cili, sipas Kodit Penal të Kosovës, dënohet me minimum 15 vjet burg, e deri në burg të përjetshëm.

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, tha se misioni i tij mbështet dhe këshillon lidhur me këto çështje autoritetet kosovare, por se vetëm qytetarët e Kosovës, mund ta bëjnë të mundur që abuzuesit të dalin para ligjit.
XS
SM
MD
LG