Në të gjitha komunat e Kosovës, në përjashtim të atyre me shumicë serbe, të hënën ka nisur nënshkrimi i peticionit në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Nënshkrimin e këtij peticioni në Prishtinë janë duke e nënshkruar qytetarë të shumtë, ndërsa konsiderojnë se ky aktivitet është pak i vonuar.
Drejtuesja e këtij bordi, Edita Tahiri, e cila është edhe ideatore e këtij peticioni, ka thënë se peticion përfshin të gjitha gratë e Kosovës dhe për synim ka që kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë, të dalin para organeve të drejtësisë.
“E gjithë Kosova ka qenë e dëmtuar nga ky krim gjenocidal, prandaj sot është dita kur këtyre grave t’u themi se jemi bashkë, jemi zëri i tyre. Qëllimi ynë është që aktorët dhe autorët e krimeve gjenocidale është t’i nxjerrim para drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Drejtuesja e bordit, Tahiri, ka theksuar se me anë të peticionit, do t’i bëhet thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të bëjë një raport zyrtar për rastet e dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Tahirit, deri më tash qytetarët janë duke i dhënë një përkrahje maksimale peticionit.
“Sot qytetarët, të gjithë, burrat dhe gratë, po i japin një mbështetje të fuqishme së pari grave viktima që e kanë përjetuar këtë krim gjenocidal. Ne anën tjetër, po i japin mesazh edhe bashkësisë ndërkombëtare që kjo tragjedi duhet të trajtohet ndërkombëtarisht”, është shprehur Tahiri në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.
Tahiri, bashkë me organizatorët tjerë që përkrahin këtë iniciative, të hënën kanë vizituar edhe Prizrenin, Suharekën, Rahovecin, Junikun, Deçanin dhe Pejën, ku kanë kërkuar nga qytetarët që të nënshkruajnë këtë peticion.
Peticioni që ka filluar të nënshkruhet të hënën, do të zgjasë deri të premten, kurse qytetarët mund ta nënshkruajnë atë duke filluar nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes.
Anëtare e këtij bordi është edhe këngëtarja kosovare Eliza Hoxha. Ajo, kohëve të fundit, përmes artit, ka përkrahur gratë e dhunuara dhe ka kërkuar një përkushtim dhe përkrahje më të madhe nga ana e institucioneve për to.
Këngëtarja Hoxha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, peticioni është e vetmja mënyrë për të reflektuar mbi çështjen e krimeve të luftës në Kosovë, përkatësisht dhunimeve.
“Mendoj se ne, si shoqëri, është më e vogla që mund të bëjmë që të shpenzojmë 5 minuta kohë për të nënshkruar dhe për të qenë pjesë e zërit të heshtur të këtyre grave që nga paslufta”, është shprehur Hoxha.
Në një fletushkë për informim lidhur me peticionin, thuhet se rreth 20.000 gra janë dhunuar dhe sulmuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në fletushkë, me titull “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovës”, thuhet se dhuna seksuale, si armë lufte, raportohet shumë pak edhe në nivel global, për arsye të shumta, përfshirë këtu rreziqet që hasin të mbijetuarit.
Ndryshe, qytetarët e kanë përkrahur këtë peticion dhe kanë shfaqur optimizëm se zëri i tyre do të dëgjohet në OKB, me anë të peticionit.
Elmi Emini me profesion ekonomist, pasi nënshkroi peticionin, u shpreh:
“E nënshkrova peticionin dhe po pres të zgjidhet diçka. Atyre kujt po i adresohet peticioni, do të gjejnë se çka ka ndodhur dhe besoj se do të ketë sukses, nëse jo, atëherë do të gjenden forma e rrugë tjera që të zgjidhet kjo çështje”.
Kurse, për avokaten Ilirjana Sereçi, dhuna seksuale që është bërë në Kosovë, është një nga krimet më të rënda që i është bërë popullatës civile gjatë luftës.
“E konsideroj të rëndësishme që të nënshkruhet peticioni dhe të ndërmerren masa që me të vërtetë të hetohen dhe të gjykohen ato krime”, ka thënë ajo.
Ndryshe, kërkesat e peticionit janë:
-Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuar gjatë luftës në Kosovës;
-Kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që të fillojë hetimet për përdhunimin e grave gjatë luftës në Kosovës dhe të nxjerrë një raport mbi këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur;
-Kërkojmë që të gjithë përgjegjësit, kryerësit dhe autorët për politika dhe veprimet e këtij krimi gjenocidal kundër njerëzimit, të sillen para drejtësisë ndërkombëtare dhe të ndëshkohen;
-Kërkojmë themelimin e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë në mënyrë më të besueshme dhe më të efektshme, në mënyrë që të sigurohet një drejtësi e paanshme dhe e drejtë.