Mbështetje për rend e ligj

Policia e Kosovës

Kosova e ka mbështetjen unike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të vendit, ka deklaruar të premten kryeministri Hashim Thaçi.

Teksa ka folur për akordimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues që me disa përparime të caktuara, kryesisht në veri, t’i jepet fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë për të kaluar në fazën e pavarësisë së plotë, Thaçi ka thënë se ndërkohë mbetet punë dhe angazhim që veriu t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve lokale dhe formimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut, siç e parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit.

Hashim Thaçi

“Ne të gjithë jemi të përkushtuar, si Qeveri e Kosovës, të gjitha institucionet ndërkombëtare, me mbështetjen e plotë edhe të Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe aty ishin prezent edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Komisionit Evropian, të baroneshës Ketrin Eshton, do të thotë ishte një mbështetje unike që të punojmë këmbëngulësisht për lëvizje të lirë, për rend dhe ligj, për zgjedhje të lira, që të kemi lidership legjitim, që të kemi investime socio-ekonomike, si dhe të kemi formimin e komunës së re”, është shprehur kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës beson se në fund të këtij viti Kosova do të përmbushë zbatimin e Planit të Ahtisarit, përfshirë edhe veriun duke vendosur edhe atje sundim të rendit dhe ligjit. Duke zbatuar plotësisht Planin e Ahtisarit, si dokument bazë mbi të cilin Kosova kishte shpallur pavarësinë e koordinuar me vendet e saj mike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të fuqishme evropiane, do të përmbyllej edhe faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, synimet e kreut të Qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë që edhe veriu, i banuar me shumicë serbe, t’i nënshtrohet sistemit legal kushtetues të Kosovës, vazhdojnë të kundërshtohen nga liderët e serbëve të atjeshëm.

Marko Jakshiq, një nga përfaqësuesit politik serb nga veriu i Kosovës, ka thënë se komuniteti serb i atjeshëm nuk e pranon Planin e Ahtisarit dhe as pavarësinë e Kosovës.

Marko Jakshiq

“Plani i Ahtisarit është një emër tjetër për pavarësinë e Kosovës, kurse ne serbët jemi të gjithë kundër Kosovës së pavarur dhe për ne është shumë më e rëndësishme të kemi lirinë dhe shtetin e Serbisë, sesa të kemi perspektivën dhe Planin e Ahtisarit në kuadër të të ashtuquajturës Kosovë e pavarur”, ka thënë Marko Jakshiq.

Strukturat politike të organizuara në veri të Kosovës, në vazhdimësi e kanë gëzuar edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar që të mos i nënshtrohen sistemit legal kushtetues të Kosovës, çka nga autoritetet vendase dhe ato ndërkombëtare ishte cilësuar në shumë raste edhe si pretendim territorial ndaj Kosovës.

Një pretendim i tillë së fundi është bërë më i theksuar edhe me paralajmërimet për organizimin e referendumit serb në veri.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës vazhdon ta mbajë peng edhe përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare, me të cilën do të vërtetohej se Kosova është gati dhe e aftë të funksionojë si shtet me pavarësi të plotë.