Ndërlidhjet

Hoxhiq: Problemet në veri të adresohen në dialogun Prishtinë – Beograd


Ndërtesa e Zyres Administrative në veri të Kosovës
Ndërtesa e Zyres Administrative në veri të Kosovës
Përpjekjet e para të Qeverisë së Kosovës për të nisur edhe simbolikisht shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës po hasin në kundërshtime të ashpra të strukturave paralele serbe.

Hapja e zyrës Civile Administrative në veri është menduar të jetë një përpjekje për të zbatuar dokumentin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës i njohur si Plani i Ahtisarit, i cili parasheh krijimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut.

Më 20 qershor, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Adrijana Hoxhiqin, shefe të Zyrës Civile. Pikërisht kjo zyrë, është thënë se do të jetë gurëthemeli i komunës së re të Mitrovicës veriore.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Adrijana Hoxhiq thotë se zyra vetëm ka filluar me punën.

Kjo zyre vetëm se ka filluar me punën. Hapi i parë dhe më i mirë është punësimi i njerëzve të duhur për pozitat e duhura. Kështu do të sigurohemi se kemi një kuadër profesional i cili do t’i trajtoj të gjitha çështjet dhe sfidat në terren ashtu siç duhet”, thotë Hoxhiq.

Shefja e tashme e Zyrës Civile në veri ka punuar paraprakisht edhe në krye të ekipit përgatitor për krijimin e komunës së Mitrovicës së veriut me Zyrën Civile Ndërkombëtare.

Nga përvoja e saj me problemin e veriut, Hoxhiq thotë se disa çështje në këtë pjesë nuk mund të zgjidhen nga niveli lokal. Andaj, mendon se është gabim që në dialogun Prishtinë – Beograd nuk adresohen edhe çështjet problematike që kanë të bëjnë me këtë pjesë.

Është e qartë dhe do të duhej që t’u bëhej e qartë të gjithëve se shumë çështje në veri nuk mund të zgjidhen pa një dialog adekuat dhe pa rezultate adekuate që do të dilnin si rezultat i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thekson Hoxhiq.

Por, deri më tani, qeveria e Kosovës, të paktën publikisht, ka refuzuar çdo formë të dialogut me Serbinë për problemet në veri.

Sidoqoftë, Zyra Civile Administrative në veri, mendohet të ketë kryesisht karakterin teknik të punës. Hoxhiq thotë se qytetarët e Mitrovicës veriore, sidomos ata serb, para së gjithash do ta kenë rastin që të punësohen edhe atë pa pasur nevojë që të jenë pjesë e ndonjë subjekti politik.

Menaxhimi i fondeve dhe përcaktimi i projekteve do të jetë roli dhe funksioni i kësaj zyre, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira lokale.

Vendosja e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët e veriut, sipas saj, do të ishte hapi më i qëlluar, marrë parasysh se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur asnjëherë që të vendosin këtë komunikim me komunitetin serb në veri.

Ka një numër të madh të qytetarëve të Mitrovicës së veriut, përfshi edhe ata të komunitetit serb, janë mjaftë shumë të interesuar të bëhen pjesë e punës së kësaj zyre”, thotë Hoxhiq.

Sipas saj, funksioni i Zyrës nuk është politik, por vetëm, merret me menaxhimin e projekteve që janë në interesin e qytetarëve të kësaj zone

E them sinqerisht, unë jam e befasuar. Jam befasuar pozitivisht me interesimin e qytetarëve për pozitat që janë menduar të funksionalizohen gjatë këtij mandati”, thotë Hoxhiq.

Që t’i shmangin tensionet për shkak të kundërshtimeve që vijnë nga subjektet politike të serbeve të veriut, institucionet e Kosovës duket se kanë zgjedhur formën e heshtur të hapjes dhe funksionalizimit të kësaj zyreje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka shfaqur shpresën e tij se kjo zyrë do t’ia del që të përgatit terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në atë pjesë.

Pjesa veriore e Mitrovicës dhe tri komunat veriore, kanë refuzuar në vazhdimësi ligjet dhe autoritetin e shtetit të Kosovës duke zbatuar ligjet e Serbisë. Madje, edhe strukturat paralele që udhëheqin ilegalisht komunat ne veri, janë të zgjedhura në bazë të zgjedhjeve dhe ligjeve serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG