Ndërlidhjet

Të varfër me gjyqtarë


Ilustrim
Ilustrim
Problemi i vazhdueshëm i autoriteteve gjyqësore në Kosovë që flet për mungesë të personelit, nuk ka mundur të zgjidhet as gjatë procesit të reformave gjyqësore, i cili po vazhdon qe disa vjet.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se numri i pamjaftueshëm i kandidatëve ka bërë që në gjykata të mos ketë gjykatës të mjaftueshëm.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në proces të reformave për një efikasitet më të madh në drejtësi, porse kërkesat e këtij këshilli nuk po mund të realizohen për shkak të mungesës së njerëzve të kualifikuar.

Enver Peci
Enver Peci
“Ne e kemi pranuar se sistemi i drejtësisë nuk është efikas për shkak se vetë procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve ka rrjedhur me këta kandidatë edhe nuk kemi pasur mundësi ta plotësojmë më shumë numrin. Do të thotë nuk kemi pasur numër të mjaftueshëm të kandidatëve”, bën të ditur Enver Peci.

Sistemi i gjyqësorit vazhdon të ballafaqohet edhe me probleme të tjera, por vonesa e zgjidhjes së lëndëve është problemi më i madh.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thekson se reforma e deritashme ka shënuar disa suksese, por jo në nivelin e duhur.

“Kjo reformë i ka shënuar disa rezultate pozitive, po nuk është reformë e plotë, derisa nuk reflektohet në të gjitha aspektet, duke filluar edhe në uljen e numrit të lëndëve, në përmirësimin individual të performancës së gjyqtarëve në sjelljen e afatit të vendosjes së çështjeve në një kohë të arsyeshme. Defekti kryesor është që ne nuk po mund të respektojmë një standard, i cili është standard ndërkombëtar dhe me konventë edhe me Kushtetutë, dhe me të gjitha normativat ligjore”, thekson Hasani.

Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në gjykatat e Kosovës, thotë kryetari i Gjykatës Supreme.

“Në vitin 2009 ne kemi përfunduar me 198 mijë lëndë të pakryera, ndërsa tani i kemi 224 – ky numër vetvetiu flet se çfarë efektesh kanë dhënë reformat. Në segmentin e zvogëlimit të numri të lëndëve të respektimit të standardit kohor, këtu kemi çaluar për mungesë të njerëzve”, theksoi Hasani

Nga ana tjetër, Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se përmbushja e vendeve vakante me gjykatës e prokurorë është prioritet për sistemin e drejtësisë.
Numri adekuat i gjyqtarëve është parakusht elementar për funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë.



“Numri adekuat i gjyqtarëve është parakusht elementar për funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë. Është bërë një përmirësim, por ende është mjaft deficitar numri i gjyqtarëve. Imagjinoni situatën kur një lëndë pret me 3,4, 5, 6 vjet për t’u zgjidhur, kështu që njerëzit janë të zhgënjyer për shkak të zvarritjes së lëndëve”, vlerëson Salihu.

Drejtuesit e gjykatave deklarojnë se një nga problemet, me të cilat janë duke u përballur, pos mungesës së gjyqtarëve, është mungesa e edhe hapësirave të mjaftueshme në gjykata.

Ndryshe, drejtësia vazhdon të jetë sektori më i kritikuar në Kosovë, jo vetëm për moszgjidhjen e lëndëve, por po ashtu edhe për praninë e korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG