Ndërlidhjet

Mbrojtja e dëshmitarëve sfidon drejtësinë


Ilustrim
Ilustrim
Mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Për shkak të kërcënimeve apo frikësimeve të ndryshme, dëshmitarët potencialë, dëshmia e të cilëve vlerësohet të jetë e rëndësishme në shumë raste, shpeshherë refuzojnë tërësisht t’i tregojnë ato që dinë.

Me vite të tëra, Kosova ishte në qendër të kritikave të organizatave të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pikërisht për këtë çështje, mungesën e ofrimit të mbrojtjes për këta dëshmitarë.

Pas presioneve të shumta ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës, miratoi Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili pritet të hyjë në fuqi në shtator të viti 2012.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës zotohen se pavarësisht kostos së lartë të zbatimit të këtij ligji, ai do të hyjë në fuqi dhe se do të zbatohet në tërësi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i drejtësisë, konsideron se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të miratojnë ligje që janë të domosdoshme për funksionalitetin në vend.

Ai ligj ka nevojë dhe do të hyjë në fuqi në shtator. Arsyeja kryesore është një koordinimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. E dyta është një kosto financiare që unë kam menduar ta zgjidhi në dy drejtime. E para, në partneritet me shtetet duke bërë në momente të caktuar këmbimin e dëshmitarëve të mbrojtur, po e marr shembull Norvegjinë, shembull hipotetik që ata mund ta sjellin dikë këtu, dhe ne atje edhe do te kemi mundësi financiare me të mira. Po ashtu kam kërkuar nga Komisioni Evropian një mbështetje të veçantë për ketë proces”, shprehet Kuçi.

Publikimi i raportit të raportuesit të Këshillit Evropian, Dik Marti, me një varg akuzash për krime të luftës të kryera në Kosovë, pastaj rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe së fundi procesi gjyqësor ndaj deputetit, Fatmir Limaj, dhe disa ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së ri-aktualizuan gjatë vitit 2011 nevojën për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ishte pikërisht rasti i “dëshmitarit X” - një, si dëshmitar i mbrojtur, ai që nxiti edhe më shumë debatin e të qenit një dëshmitar i këtillë.

Në një nga seancat publike gjyqësore, Agim Zogaj u përmend nga njëri prej avokatëve mbrojtës të dhjetë të pandehurve në rastin “Kleçka”, por ishte bërë publik edhe kohë më parë nëpër mediat e shkruara.

Rrjedhimisht, zbatimi i një ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve vlerësohet të jetë një nga nevojat esenciale për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ish- ministri i drejtësisë, Haki Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i këtij ligji do të ndihmonte shumë në luftimin e krimit të organizuar dhe të gjitha format e tjera të krimeve të renda.

Duke pasur parasysh rrethanën tjetër që Kosova vërtetë është një vend i vogël, në kuptimin territorial hapësirë e vogël, dhe zakonisht mbrojtja e dëshmitarëve në vende të cilat kanë territore më të mëdha mund të bëhet në mënyrë më efikase, më të sigurt, mendoj se vërtetë zbatimi praktik i këtij ligji do të jetë tejet i vështirë, por besoj që organet kompetente të drejtësisë, por edhe te sigurisë në Kosovë, do t’ia dalin që pjesë të caktuara të ligjit të fillojnë së zbatuari”, thekson Demolli.

Pengesë kryesore për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, sipas ekspertit të çështjeve të drejtësisë, Ismet Salihu, është kostoja financiare.

Kostoja e lartë e këtij ligji e vështirëson implementimin, sepse aty duhet të merret në siguri jo vetëm dëshmitari, po edhe familja e tij e ngushtë.
Kostoja e lartë e këtij ligji e vështirëson implementimin, sepse aty duhet të merret në siguri jo vetëm dëshmitari, po edhe familja e tij e ngushtë. Kështu që nëse nuk sigurohet edhe një përkrahje edhe ndërkombëtare në këtë aspektin e mbrojtjes së dëshmitarëve, atëherë kjo çështje shumë vështirë, ose fare nuk mund të implementohet ky ligj”, bën të ditur Salihu.

Disa nga masat mbrojtëse, të cilat mund të vendosen për personat që duhen mbrojtur, janë ndryshimi i identitetit, ndryshimi i vendbanimit, dhënia e dokumenteve të rreme dhe mbrojtja e përkohshme e identitetit.

Mjetet për financimin dhe zbatimin e këtij ligji do të sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, por edhe nga burimet dhe programet ndërkombëtare, ndërsa përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji është Ministria e Punëve të Brendshme.

Këshilltari politik në ministrinë e punëve të brendshme, Fisnik Rexhepi, nuk e cilëson si problematike çështjen e sigurimit të mjeteve për zbatimin e ligjit.

Po punojmë dhe me Komisionin Evropian. Kosova është përfituese e një projekti rajonal që e financon Komisioni Evropian për mbrojtjen e dëshmitarëve. KE, po ashtu ka paraparë realizimin e një projekti në vlerë prej gjysmë milioni euro të dedikuar për mbrojtjen e dëshmitarëve. Dhe me mbështetjen e buxhetit vendor, do të arrijmë të implementojme ketë ligj”, shprehet Rexhepi.

Prej hyrjes në fuqi të këtij ligji e deri në skadimin e mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, komisioni dhe drejtoria vendore për mbrojtjen e dëshmitarëve kanë përgjegjësi për mbrojtjen e dëshmitarëve në pajtim me këtë ligj, përveç nëse kërkesa për përfshirje në një program të EULEX-it për mbrojtjen e dëshmitarëve është paraqitur nga personat kompetentë.

Komisioni për Mbrojtjen e Dëshmitarëve është përgjegjës për përfshirjen e personit të rrezikuar në program, për zgjatjen e qëndrimit në program si dhe për përfundimin e programit, ku puna dhe të gjitha dokumentet e komisionit vlerësues të programit janë sekret zyrtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG