Ndërlidhjet

Thaçi: Nuk do të zmbrapsemi


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Pak çaste para nisjes së operacionit që ka si qëllim funksionalizimin e pikave doganore 1 dhe 31, kryeministri Hashim Thaçi, përmes një adresimi publik për opinionin, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që ta ruajnë qetësinë e maturinë.

Ai i ka siguruar të gjithë se ky plan nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka si qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit, fillimisht në portat kufitare e më pas edhe në institucionet tjera në veri, duke përmendur gjykatat.

Integrimi i veriut do të jetë një proces me shumë sfida, por jam i bindur se bashkë me botën demokratike do t’ia dalim suksesshëm”, është shprehur Thaçi gjatë një konference të thirrur në orët e vona të mbrëmjes.

“Ka shumë punë për të bërë, hapja e gjykatave dhe shumë angazhime tjera, por ne nuk do të ndalemi së vepruari deri në shtrirjen e plotë të sundimit të rendit e ligjit”, është zotuar ai.

Pas suksesit më 25 korrik, siç ka thënë Thaçi, tani, sipas tij, bota demokratike e ka thënë qartë se Kosova nuk është e vetme në këtë rrugë për rend e ligj.

Andaj, ta ruajmë këtë bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar ai.

Në çdo veprim, ka nënvizuar kreu i ekzekutivit, qeveria po ushtron të drejtën që kanë vendet dhe kombet demokratike, duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.

Vendosja e rendit në veri mbyll dhe kaptinën e konflikteve me Serbinë, është shprehur Thaçi.

Ai edhe një herë ka sqaruar se këto ditë institucionet e Kosovës kanë pasur aktivitete konkrete dhe të shtuara, që si qëllim kishin zbatimin e planit për shtrirjen e plotë të sovranitetit. Ky aktivitet, sipas kryeministrit, është koordinuar në vazhdimësi me ndërkombëtarët.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, nesër (të premtën) policë e doganierë të Kosovës, bashkërisht me EULEX-in dhe NATO-n, do të fillojnë planin operacional për funksionalizimin e pikave 1 dhe 31. Ky plan është hartuar nga Qeveria në koordinim me SHBA-në, NATO-n dhe EULEX-in”, ka thënë Thaçi.

Ai është shprehur krenar që kishte gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ne kemi përjetuar sukseset e koordinimeve tona si institucionet e vendit, ashtu edhe ato ndërkombëtare, dhe kështu do të veprohet edhe në të ardhmen”, është zotuar ai.

Edhe sonte unë ju ftoj që të ruani qetësinë e maturinë. Veprimi i 16 shtatorit në veri nuk është i drejtuar kundër askujt. Në veri nuk jemi në konflikt me qytetarin e Kosovës. Qeveria është garantuesi dhe mbrojtësi më i mirë i të drejtave tuaja, pa dallim edhe për qytetarët serbë në veri. I ftojmë të respektojnë vendimet tona dhe të botës demokratike. Nuk ka nevojë për shqetësime. Të vazhdojnë jetën normale kudo që ndodhen”, ka thënë kryeministri kosovar.

Jemi në përpjekjet për vendosjen e rendit dhe ligjit dhe të shqetësuar janë vetëm ata që kanë shkelur ligjin dhe që po pengojnë jetën e njerëzve në veri”, ka deklaruar kreu i Qeverisë së Kosovës.

Në përmbyllje të këtij adresimi, Thaçi ka ftuar dhe lutur të gjithë qytetarët, pavarësisht se ku ndodhen dhe jetojnë ata, që të tregojnë mirëkuptim dhe besim në këtë veprim dhe angazhim të qeverisë.

Ju lus për mirëkuptim e besim dhe ju siguroj se nuk do të zmbrapsemi”, ka thënë Thaçi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG