Afrohet “momenti Ashton”

Hashim Thaçi, Catherine Ashton, Ivica Daçiq

Paralajmërimi i përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, se gjatë dialogut Prishtinë-Beograd, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Daçiq, duhet të jenë të gatshëm për marrjen e “vendime të vështira” mund të konkretizohet në takimin e radhës ndërmjet tyre, më 17 janar.

Në agjendën e diskutimeve të takimit të katërt në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve do të jetë edhe veriu i Kosovës.

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë thonë se takimi mund të jetë hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të veriut, por se zgjidhja përfundimtare është në duart e Brukselit dhe Washingtonit zyrtar.

Behlul Beqaj, analist politik, tha për Radion Evropa e Lirë se BE-ja duhet të qartësojë çështjen e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e cila është interpretuar në mënyra të ndryshme në Kosovë e Serbi.

“Mendoj se BE-ja duhet më në fund të sqarojë konfuzionet e veta për atë se çka do të ndodhë me veriun dhe me kalimet në veri-a janë kalime kufitare apo administrative dhe kjo çështje duhet të sqarohet përfundimisht përmes një protokolli të qartë. Palët, qofshin serbe apo kosovare, nuk duhet të manipulojnë me atë se kanë bërë zgjidhjen në kufi-përkatësisht se kanë bërë zgjidhje rreth kalimeve administrative”, u shpreh Beqaj.

Takimi Thaçi-Ashton-Daçiq parashihet të mbahet pak kohë pasi Serbia të ketë debatuar mbi platformën për Kosovën në legjislativin e vendit.

Diskutimet për dokumentin, që kërkon të nivel të lartë të autonomisë politike dhe territoriale në komunat serbe të vendit, pritet të mbahen në Parlamentin serb gjatë javës së ardhshme.

Prishtina zyrtare ka kundërshtuar fuqishëm platformën serbe duke e quajtur “anti-evropiane dhe kundër paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”.

Beqaj tha se pavarësisht qasjeve të palëve rreth veriut të Kosovës, ai që do të vendosë mbi tavolinë opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të jetë Brukseli zyrtar.

“Të gjitha (palët) nëse dëshirojnë ta marrin karotën nga Bashkimi Evropian për përafrimin e mëtejmë në kuadër të proceseve të integrimeve evropiane duhet të sillen konform pritjeve që i kanë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian. Alternativa që ofrohet nga Beogradi e mungesa e një alternative nga Kosova nuk janë në drejtim të kërkimit të zgjidhjeve adekuate për zgjidhjen e problemit”, theksoi Beqaj.

Derisa autoritetet kosovare këmbëngulin në tërësinë territoriale të vendit dhe zgjidhjen për çështjen e veriut në kuadër të planit Ahtisaari, Serbia vazhdon të vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.

Ismail Hasani, analist politik, tha Radion Evropa e Lirë se takimi i 17 janarit duhet t’i shërbejë amortizimit të qëndrimeve diametralisht të kundërta të palëve në procesin e dialogut.

“Është krejt normale që bisedat nganjëherë duhet të shkojnë në drejtim të amortizimit të kundërshtive, përkatësisht të paqësimit të asaj që konsiderohet si pjesë e dhimbshme, në të cilën Serbia është e detyruar të heqë dorë. Ëndrrat për ta pasur Kosovën në kuadër të kushtetutës së vet kanë përfunduar një herë e përgjithmonë”, vlerësoi Hasani.

Dialogu i dizajnuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë kishte nisur në mars të 2011-s.

Në tetor të vitit të kaluar u ngrit niveli i përfaqësimit të Prishtinës e Beogradit zyrtar me kalimin e përgjegjësive kryesore te kryeministrat e të dyja palëve.

Këta të fundit kanë mbajtur, deri më tani, tri takime të ndërmjetësuara nga shefja e diplomacisë evropiane, Ashton.