Ndërlidhjet

Haliti: Së pari çmilitarizimi, pastaj zgjidhja për veriun


Xhavit Haliti
Xhavit Haliti
Veriu duhet të çmilitarizohet dhe problemi të zgjidhet përmes bisedimeve me Serbinë, por, ajo të jetë në kuadër të pakos së Ahtisaarit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, i cili konsideron se në këto bisedimet, duhet të përfshihet edhe Kuvendi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti keni qëndruar këto ditë në Pragë, ku keni marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e cila diskutoi sfidat globale të sigurisë. Keni pasur takime të veçanta. Çfarë përfitoi Kosova nga prania e delegacionit të saj këtu?

XHAVIT HALITI
Së pari dua të them se delegacioni i Kuvendit të Kosovës në përbërjen time dhe të zotit (Petar) Miletiq, është vëzhgues, do ta quaja mysafir i të gjitha seancave që mban Asambleja Parlamentare (AP) e NATO-s ashtu siç kemi përcjellë në vazhdimësi takimet e seminarit Rose -Roth, i cili është gjithashtu në kuadër të AP-së së NATO-s.

Qëllimi kryesor yni është që me këto mbledhje të bëjmë edhe takime të veçanta, por edhe t‘i përcjellim zhvillimet politike në botë, në veçanti në projektet e NATO-s që i kanë. Por, një nga qëllimet tona është që ta ngrisim mundësinë e delegacionit të Kosovës që nga të ftuar, mysafirë, të jemi vëzhgues të AP të NATO-s. Kësaj radhe ne e dorëzuam edhe zyrtarisht kërkesën në emër të Parlamentit të Kosovës, ashtu si e ftuam seminarin Rose-Roth, që njërin nga takimet e tij ta mbajë në Prishtinë.

Takime kemi mbajtur në nivele të ndryshme, duke përfshirë shumicën e delegacioneve që kanë marrë pjesë. Ajo që ne mësuam për situatën globale dhe zhvillimet e mëtejme dhe pretendimet që i ka zyrtarisht pjesa politike dhe legjislative e NATO-s siç është AP, ishte që të vendoset demokracia, të vendoset rendi dhe ligji në botë, por shqetësimi kryesor aktualisht dihet që është situata në Siri.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh sfidat e sigurisë në botë, sa rrezikon të reduktohet prania e NATO-s në Kosovë dhe në fakt, çfarë rreziku i kanoset Kosovës nga aspekti i sigurisë aktualisht?

XHAVIT HALITI
Aktualisht në Kosovë siguria nuk është e rrezikuar as nga fqinjët as nga ndonjë fuqi që godet. Rreziku më i madh, apo një pjesë për të cilën ne nuk pajtohemi, është situata në veri, ku forca të caktuara militariste të Serbisë po e mbajnë një pjesë të territorit të Kosovës jashtë kontrollit.

Megjithatë, po punohet që përmes bisedimeve të zgjidhet edhe ky problem dhe shpresoj se gjatë këtij procesi të zgjidhet. Ndërsa rreziku më i madh brendapërbrenda Kosovës është papunësia, duhet të ketë më shumë punësim.

Unë shoh se zhvillimet e brendshme rrezikojnë situata, nëse ne nuk angazhohemi që Kosova të zhvillohet më mirë ekonomikisht dhe në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit, e cila mund të gjejë territor të përshtatshëm në Kosovë. Kjo duhet të bashkërenditet me forcat e NATO-s që t‘i paralizojmë këto formula, të cilat në qendra të caktuara bëhen edhe për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët bisedimet dhe çështjen e veriut. Temë e pashmangshme e debatit të sotëm janë takimet Thaci- Daçiq. Baronesha Ashton para këtyre bisedimeve ka paralajmëruar vendime të vështira. Si e deshifroni ju këtë, është bërë fjalë këtu për veriun? Sa mund të ruhet tërësia territoriale në këtë pjesë?

XHAVIT HALITI
Nuk është e lehtë që të flitet publikisht ajo që njeriu e mendon dhe që ka informacion. Unë jam shprehur më herët , para se të propozohen qëndrime të ndryshme. Megjithatë, unë mendoj se çështja e veriut duhet të zgjidhet konform pakos së Ahtisaarit, e cila iu mundëson lirinë lokale të gjitha pushteteve lokale të mundshme dhe në veçanti serbëve iu mundëson hapësirë shumë më të madhe.

Mund ta quajmë si të duam, por ka hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur lidhje qoftë me shtetësinë e dyfishtë, me Serbinë, qoftë me investimet që mund të bëjë Serbia në rajonet e banuara me shumicë serbe si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë. Ne kemi garantuar mirëmbajtjen, ruajtjen e objekteve të kulturës dhe historisë së tyre. Prandaj, konsideroj se kemi obligim që t‘iu ofrojmë jetë më të mirë serbëve, dhe besoj se marrëveshja e ardhshme do të jetë konform pakos së Ahtisaarit, qysh do që të quhet ajo.

Ata që e kanë lexuar drejt, por edhe mes rreshtash mesazhin, porosinë që jep pakoja e Ahtisaarit e kanë të zbërthyeshme të ardhmen edhe të veriut edhe të pjesëve tjera të banuara me serbë- se cili do të jetë statusi i tyre. Si do të quhet do të jetë problem tjetër.


Kuvendi të jetë i pranishëm në bisedime


RADIO EVROPA E LIRË
Në Kuvend është miratuar një rezolutë që mbështet bisedimet me Serbinë, por një pjesë e opozitës megjithatë është kundër tyre. Do të duhet megjithatë të krijohen grupe punuese me opozitën, apo të shkohet vetëm me takimet mes kryeministrave?

