Ndërlidhjet

Stigmatizimi i viktimave të dhunës


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet e Kosovës nuk mund ta ndryshojnë të kaluarën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por është i domosdoshëm angazhimi i të gjitha institucioneve për të ndalur stigmatizimin e tyre, kanë deklaruar zyrtarë të lartë shtetërorë.

Radio Evropa e Lirë ka anketuar qytetarë, duke i pyetur se sa mendojnë se janë të stigmatizuar viktimat e dhunës seksuale.

Feime Gashi, 42 vjeçare, ekonomiste me profesion, jep mendimin e saj rreth asaj se sa kanë bërë institucionet e vendit për viktimat e dhunës seksuale.

"Institucionet nuk kanë bërë asgjë deri tash. Meqë ligji tashmë është miratuar do të jetë më e mirë situate për to , përndryshe deri tash mendoj se është keqpërdor situate e tyre , por jo me u ndihmu. Mendoj se femrat e dhunuara janë viktima dhe kategoria më e rrezikuar e viktimave janë gratë e dhunuara të Kosovës", thotë Gashi.

Ngjashëm mendon edhe Blerta Sadiku, farmaciste me profesion.

"Besoj se pas miratimit të Ligjit për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale, është një hap drejt përparimit të kësaj çështjeje, apo të ndërgjegjësimit të shoqërisë. Megjithatë ende mbetet shumë punë për të bërë, sidomos në ndërgjegjësimin e shoqërinë civile në përkrahjen e këtyre viktimave si dhe në vetëdijesimin e vetë familjarëve të viktimave në përkrahje të tyre. Në ligj parashihet qartë se do të jetë një mbështetje, besoj se është një lloj shprese, pasi që shoqëria mendon për to, gjithsesi nëse zbatohet ligji", thotë Sadiku.

Ndryshe edhe vetë ministrja në largim e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka deklaruar se dhuna seksuale në luftë është një nga temat me të ndjeshme për shoqërinë kosovare të pasluftës.

Çitaku ka theksuar se kjo çështje jo që është heshtur deri tash, por për më keq, siç ka thënë ajo, kjo kategori e shoqërisë është stigmatizuar.

Ndërkaq Ibrahimi, 56 vjeçar, jurist me profesion, thotë se duhet ende kohë që të vetëdijesohen të gjithë faktorët dhe t'i nënshtrohen një procedure të ligjshmërisë dhe sanksionimin që kanë ndikuar në pafatësinë e njerëzve.

"Institucionet duhet të bëjnë më shumë për secilin hall edhe dert real të jetës tonë. Por ndihma e tyre mbetet vetëm në rrafshin moral, sepse nuk kanë as instrumente të veprimit konkret, meqë shumëçka është ende e mbështjellë me një 'misteriozitet'. Nuk ka legjitimitet ende të plotë të vullnetit të njerëzve që janë viktima".

"Nuk ngrehin zërin më fuqishëm edhe për shkak të natyrës së viktimizimit të tyre por edhe për shkak të mos gatishmërisë edhe të faktorëve tjerë që të merren me të, sepse ende nuk është ngritur vetëdija e arsyeshme e nivelit e të kuptuarit e viktimës së rrethanave nëpër të cilat ka kaluar Kosova", shprehet Ibrahimi.

Njëzetepesë vjeçarja Malda Krasniqi, ekonomiste, tha se shoqëria kosovare ende mbetet si shoqëri patriarkale dhe viktimat e dhunës seksuale vazhdojnë të mbeten të stigmatizuar.

"Normal që duhet të bëjnë shumë institucionet. Mendoj se një femër nëse ofendohet ndihet shumë keq, e lëre më të jesh viktimë e dhunës seksuale. Është një temë shumë e ndjeshme, dhe nuk e di pse nuk po ngrihet më shumë zëri", thotë Krasniqi.

Edhe Arieta Bajrami, juriste 40 vjeçare, jep mendimin e saj rreth çështjes së miratimit të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe zbatimit të tij.

"Sa shumë zhurmë është bërë para një viti, që atyre t'ju njihet e drejta dhe të konsiderohen si viktima të dhunës seksuale. Dihet sa vështirë e kanë të pranohen në shoqëri dhe ne jemi një shoqëri patriarkale, dhe nuk jemi të hapur ndaj çështjeve të tilla, këto viktima janë të stigmatizuara dhe ju duhet më shumë përkrahje institucionale dhe e rrethit ku jetojnë. Mendoj se për 15 vjet nuk është bërë asgjë, dhe ato që kanë kërkuar t’ju njihet e drejta, ka pasur raste kur janë kërcënuar", tha Arieta.

Sidoqoftë, nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, përkatësisht nën patronazhin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Britanisë së Madhe, po organizohen një varg aktivitetesh për shënimin e Samitit Global për të Ndalur Dhunën Seksuale në Konflikte, me moton “time to act” (koha për të vepruar), i cili po i zhvillon punimet në Londër.
XS
SM
MD
LG