Sistemi i drejtësisë pa politika ndëshkimore

Ilustrim

Mos-zbatueshmëri e duhur e ligjeve, larmi dispozitash dhe mosndëshkueshmëri unike, janë vetëm disa nga sfidat e sistemit të drejtësisë, që nënvizohen nga përfaqësues të organeve të drejtësisë dhe ekspertë legalë.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, në një debat të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, dha një shembull, se si në sistemin e drejtësisë së Kosovës, ende nuk ka një politike ndëshkimore unike.

Në të njëjtën ditë, një prokuror i Qarkut në Kosovë ka pranuar dy aktgjykime për dy të pandehur që kanë kryer të njëjtën vepër penale të dhunimit dhe njëri është dënuar 5 vjet, e tjetri është dënuar një vit”.

“Ata dy të dënuar takohen në burg dhe do të pyesin njëri-tjetrin se për çfarë vepre je dënuar ti dhe do të mësojnë se të dytë janë të dënuar për të njëjtën vepër, të dy janë dënuar nga e njëjta gjykatë dhe njëri është dënuar 5 vjet, e tjetri 1 vit. Kush është ai në botë që mund ta heqë percepcionin se aty ka korrupsion?”, tha kryeprokurori Kabashi.

Në anën tjetër, përfaqësues të ekzekutivit u zotuan se po hartojnë një infrastrukturë moderne ligjore për sistemin e drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se zbatimi i ligjeve në organet e drejtësisë është duke ndodhur.

Hajredin Kuçi

“Ne jemi duke bërë përpjekje që ta kemi një infrastrukturë të mirë ligjore - natyrisht, në këtë drejtim, sipas standardeve evropiane, po të përputhshme dhe funksionale me Kosovën”.

“Në anë tjetër, është një proces i vazhdueshëm për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. Po ashtu, është ndërtuar edhe një ambient i mirë politik që nuk ndërhyhet në punët e Gjyqësorit, së paku jo publikisht. Dhe, dua të them që gjendja materiale e prokurorëve dhe gjyqtarëve është dukshëm më e mirë sesa në vitet e tjera”,
tha Kuçi.

Ndryshe, në Raportin e fundit të Progresit nga Komisioni Evropian, u vlerësua se në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit të mirëfilltë të ligjeve.

Edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me sistemin e drejtësisë thanë se ligjet që i takojnë këtij segmenti, nuk janë duke u zbatuar në masën e duhur.

Drejtor i Bordit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Kujtim Kërveshi, tha se ende në Kosovë nuk ka një uniformitet të normave dhe kjo, sipas tij, bën që të ketë një laramani të zbatimit të dispozitave të ndryshme të legjislacionit në Kosovës.
Është fakt botërisht i njohur që në Kosovë më përpara ec mekanizmi i shpalljes së legjislacionit, sesa zbatimi i ligjeve.

“Është fakt botërisht i njohur që në Kosovë më përpara ec mekanizmi i shpalljes së legjislacionit, sesa zbatimi i ligjeve”.

“Ka qenë dhe mbetet vështirësi për të gjithë bartësit e institucioneve, në veçanti për gjyqtarët dhe prokurorët, që të ndjekin ritmin e zbatimit të këtyre ligjeve, për shkak të fluksit të madh të ligjeve, nuk janë të rralla rastet që ato ligje janë në konflikt njëra me tjetrën”,
vlerësoi Kërveshi

Këto deklarata Kërveshi i bëri pas publikimit të katër vëllimeve të ”Fletushkës së Drejtësisë”.

Fletushkat e publikuara trajtojnë tema profesionale të disa prej fenomeneve të rëndësishme për zhvillimin e legjislacionit, zbatimin e drejtë të tij dhe sigurisë juridike në Kosovë.

Përfaqësuesit e lartë të organeve të drejtësisë kanë përsëritur disa herë se forcimi i sundimit të ligjit në vend duhet të jetë prioritet dhe angazhim i gjithë mekanizmave vendorë.

Moszbatimi i ligjeve në Kosovë, sipas përfaqësuesve të institucioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut, bën të pamundur funksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.