XHAVIT HALITI
Është e vërtetë që ne kemi miratuar rezolutën dhe kemi autorizuar qeverinë respektivisht, kryeministrin që të jetë në krye të këtyre bisedimeve. Por, është e vërtetë që një pjesë e opozitës, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje është kategorike kundër bisedimeve. Unë mendoj se edhe VV edhe një pjesë tjetër e opozitës e cila nuk është shumë e qartë se deri kur mund të shkojë dhe akoma nuk ka vendosur se a do të jetë pjesë e delegacioneve për zhvillimin e bisedimeve, të jenë patjetër pjesë e bisedimeve. Pse po e them këtë? Ne vërtetë e kemi obliguar Qeverinë, por Parlamenti si organ mbikëqyrës do të duhej të ishte i pranishëm në këto bisedime.

Do të ishte mirë që prania të ishte nga të gjitha palët, grupet parlamentare me formulat përkatëse. Dhe nëse diçka nuk shkon, askush askujt nuk ia ndalon që ta kundërshtojë këtë në parlament. Por, dihet që kur je në pushtet, në këtë rast, kryeministri, përgjegjësia është gjithnjë më e madhe dhe edhe kryeministri, nëse e kam lexuar mirë, dëshiron të jetë opozita aty. Unë shpresoj që këto bisedime të përfundojnë me një pajtim, më një fillim të rrugës së pajtimit mes Kosovës e Serbisë, në mënyrë që popujt ta kenë një jetë më të lehtë në trojet e veta. Çështjet se sa do kënaqet Serbia apo ne me përfundimin e bisedimeve mbeten të shihen. Por, unë jam shumë optimist për shkak se një pjesë shumë e madhe e popullatës serbe, që jeton në Kosovë, e ka kuptuar drejt statusin e Kosovës. Po shpresoj që Serbia në të ardhmen nuk do t’i pengojë të paktën serbët e Kosovës.

Mbi të gjitha po shpresoj se bashkësia ndërkombëtare do ta ketë parasysh që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është demilitarizuar dhe po besoj që do ta ketë një rrugë, mendim të tillë edhe në drejtim të strukturave militariste që janë në veri. Mendoj se veriu ka nevojë për demilitarizim sepse ka të koncentruar armatim të shumtë në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe ka nevojë që të arrihet një marrëveshje, e cila i defaktorizon grupet e interesit, të cilat realisht po e dëmtojnë ekonomikisht edhe Serbinë, dhe të cilat janë të koncentruara në emër të ruajtjes së integritetit të zonës së ashtuquajtur të banuar me serbë. Pra të defaktorizohen këto forca që po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe të Serbisë, të demilitarizohet veriu, dhe të lejohet që institucionet e Kosovës pa dhunë të marrin detyrat e tyre që kanë në raport me qytetarët në territorin tonë që na takon.


PDK ka të meta


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti një temë tjetër aktuale në Kosovë është procesi zgjedhor në partinë tuaj(Partinë Demokratike të Kosovës). Disa anëtarë të Kryesisë së PDK-së kanë thënë se ka kohë të gjatë që në këtë subjekt mungojnë vendimet e përbashkëta. Ju jeni një nga drejtuesit e partisë, si do t’i përgjigjeshit këtyre pohimeve?

XHAVIT HALITI
Unë mendoj se PDK ka qenë ndër partitë më demokratike, të cilat kanë punuar në ekip. Megjithatë, të meta nuk mund të them se nuk ka brenda PDK-së, por ato të meta janë si pasojë e të qenit në pushtet. D.m.th. kur e ke pushtetin nuk ke nevojë të mbash edhe aq shumë mbledhje, përmes të cilave do të luftosh për ta marrë pushtetin. Megjithatë, ka vërejtje nga anëtaret e kryesisë së partisë, është e vërtetë që kuvend zgjedhor nuk është mbajtur ka një kohë dhe sipas vendimeve që kemi marrë do ta mbajmë kuvendin zgjedhor së shpejti.

Mospajtimet, apo gabimet a të metat e secilës palë, apo secilit njeri, reflektojnë në zhvillim a ngecje të partisë, dhe për rezultatet e secilit prej nesh dhe secilit organ të partisë duhet të diskutohet në Kongresin e partisë dhe Kongresi duhet të vlerësojë pozitivisht a negativisht secilin institucion, duke filluar nga institucioni i kryetarit të partisë, i sekretarit të përgjithshëm, i nënkryetarëve dhe Kryesisë në përgjithësi dhe në veçanti të degëve të partisë. Kuptohet se pretendimet e secilit që është në politikë, janë për të bërë një karrierë të mirë politike dhe secili ka të drejtë të konkurrojë dhe të pretendojë më shumë sesa që ka.

RADIO EVROPA E LIRË
Mospajtime brenda PDK-së, janë parë në fakt edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ju përmendët Kongresin Zgjedhor. Druani nga ajo që ka ndodhur edhe me partitë tjera në Kosovë, të hyni si një parti dhe të dilni si dy nga ky kongres?

XHAVIT HALITI
Nuk jam nga ata politikanë që them se nuk është e mundshme. Në politikë gjithçka është e mundshme. Por, duke e njohur situatën, duke i njohur raportet edhe mes palëve të cilat kanë dalë publikisht kundër njëra-tjetrës ose individëve, po mendoj që ka më shumë hapësirë dhe rrugë të cilat i bashkojnë, sesa që i ndajnë.

Mund të ketë qejfmbetje nga njerëzit, mund të ketë mendime që do të duhej të jemi të organizuar ndryshe, do të duhej të merren vendime ndryshe, dhe këto janë të drejtat e secilit prej nesh. Por, jam disi i bindur se ne kemi më shumë rrugë, mundësi që të jemi bashkë, sesa që dikush të ndahet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG